Me seancë solemne në Kuvendin e Kosovës, është shënuar 31-vjetori i miratimit të deklaratës kushtetuese të 2 Korrikut të vitit 1990. Delegatët e Kuvendit të atëhershëm u kujtuan të guximshëm e me vlera të larta kombëtare, për të cilët u tha se e realizuan vullneti ne popullit të Kosovës për liri.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se delegatët e Kuvendit të atëhershëm vendosën për një të drejtë historike, që ishte mohuar për popullin e Kosovës me dekada të tëra.

“Themelet e shtetit tonë qëndrojnë fuqishëm mbi vendimin tuaj për ta refuzuar dhunën dhe për t’i përfaqësuar vlerat e lirisë nëpërmjet deklaratës së 2 Korrikut. Të nderuar deputetë, të dashur delegatë të 2 Korrikut, të dashur qytetar, sot Kosova është vend i lirë dhe sovran në kufijtë e 17 Shkurtit dhe i tillë do të qëndrojë përgjithmonë. I njohur ndërkombëtarisht tashmë nga shumica e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, i orientuar qartë drejt integrimit euroatlantik, e në miqësi të përhershëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe me vendet e kombet e lira evropiane, ajo po e forcon çdo ditë e më shumë subjektivitetin e saj ndërkombëtar mbi po këto parime dhe duke i ruajtur këto miqësi”, tha presidentja Osmani.

Lexo po ashtu:  1953 në Beograd, shqiptarët e mjeruar e izoluar

Ajo tha se deklarata kushtetuese e 2 Korrikut e ka artikuluar vullnetin e qytetarëve të Kosovës për liri, në një moment kthese të madhe historike.

“Si përfaqësuese e uniteti të popullit, duke njohur dhe respektuar skajshmërish kontributin e delegatëve të atëhershëm, do të vazhdoj t’i bëjë thirrje gjithë secilit institucion të vendit, e secilit përfaqësues politik që veprimet politike t’i mbështes pikërisht në shembullin e dhënë nga këta delegatë, në shembullin e dhënë nga legjislatura e atëhershme e këtij Kuvendi, të cilët artikuluan qartë vullnetin e qytetarëve dhe ishin zë i tyre, por edhe e rivendosën orientimin tonë strategjik gjithnjë të bashkuar rreth kauzës së lirisë”, tha Osmani.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se miratimi i deklaratës kushtetuese në atë kohë ishte akti më i guximshëm i përfaqësuesve të popullit.

Ai përmendi luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt të vitit 2008, për të cilën tha se i ka rrënjët në 2 Korrikun e vitit 1990.

“Këto fakte, të nderuar deputetë, zonja dhe zotërinj duhet të na e kujtojnë se sa e gjatë, sa e vështirë, sa e mundimshme ishte përpjekja jonë për liri, për pavarësi, dhe për sovranitet. Ishte një punë titanike e plot e plot brezave e mbushur me sakrifica të panumërta, gjatë të cilave një popull i tërë nuk kurseu asgjë për t’u çliruar. Lufta e drejtë çlirimtare e popullit tonë liridashës dhe rënia e dëshmorëve dhe martirëve ja dhënë vulën lirisë sonë, mbi të cilën nuk ka më kompromise të mëtutjeshme. Këto arritje janë pasuria jonë më e madhe që e kemi dhe që do të ua lëmë prapa fëmijëve tanë. Andaj duhet t’i ruajmë dhe mbrojmë këto arritje që i kemi bërë me çdo kusht”, ka thënë Konjufca.

Lexo po ashtu:  Letrat e Jeronim De Radës për inteligjencën shqiptare

Në seancën solemne për të shënuar 31-vjetorin e deklaratës kushtetuese, Ilaz Ramjli, që ishte kryetar i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e vitit 1990, tha se deklarata kushtetuese është hapi i parë drejt pavarësisë së Kosovës, për të cilën tha se u ndërtua me lëvizjen paqësore për çlirim dhe kulmoi me luftën e drejtë të UÇK-së.

“Para 31 vitesh në këtë ditë të gjithë delegatë me kohë kishin ardhur për mbledhjen e Kuvendit e cila ishte caktuar rregullisht, por dyert e Kuvendit ishin mbyllur me urdhër të kryetarit të atëhershëm të Kuvendit, dhe të gjitha hapësirat e Kuvendit dhe organeve të tjera qeveritare në këtë ndërtesë ishin vendosur nën kontroll të plotë të njësive të policisë serbe e cila vepronte në kuadër të policisë federale të instaluar në Kosovë, në Kosovën e atyre ditëve të trazuara. Përkundër mbylljes së dyerve të Kuvendit, delegatët si e dini tanimë, duke qenë të vendosur për të çuar në vend vullnetin politik të popullit të Kosovës, para dyerve të ndërtesës së Kuvendit, nën qiellin e hapur e mbajtën mbledhjen e 2 Korrikut dhe shpallën deklaratën kushtetuese”, tha ai.

Lexo po ashtu:  Lufta e Stalinit: Një libër dhe një e dhënë historike që vjen si paralajmërim për Europën

Më 2 korrik të vitit 1990, delegatët e Kuvendit të Kosovës, në rrethana të shtetrrethimit policor e ushtarak serb, para dyerve të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, miratuan një nga dokumentet historike kushtetuese për statusin e ardhshëm politik të Kosovës: Deklaratën kushtetuese për Kosovën, njësi e pavarur në kuadër të ish-Federatës së atëhershme të Jugosllavisë.

Në mbledhjen solemne të Kuvendit të Kosovës u shfaqë edhe një fragment nga filmi dokumentar me titull “Projektuesi i subjektivitetit shtetëror të Kosovës”, i autorit Nuhi Bytyçi.

Gjithashtu, u bë zbulimi i një pllake para Kuvendit të Kosovës, në vendin ku është shpallur deklarata kushtetuese.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *