Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill ka dhënë një intervistë të gjatë për televizionin shtetëror serb, RTS për ngjarjet e çerekshekulli më parë të sulmeve të NATO-s. Në këtë intervistë ai ka folur edhe për marrëdhëniet aktuale të Prishtinës dhe Beogradit me Uashingtonin. Hill ka bërë edhe një deklaratë të fortë duke u shprehur se aktualisht “Serbia është më parnë NATO-s se Kosova”.

PJESË NGA INTERVISTA

A ju kujtohet se ku ishit 25 vjet më parë?

– Po, kam qenë ambasador në Shkup, Maqedoninë e Veriut. Isha në rrugën për në Beograd. Shoqërova Richard Holbrooke dhe më pas u ktheva në ambasadë në Shkup.

Pas kolapsit të negociatave në Rambuje, a ishte i pashmangshëm bombardimi? 

– Mendoj se kishte shpresë se mund të shmangej. Mendoj se çështja ishte në Rambuje. Ne po mundoheshim të krijonim një autonomi të gjerë për Kosovën. Pala shqiptare e Kosovës e pranoi atë. Pala serbe nuk e bëri. Ndërkohë, në terren kishte veprime ushtarake shtesë në Kosovë, të cilave ne, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë, ndjemë se duhej t’i përgjigjeshim dhe ta ndalnim.

Nga pala serbe thuhet se kushtet për Serbinë ishin të papranueshme.

Lexo po ashtu:  OBSH: NJË KËRCËNIM I RI PËR NJERËZIMIN, “Virusi nuk do të zhduket as me vaksinën”

– Në atë kohë, askush nuk ishte entuziast për bombardimet. Çështja ishte të ndalohej ajo që ishte bërë një çështje shumë e përgjakshme dhe gjithnjë e më e përgjakshme në Kosovë. Pra, ishte një përpjekje për të ndaluar ato që në thelb ishin forcat e Millosheviçit.

Por si do ta shpjegonit? A do të thotë kjo se shumë gjëra janë ende të pazgjidhura për 25 vjet?

– Nuk e di. Mendoj se kjo ishte sigurisht pritshmëria jonë në Rambuje. Pritshmëria jonë ishte që pas disa vitesh ata të ishin të gjithë në Evropë.

Një pyetje na shqetëson që nga viti 1999, në këtë rast që nga viti 1998. Si ndryshoi statusi i UÇK-së nga një organizatë terroriste, siç i ka etiketuar fillimisht Departamenti i Shtetit, në një partner të pranueshëm?

– E dini, në fakt, nëse shikoni se kush është partner i NATO-s, Serbia është shumë më afër NATO-s sesa Kosova. Kjo sepse…

Do të thuash tani?

– Për momentin po. Kjo tani është shumë e vërtetë. Pra, ju sigurisht e dini se ne punojmë çdo ditë me ushtrinë serbe. Ne kishim stërvitje, kemi stërvitje, kishim një sërë gjërash me ushtrinë serbe. Kështu që nuk jam i sigurt se mund ta pranoj premisën e pyetjes, sepse ne po bëjmë shumë më tepër së bashku tani sesa me UÇK-në apo çfarëdo që doli prej tyre.