Nga Kim Mehmeti

Albin Kurti sot nuk e ka të lehtë, sepse përballë vetes nuk i ka vetëm luftënxitësit që e drejtojnë Serbinë, por edhe ‘paqendërtuesit’ shqiptarë që tani përballen me të shkuarën e vet të turpshme, gjatë së cilës, nuk ndërtoni shtet, por vila e shtëpi të shtrenjta për vetveten.

Kryeministri i Kosovës sot është duke ndërmarrë atë që duhej ta bënin burrështetasit e mëparshëm të korruptuar të vendit: njëherë e përgjithmonë të qartësonin nëse Kosova është shtet i pavarur me kryeqendër Prishtinë, apo një protektorat i Serbisë.

Andaj të vjen për të vjellë kur sheh se edhe në këto rrethana, ka politikanë e ‘mendjehapur’ shqiptarë që i kritikojnë veprimet e Kurtit, e të cilët dekada me radhë nuk vepruan, por duke iu nënshtruar Beogradit, vetëm përfituan dhe të cilët, për ta mbuluar të shkuarën e vetë poshtëruese, thuajse më shumë e dëshirojnë dështimin e Albin Kurtit, se sa demaskimin e Beogradit luftëndjellës.

Dhe tani, kur aeroplanët serb e kërcënojnë Kosovën, ne shqiptarët mund për shumëçka të mos pajtohemi mes vetë, por jo edhe për atë se Kosova sot përballet me atë që duhej të përballej që dje, pra ajo përballet me atë që nëse do e shmangte sot do duhej ta bënte nesër: ta shpërfaqë të vërtetën se Serbia dinë të nxitë luftë, por jo edhe të ndërtojë paqe si dhe, ta shpalosë të vërtetën se mjedisi i natyrshëm i burrështetasve të sotëm serb është lufta, e jo paqja!

Lexo po ashtu:  VOA/ “Statuti i ri, u miratua pa iu nënshtruar asnjë lloj debati”, Kuvendi i Berishës, votohet pro shkarkimit të kryetarit të PD

Andaj nëse Beogradi ka vendosur të mbetet atë që ka qenë – kryeqendra e luftërave të reja ndërkombëtare – atëherë, sado paqësorë qofshim, ne s’kemi si e pengojmë këtë. Dhe kjo neve mund të na përballë vetëm me dy zgjidhje: o ta braktisim Kurtin e t’i përkulemi Vuçiqit, ose të dëshmojmë se meritojmë atdhe e shtet!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *