Kjo do duhej të ishte “gozhda e fundit në arkivolin e tij politik”
Gëzim Mekuli
Nëse vlerësoni gazetarinë tonë të pavarur, na mbështetni me një "kafe" simbolike për të mbajtur Mekuli Press të lirë nga çdo ndikim!
☕ Mbështete sot MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptareNë këtë kohë zgjedhjesh, ku tensionet janë rritur dhe përçarja po na prekë të gjithëve, ngjarja e fundit në Skenderaj është një alarm i rëndë për të gjithë ne. Kur në pikë të ditës, në kafene e në sokaqet e qytetëzes, grushtat dhe ofendimet zënë vendin e fjalës dhe të bisedës, kjo tregon se kemi rënë në një nivel që nuk na nderon dhe që po e dëmton rëndë shoqërinë tonë, marrëdhënjet tona në mes njeri-tjetrit dhe politikën tonë, natyrisht.
Të nderuar,

Në këto momente, të reagoni me emocione dhe me gjuhë të ashpër e të ulët është gabimi më i madh, sepse dhuna sjell dhunën. Nuk duhet të harrojmë se tensionet tona të brendshme dhe hallakamen janë pikërisht ato që Serbia e moçme, analistët dhe mediat e saj po presin me padurim që t’i shohin mes nesh; për të na vizatuar para dynjasë si një vend i egër, vend që nuk bëhet e me njerëz primitiv. Prandaj, sot kërkohet qetësi, maturi dhe vetëpërmbajtje absolute nga çdo qytetar, gazetar dhe politikan; ta ruajmë gjakftohtësinë dhe ta mbrojmë Kosovën tonë nga banditët duke mos rënë pre e provokimeve të tyre që synojnë të na përçajnë.
Të dashur,
edhe njëherë ju bëjë thirrje për urtësi, për kujdes me gjuhën, kujdes me tekstin, pjekuri dhe vetëpërmbajtje; ta ruajmë qetësinë dhe ta shndërrojmë këtë dhunë të “njeriut të fortë” në një fitore të qytetërimit shqiptar, sepse çdo grusht i hedhur ndaj njëri-tjetrit, çdo pikë gjaku në trupin e njëri-tjetrit është plumb i shkrepur vetëdijshëm kundër të ardhmes së Kosovës dhe qenies sonë shqiptare.
Konsekuent deri në fund: Fjala, fotografia dhe kallashnikovi janë armë të rrezikshme, mos luani me to, aman!
