Më 21 janar të vitit 1920 nisi zyrtarisht punimet Kongresi i Lushnjës, një nga kuvendet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Qëllimi i mbajtjes së Kongresit të Lushnjës ishte mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbja e shtetit shqiptar dhe sigurimi i pavarësisë së tij.

Pjesëmarrës në kongres ishin 50 përfaqësues nga pjesa më e madhe e krahinave të shtetit shqiptar. Data 21 janar ishte çelja zyrtare e kongresit, ndërsa punimet e tij u zhvilluan nga 28-31 janar 1920.

Kongresi i Lushnjës hodhi poshtë planet e Konferencës së Paqes në Paris dhe u shpreh për mbrojtjen me çdo kusht të tërësisë dhe të pavarësisë së plotë të shtetit shqiptar në kufijtë e vendosur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në 1913.

Gjatë punimeve të tij u miratua një akt kushtetues, në të cilin ripohohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptar. Ai zgjodhi organet më të larta të shtetit shqiptar si Këshillin e Lartë të përbërë nga katër vetë, i cili do të kryente detyrën e kryetarit të shtetit deri sa të caktohej forma përfundimtare e regjimit. U krijua Këshilli Kombëtar i përbërë nga 37 përfaqësues, i cili do të kryente funksionet e parlamentit shqiptar. Kongresi i Lushnjës me shumicë votash rrëzoi Qeverinë e Durrësit dhe zgjodhi një qeveri të re kombëtare të drejtuar nga Sulejman Delvina./atsh/MekuliPress/

Lexo po ashtu:  Letra e ushtarit të UÇK-së, shkruar pak çaste para se të vritej: “O Zot të lutem ndihmona. I lutem pronarit të shtëpisë në qoftë se vdes, kjo letër të shkoj tek fëmijët e mi