Ben Wedeman

Vrasja e liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah ishte një hap drejt ndryshimit të “ekuilibrit të fuqive në rajon për vitet në vijim”, deklaroi të shtunën kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu. Udhëheqësi i Izraelit sheh një mundësi që hapet për një rikonfigurim themelor të fuqive në Lindjen e Mesme dhe ai mund të supozojë se Hezbollahu është plagosur për vdekje.

Sidoqoftë, fitorja totale është e paarritshme, dhe ata që marrin atë që dëshirojnë shpesh jetojnë për t’u penduar. Që nga 17 shtatori, Izraeli i ka dhënë grupit militant të mbështetur nga Irani një goditje pas tjetrës në Liban – fillimisht shpërthimet e pager-ave dhe radiove, më pas një sulm masiv ajror në Bejrutin jugor, i cili vrau komandantin e lartë Ibrahim Aqil (së bashku me dhjetëra civilë), i pasuar tre ditë më vonë me fillimin e një fushate brutale bombardimesh. Deri në mbrëmjen e së premtes – kur Nasrallahu u vra nga një bombë që rrafshoi shumë ndërtesa – udhëheqja e lartë e Hezbollahut ishte eliminuar pothuajse tërësisht.

Megjithatë, historia e kohëve të fundit ofron vetëm mësime të hidhura për liderët izraelitë – dhe të tjerët – që kanë ambicie të mëdha për ndryshime tektonike në Liban dhe në Lindjen e Mesme në përgjithësi.

Në qershor 1982, Izraeli pushtoi Libanin me qëllimin për të shtypur Organizatën për Çlirimin e Palestinës. Përtej kësaj, ai shpresonte të krijonte një qeveri të dominuar nga të krishterët në Bejrut dhe të dëbonte forcat siriane nga vendi. Dështoi në të treja objektivat.

Lexo po ashtu:  Fytyra e vërtetë e openbalkanistit klerofashist: Aleksandar Vučići.

Po, grupet e armatosura palestineze në Liban u detyruan të largoheshin nga vendi sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Amerika, që i dërgoi ata në mërgim në Tunizi, Jemen dhe gjetkë. Por qëllimi për të shuar aspiratat kombëtare palestineze së bashku me OÇL-në dështoi. Pesë vjet më vonë, Intifada e Parë Palestineze, ose kryengritja, shpërtheu në Gaza dhe u përhap në Bregun Perëndimor. Sot palestinezët janë po aq të vendosur sa kanë qenë gjithmonë, në refuzimin e pushtimit izraelit.

Aleati kryesor i Izraelit në Liban në kohën e pushtimit ishte Bashir Al-Gemayel, një udhëheqës i milicisë së krishterë maronite i cili u zgjodh nga parlamenti, por para se të merrte detyrën u vra në një shpërthim masiv në Bejrutin lindor. Vëllai i tij, Amin, e zëvendësoi dhe nën udhëheqjen e tij dhe me përfshirjen dhe inkurajimin aktiv amerikan, në maj 1983 Libani dhe Izraeli firmosën një marrëveshje për vendosjen e marrëdhënieve normale dypalëshe.

Përballë kundërshtimeve të forta, qeveria ra pas pak muajsh dhe shumë shpejt marrëveshja u shfuqizua. SHBA, e cila kishte vendosur trupa në Bejrut pas masakrave të shtatorit 1982 në Sabra-Shatila, u tërhoq pasi ambasada e saj u bombardua dy herë, e ndjekur nga marinsat amerikanë dhe kazermat e ushtrisë franceze në tetor 1983. Lufta civile libaneze shpërtheu sërish dhe vendi u ndez për më shumë se gjashtë vjet.

Lexo po ashtu:  Talebanët që shembën Teatrin, tani do t’i paguajmë 36 milionë euro.

Forcat siriane, të cilat kishin hyrë në Liban në vitin 1976 si një “forcë parandaluese” nën një mandat të Ligës Arabe, nuk u larguan deri në vitin 2005, pas vrasjes së ish-kryeministrit Rafiq Al-Hariri.

Ndoshta rezultati më domethënës i pushtimit izraelit të vitit 1982 ishte lindja e Hezbollahut, i cili vazhdoi të zhvillonte një luftë të pamëshirshme guerilase, që e detyroi Izraelin të tërhiqej në mënyrë të njëanshme nga Libani jugor – hera e parë dhe e vetme kur një forcë ushtarake arabe e detyroi Izraelin të tërhiqej nga toka arabe.

Ky grup i ri, me ndihmën e Iranit, doli të ishte shumë më i rrezikshëm dhe më efektiv se militantët palestinezë që Izraeli i kishte dëbuar me sukses. Hezbollahu vazhdoi të luftonte Izraelin deri në në luftën e vitit 2006, dhe në vitet në vijim vetëm u forcua, me ndihmën e konsiderueshme iraniane.

Sot Hezbollahu është i gjymtuar dhe në kaos, qartësisht i infiltruar nga shërbimi i fshehtë izraelit – por prapëseprapë, do të ishte e parakohshme të shkruhej epitafi i tij.

Përtej Libanit dhe Izraelit, ekziston shembulli i pushtimit të Irakut i udhëhequr nga SHBA në vitin 2003, një mësim historik për mendjemadhësinë e shpenguar. Ndërsa ushtria irakiane u shkatërrua dhe trupat amerikane rendën në Bagdad, administrata e George W. Bushit, pati fantazinë se rënia e Sadam Huseinit do të çonte në rrëzimin e regjimeve në Teheran dhe Damask dhe do të ndizte një lulëzim të demokracive liberale në të gjithë rajonin.

Lexo po ashtu:  Andi Bushati: Idiotët e dobishëm kundër Albinit

Në vend të kësaj, pushtimi i Irakut nga SHBA u shndërrua në një banjë gjaku të dhunës sektare, në të cilën SHBA pagoi shtrenjtë me gjak dhe para. Vrasja e Sadam Hussainit i lejoi Iranit të përhapte ndikimin e tij në zemër të establishmentit politik në Bagdad.

Al-Kaeda, e shkatërruar nga pushtimi i Afganistanit u rilind në trekëndëshin sunit të Irakut dhe përfundimisht u shndërrua në Shtetin Islamik në Siri dhe Irak.

Ndërsa po shkruaj këtë analizë, shoh tym që ngrihet nga të gjithë periferitë jugore të shkatërruara të Bejrutit dhe kujtoj fjalët e sekretares së shtetit të SHBA-së, Condoleezza Rice, e cila, gjatë luftës Izrael-Hezbollah të vitit 2006, tha se të gjitha gjakderdhjet dhe shkatërrimet që po shihnim atëherë ishin “dhimbjet e lindjes së Lindjes së Mesme të re.”

Kujdes nga ata që premtojnë një agim të ri, lindjen e një Lindje të Mesme të re, një ekuilibër të ri fuqish në rajon. Libani është një mikrokozmos i gjithçkaje që mund të shkojë keq. Është vendi i pasojave të padëshiruara. / CNN