T’m’u bësh të fala edhe gurëve të Veleshtës;
T’m’u bësh të fala e t’i përqafosh.
S’u çmalla kurrë me ta.
Njëherë burgu, pastaj mërgimi.
Kështu fliste Zijadini.

T’m’u bësh të fala edhe gurëve të Veleshtës
e të m’i përqafosh si unë ty. Kështu.
Kam një jetë pa i parë.
Andej burgu, këndej mërgimi.
Kështu flise Zijadini.

Çdo natë i shoh në ëndërr Rrapat
Vakufet, pleqtë, Varret
e meranë te Drini.
(I mjeri unë i mjeri!)
Kështu fliste Zijadini.

T’m’u bësh të fala edhe gurëve (për njerëzit as mos pyet!)
Edhe gurëve… gurëve… gurëve…
Kështu fliste Zijadini
në aeroportin John Fitzgerald Kennedy
në Nju-Jork. Atë ditë gushti.

Druaja se avioni mund ta bartë gjithë atë mall;
druaja se do të kallej PAN-AM-i mbi Atlantik.
Kisha frikë… frikë kisha… frikë…
Good-bye, Amerikë!

/Agim Vinca/

Lexo po ashtu:  Turk, Elhamdulila - "Fenë me kombësi e njisoi, Muslim e turk- s’ka da. Deshti edhe emnin t’na harroi: - Je turk, elhamdulila!"

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *