Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka njoftuar se tarifa 100 për qind ndaj mallrave serbe do të vazhdojë të mbetet në fuqi deri sa të merret një vendim i ri nga Qeveria, saktësisht nga koalicioni qeverisës.

Kurti në një konferencë për media pas mbledhjes së Komisionit të posaçëm për parandalimin e coronavirusit në pyetjet e gazetarëve lidhur me taksën tha se në mungesë të një vendimi, gjithçka vazhdon, pra mbetet taksa 100 për qind.

“Në mungesë të një vendimi të qeverisë që do të vinte nga propozimi, gjithçka vazhdon sikur ka qenë deri më tash, pra ngelet taksa 100 për qind… Unë besoj që më së miri do të ishte që ta kishim zbutur këtë situatë, me një gjest të vullnetit të mirë të bërë vendim qeveritar, për ta hequr taksën në lëndën e parë që iu nevojitet prodhuesve tanë, por jemi këtu ku jemi, dhe përderisa nuk kemi një konsensus për një vendim të ri, ngelet ai i vjetri”, u shpreh kryeministri i vendit.

Sipas tij, sapo të ketë një pajtim me LDK-në për tarifën, atëherë Qeveria do të merr vendim.

Ndryshe, Lutfi Haziri nga LDK-ja në një intervistë ka thënë se partneri kryesor i LVV-së në qeveri, Lidhja Demokratike e Kosovës është për largimin e kësaj takse sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, proceset nuk janë të lehta sikur kjo për largimin e tarifës, por siç tha se kjo nuk ka qenë politikë as e LDK-së as e Vetëvendosjes dhe nuk ka nevojë me shkaktu nervozë dhe tensione në raportet e tyre.