Lis Bukuroca

Kombi shqiptar është një prurje historike, të paktën mbi 6,000 vjeçare, bazuar në ndarjen e proto-shqipes nga familja e gjuhëve indoeuropiane, që u publikua nga studiuesit e huaj në revistën “Science.”

Dikur ekzistonin qytete-shtete, si Athina, Sparta, Delfi, Mileti etj., dhe fillimisht edhe Roma, derisa u shndërrua në perandori. Sipas dijes dhe logjikës së sotme, banorët e atyre qyteteve do t’ishin quajtur kombe të ndryshme. Megjithatë, ata të gjithë e quanin veten helenë, ndërsa romakët i quanin ‘graeci’. 

Me kalimin e kohës, nisi edhe konsolidimi i shteteve nacionale në Europë, ku synohej një ndjenjë e përbashkët e identitetit kombëtar. Ky proces grumbulloi popullin rreth një gjuhe, kulture dhe institucioneve të përbashkëta. Aty pakicat asimiloheshin.

Pas zbulimit të Amerikës, shumë popuj europianë migruan drejt kontinentit të ri si, drejt Zelandës së Re dhe Australisë. Atje, shumica e një komuniteti pas çlirimit nga kolonializmi, krijoi shtetin e vet, shpalli gjuhën e vet zyrtare dhe krijoi kombin e ri.

Kombi amerikan u krijua me emrin e detarit Amerigo Vespuçi, por Amerigo, nuk ishte amerikan. Kombi kolumbian e mori emrin nga detari Kristofor Kolombo, i cili ishte gjenovez. Gjenova ishte një qytet-shtet atëherë. 

Por as Kristofor Kolombo nuk ishte me kombësi kolumbian, ashtu si shqiptari i Kosovës që nuk është “kosovar” me përkatësi kombëtare, por shtetas i Kosovës, sepse si shqiptar, ai është më i vjetër dhe më i lashtë se vetë shteti apo emri i ri i vendit, që ishte pasojë e dyndjeve sllave.

Në konceptin tonë shqiptar ose europian, kombi është një proces dhe rezultat historik, jo një sajesë e një çasti apo një rastësi politike. Kombet si ai shqiptar, grek, armen, gjerman, kinez, francez, italian dhe shumë të tjerë, kanë një vijimësi historike të pashkëputur, e cila lidhet ngushtë me gjuhën, historinë, kulturën dhe traditën në mes të tjerash. 

Në rastin e kombeve të kontinentit amerikan, transformimet ishin të nevojshme dhe të domosdoshme, sepse nuk ekzistonte një bazë kulturore ose historike e njëjtë. Por në Europë, kombe të rinj nuk formohen në mënyrë artificiale. As në Azi.

Ekzistuan për disa dekada dy Gjermani, por kurrë nuk pati një ide për krijimin e një kombi të ri me një fjalë të huazuar nga rusishtja: si mirënjohje për pushtimin, si nostalgji për ta kujtuar me mall përgjithmonë me emrin e kombit. A dy Koretë nuk duan komb të ri. Ndërsa në botën arabe, kemi 19 shtete që identifikohen si arabë. 

Austria, e cila shpesh përmendet nga ideologët e kombit kosovar, është ndarë nga identiteti gjerman pas Luftës së Dytë Botërore, kryesisht për t’u distancuar nga përgjegjësia dhe fajësia kolektive, që i ishte ngarkuar Gjermanisë fashiste. Nga ana tjetër, kombi zviceran është një krijesë politike që përfshin disa gjuhë dhe tradita të ndryshme. Nëse një ditë ndahet, kombi zviceran zhduket. 

Lexo po ashtu:  Spastrimi i Shqipërisë

Shqiptarët edhe të copëtuar, mbeten shqiptarë, në Serbi, në Maqedoninë Veriore, në Mal të Zi e vende tjera.

Shqipëria, kombi shqiptar, nuk ka qenë kurrë i përlyer me krime si ato të fashizmit, përkundrazi, ka një histori të humanizmit të lartë. Një shembull konkret është shpëtimi i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë, kur shumë vende të tjera bashkëpunonin me Hitlerin në persekutimin dhe shfarosjen e tyre. Serbia nën qeverisjen e Milan Nediqit, qe shteti i parë që në Rajhun e Tretë pat shpallur veten si “Judefrei1. (pa hebrenj), ndërsa shqiptarët rrezikonin jetën për t’i shpëtuar. Ai qëndrim civilizues, vetëflijuese, ishte rezultat i kulturës shqiptare, i Kanunit të Lekë Dukagjinit..

Kombi shqiptar krijoi një shtet të vogël, Shqipërinë dhe, për shkak të copëtimit të tij brutal nga shtetet fqinje, kryesisht nga Serbia, në fillim të këtij shekulli, ia doli të krijojë shtetin e dytë: Kosovën. Ky proces historik ende nuk ka përfunduar tërësisht. Konsolidimi dhe bashkimi kombëtar mbetet si synim. Historia jonë ka dëshmuar qëndrueshmëri dhe vijimësi dhe në këtë shekull, do të përmirësohet edhe shumë gjendja jonë.

Shteti i dytë shqiptar, ashtu siç ekziston sot, është krijuar nga shqiptarët, jo nga njerëzit me identitet kombëtar “kosovar.” Lufta për çlirimin e Kosovës u bë nën flamurin shqiptar, që theksonte përkatësinë tonë.

Ky shtet quhet ende Kosovë. Me toponim sllav. Disa veta duan të shndërrojnë atë në emër të kombit të ri. Para ardhjes së sllavëve në Iliri, nuk kishte Ballkan, nuk kishte Serbi, Kosovë apo Bosnje; ky territor njihej si Dardani apo Iliri. Ne jemi shqiptarë, pavarësisht vendit ku jetojmë dhe ky bashkim arrihet përmes gjuhës, kulturës, traditës, mendësisë, përrallave, legjendave, miteve, madje edhe nëpërmjet gjeneve, por edhe shumë veçorive tjera të përbashkëta, që na dallojnë nga kombet tjera. 

Ato elemente e përkufizojnë identitetin tonë historik të përbashkët dhe pamundësojnë shpikjen e një kombi artificial.

Lexo po ashtu:  "“Gabimi nuk mund të korrigjohet kurrë nga gabimi, dhe e keqja nuk mund të mposhtet me të keqe.” Urtësia hyjnore e të mençurëve – Tolstoy, Epikuri dhe Plutarku!

Nëse do të krijohej një komb kosovar, siç dëshirojnë disa, ku sipas tyre do të përfshiheshin serbët, boshnjakët, ashkalinjtë, egjiptianët dhe romët, ai komb nuk do të ketë histori. Ai komb do të fillonte nga çasti i shpalljes së tij dhe jo nga çlirimi i Kosovës, sepse çlirimi u bë nën flamurin e Skënderbeut, që përfaqëson kombin shqiptar dhe historinë e tij mijëravjeçare.

Pse kombi kosovar është nostalgji serbe?

Sepse ‘dezertimi’ i shtetasve kosovarë nga kombi shqiptar, do të kishte pasoja të rënda, dramatike. Ajo ndarje eventuale do të krijonte një precedent të rrezikshëm që do të inkurajonte Serbinë të sërbizojë shqiptarët e Luginës, Maqedonia e Veriut t’i maqedonizojë shqiptarët e Iliridës dhe Malin e Zi për t’i malezizuar apo serbizuar  shqiptarët e atjeshëm. Kujt i bëka mirë kombi kosovar? Serbisë sepse shqiptarët zvogëlohen dhe defaktorizohen. 

Nga Kosova do të merrej ideja dhe licenca për asimilim total të shqiptarëve jashtë kufirit shqiptar. Kjo është arsyeja pse kombi kosovar është nostalgji serbe, ose mirënjohje ndaj Serbisë, ose detyrim.  Ai komb do t’u ofronte tre shteteve sllave procedurën për të t’i zhdukur shqiptarët në shtetet e tyre.

Ti e ke atë dëshirë dhe plan? Pse ky pasion për të dëmtuar kombin shqiptar? Nga buron ky motivacion? A është ai rezultat i injorancës, utilitarizmit, apo mediokritetit?

Kombi kosovar” jo vetëm se do të minonte unitetin shqiptar, por edhe të gjithë konceptin e identitetit kombëtar që bazohet në gjuhën, kulturën dhe historinë e përbashkët shqiptare mijëra vjeçare.

Për të synuar krijimin e një “kombi kosovar”, njeriu duhet të jetë ose tradhtar ndaj historisë dhe kulturës së vet ose të jetë injorant. Ose të mos ketë një identitet të kristalizuar. Të jetë boshë! Kultura shqiptare është e tashmja jonë, trashëgimia ilire  e kaluara dhe proto-shqipja edhe më e largët. Kjo bashkësi gjuhësore dhe kulturore, e cila ka ekzistuar me mijëra vite me radhë, nuk mund të zhbëhet nga zhvillime politike afatshkurtra.

Unë kam pasaportë gjermane, por nuk jam gjerman. Unë jam shqiptar dhe shtetas gjerman. Dokumenti nuk e ndryshon njeriun. As identitetin. Dokumenti është letër, unë jam vepër. Ose, letra është gjësend, unë njeri me vetëdije.

Një rend tjetër politik, mund edhe të anulojë letrën time gjermane, por jo qenshmërinë time. Edhe nëse më ekzekutojnë, mbetem shqiptar i ekzekutuar.

Shtetësia kosovare është realitet, por ajo nuk duhet të shndërrohet në një mjet, në një ‘deus ex machina’ për të krijuar një identitet të ndarë kombëtar nga pjesa tjetër e kombit shqiptar.

Lexo po ashtu:  Intelektuali nga Kosova: Të lutem redaksi mos e publikoni emrin tim. Më largojnë nga puna - "Vjedhë politikani, vjedhë advokati, vjedhë prokurori, vjedhë gjygjtari, vjedhë ekonomisti, vjedhë mjeku, vjedhë polici, vjedhë hoxha e vjedhë prifti, por sot – sot o vëlla u mbush kupa!"

Kombet formohen natyrshëm, përmes proceseve të gjatë historikë dhe kulturorë, dhe nuk mund të imponohen nga jashtë për qëllime politike. Nëse pranojmë idenë e “kombit kosovar”, atëherë rrezikojmë të hapim rrugën për asimilim të mëtejshëm të shqiptarëve në vendet tjera.

Ata që  duan komb kosovar, nuk kanë pasur kurrë identitet të kristalizuar: disa dje ishin jugosllavë të ndershëm, pastaj njëri prej tyre pat dëshiruar konfederatë me vendet islame, më vonë po ky njeri mbështeste lëvizjen pacifiste, sot po e luftuaka me pasion gjuhën letrare, tjetri ideolog i kombit kosovar, njihet si mbështes i rilindjes osmane dhe kështu tani shfaqen me idenë e kombit kosovar. Pse? 

Për të qenë në qendër të vëmendjes, por nuk shohin se po tregojnë vetëm se ku janë zhytur vetë dhe se çfarë u mungon atyre. Gota e mbushur nuk mund të mbushet.

Njeriu me identitet nuk mund të ndryshojë identitetin. Ata janë në gjendje aq të mjerë, sa nuk shohin se po e luftojnë vetveten. Nuk është çudi nëse pas disa viteve shfaqen me idenë për komb jugosllav apo të ballkanasve. 

Mos i shani, mos i gjykoni. Janë njerëz, kanë probleme, ndoshta motivohen prej dikujt, ndoshta kanë pritshmëri, ndoshta duan t’i pëlqejnë dikujt, ndoshta paguhen, sidoqoftë kanë të drejtë të gabojnë. 

Edhe unë kam gabuar disa herë: e kam quajtur një njeri ‘analfabet’, edhe pse ai dinte shkrim-lexim. Pata gabuar!

Një tjetër e pata sharë me ‘derr’, edhe pse e dija se nuk ishte kafshë shtëpiake. I pata kërkuar ndjesë. Më vonë e pata quajtur një tjetër ‘gomar’, edhe pse e shihja se i kishte dy këmbë dhe veshët jo të gjatë sa të gomaricës. Qesh penduar. Tjetrin e pata quajtur qen, pse fliste shumë, edhe pse nuk lehte. I pata kërkuar edhe këtij ndjesë.

Çdo njeri gabon, prandaj t’ua falim gabimet edhe këtyre nostalgjikëve të Serbisë – ndoshta ndonjëri nuk është- dhe të vazhdojmë me ecjen tonë drejtë 7000 vjetëve apo edhe më larg, ku pasardhësit tanë idenë e kombit kosovar do ta shpallin nesër si lehje apo pallje të përkohshme. 

1https://www.dw.com/de/holocaust-in-serbien-und-kroatien-vergessen-verdrängt-verneint/a-42320543