“Ky ishte një qytet i pjerrët, ndoshta më i pjerrëti në botë, që i kishte thyer të gjitha ligjet e arkitekturës dhe të urbanistikës. Nga shkaku i pje­rrësisë së madhe ndodhte që në nivelin e çatisë së njërës shtëpi gjendeshin themelet e tjetrës, dhe me siguri ky ishte i vetmi vend në botë ku njeriu, po të rrëzohej në anë të rru­gës, në vend që të binte në hendek, mund të binte mbi çatinë e ndonjë shtëpie të lartë.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress
Shumë gjëra këtu ishin të pabesueshme dhe shumëçka ishte si në ëndrra.”

“…Ky ishte i vetmi vend në botë ku njeriu, po të rrëzohej në anë të rrugës, në vend që të binte në hendek, mund të binte mbi çatinë e ndonjë shtëpie të lartë. Këtë gjë më mirë se kushdo e dinin pijanecët. Ishte me të vërtetë një qytet shumë i çuditshëm.”

“….Në këtë lagje ishin të bukura dhe të pangjashme me asgjë sidomos mbrëmjet. Kur dëgjoja njerëzit që thoshin “mirëmbrëma!”, menjëherë më shkonte mendja tek oborri i shtëpisë së babazotit, ku jevgjit, që banonin në odajashtën e shtëpisë, i binin violinës, ndërsa babazoti rrinte në shezlong dhe thithte çibukun e tij të madh e të zi. jevgjit, prej kohësh, nuk kishin me se ta paguanin qiranë e odajashtës dhe, me sa duket, këto koncerte në netët e verës plotësonin deri–diku detyrimin që ata kishin ndaj babazotit.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

– Babazot, më dridh edhe mua një cigare, – i thosha me zë lutës dhe ai, pa më folur fare, dridhte një cigare të hollë, ma ndizte dhe ma jepte. Unë ulesha pranë tij dhe thithja me qejf të madh duhanin, pa u trubulluar nga shenjat kërcënuese që më bënin tezet dhe dajat nga gjysmerrësira.
Mendoja se nuk ka lumturi më të madhe në botë sesa, pasi të kesh ngrënë shumë, shumë, të pish duhan dhe të dëgjosh jevgjit, që i bien violinës, duke i mbyllur sytë përgjysmë, ashtu si babazoti.

Ah, sa të rritem, mendoja, të blej një çibuk të madh e të zi që të lëshojë tymin duman, të lë mjekër si të babazotit, dhe të lexoj gjithë ditën qitape të trasha, shtrirë në shezlong.
– Babazot, – i thosha me zë të zvargur, sikur të isha në ëndërr, a do të më mësosh edhe mua turqisht?
– Do të të mësoj, – më përgjigjej ai. – Sa të rritesh dhe ca dhe do të të mësoj.
Zëri i tij ishte i trashë dhe nanuritës dhe unë, i mbështetur pas shezlongut të tij, ëndërroja magjinë e duhanit dhe mundohesha të llogarisja me mendjen time se sa duhan do të më duhej për të pirë gjatë shumë vjetëve dhe sa qitape do të më duheshin për të lexuar, gjersa të më vinte koha për të vdekur.
Të gjitha këto po më vinin ndër mend në një mënyrë krejt të parregullt, ndërsa po lija prapa shtëpinë e artileristit plak Avdo Babaramo, e vetmja shtëpi që ngrihej rrëzë kalasë, dhe po zbrisja tatëpjetë bokërimave, nëpër rrugën e ngushtë, që përsëri kishte lëvizur. Copëra kujtimesh, gjysma frazash apo fjalësh, bishta ngjarjesh të parëndësishme, ndërprisnin njëra-tjetrën, shtyheshin, kapeshin për veshi apo për hunde me një gjallëri që shtohej bashkë me shpejtësinë e hapave të mi.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Ja dhe shtëpia e Suzanës. Porsa të merrte vesh që kisha ardhur, ajo do të dilte me vrap dhe do të vërtitej rreth shtëpisë së babazotit gjersa të më takonte. Në vërtitjen e saj kishte diçka prej fluture dhe prej lejleku njëkohësisht. Ajo ishte më e madhë se unë, e hollë, me flokë të gjatë, që i krihte vazhdimisht në mënyra të ndryshme dhe të gjithë thoshin se qe e bukur. Përveç asaj në lagjen e babazotit nuk kishte asnjë vajzë apo djalë tjetër të vogël. Prandaj Suzana gjithmonë priste me padurim ardhjen time. Ajo thoshte se mërzitej shumë midis të mëdhenjve. Ajo mërzitej në shtëpi duke qëndisur, mërzitej te çezma dhe mërzitej kur hante bukë. Ajo mërzitej në mesditë, mërzitej në mbrëmje, bile dhe në mëngjes. Me një fjalë mërzitej jashtëzakonisht. Këtë fjalë ajo e pëlqente shumë dhe e nxirrte nga goja me një kujdes të veçantë, sikur kishte frikë se mos e lëndonte padashur me dhëmbë apo me gjuhë…

-Ismail Kadare, “Kronikë në gur” /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *