Atdhetari i shquar i popullit shqiptar Abdyl Frashëri i drejtohet redaksisë së “Moniteur Universale” të Parisit me një artikull, i cili u botua në këtë gazetë në maj të vitit 1879.

“Zoti redaktor.
Artikullit të botuar në gazetën “Republika Franceze” nuk i dhamë asnjë përgjigjeje, sepse një sjellje të tillë fare pak e pritnim prej një gazete që simpatizon luftën e kombësive. Franca qan gjithmonë humbjen e krahinave të saj. Banorët e Alsasës dhe të Lorenës rënkojnë kur kujtojnë privimin e kombësisë së tyre. Përse një gazetë franceze i quan qesharak shqiptarët, të cilët përpiqen të evitojnë rrezikun e një fatkeqësie të tillë. Nuk jemi savantë dhe as pretendojmë për të, por historinë e atdheut tonë e kemi studiuar dhe e dimë më mirë se kushdo tjetër.

Banorët e Epirit i quajnë Pellazgë. Herodoti, Tukiditi dhe Straboni dalin me konkluzione se ky vend nuk ka pjesë të Greqisë. Sipas Strabonit, Greqia nga Veriu kufizohet prej Akarnanisë dhe gjirit të Ambrakisë. Pasi gjeografia e lashtë greke nuk u vjen në ndihmë grekëve të sotëm, po pyesim ata që kanë mendime të kundërta, se cila pjesë e Epirit është greke? Ai që pranon argumentet e sillogëve grekë do të besojë se Greqisë nuk i përket vetëm Shqipëria, por edhe Maqedonia, Thrakia, Rumania, Azia e Vogël, etj. Sipas vendeve të Greqisë së Madhe edhe Marseja e juaj i takon asaj! Epiri ka 650 mijë banorë. Sa janë vallë grekët që ndodhen në të dhe ku banojnë? Në Korçë? Në Berat? Në Gjirokastër? Apo në Çamëri? Ai që kalon nëpër këto vende takon vetëm epirotë shqiptarë, jo epirotë grekë. Do të sakrifikoheshin pra 650 mijë shqiptarë për të ngopuri lakmitë e sillogëve greke dhe lëvizjet artificiale të tyre?… Sjellja e tanishme e Greqisë dëshmon se ajo ka ndërmend të imitojë Rusinë. Por kjo (Rusia) i përkrah pretendimet e saj me anë të forcës, e cila për fat të mirë i mungon Greqisë. Sikur të ishin grekët aq të fortë sa tregohen, në fakt janë vetëm miq të zhurmës, Evropa nuk do të kishte kurrë qetësi. Parimi i ngjashmërisë në gjuhë do ta shpinte Greqinë shumë larg, por në radhë të parë do të na jepej neve e drejta të kërkojmë nga grekët 200 mijë shqiptarë që banojnë në një lagje të veçuar të Athinës të quajtur PLAKË dhe krejt ishujt Hidra dhe Speca. Epiri është dhe do mbetet gjithmonë shqiptar, ashtu si e krijoi natyra dhe historia.

Lexo po ashtu:  Telegramet historike të Fan Nolit, - Grekët dhe serbët po bëjnë mizorinë

Mëkat që qeveria greke shpenzon për sillogjet shuma të majme, të cilat mund të përdoren në mënyrë më të arsyeshme. Ajo përpiqet të zgjasë një rrenë, e cila s’ka për të mashtruar asnjë evropian. Po të ngulë këmbë Greqia në aspiratat e lakmitë e saj të pangopura, të cilat i kundërvihen drejtësisë dhe të drejtës së kombeve, shqiptarët kanë vullnet të patundur që të mbrojnë atdheun e tyre deri në fund dhe janë betuar të mos lëshojnë asnjë pëllëmbë toke dhe të vdesin për të po të jetë nevoja. Këtu manifestojmë mendimin e të gjithë bashkatdhetarëve tanë.

Evropa nuk do të marrë përgjegjësinë e luftërave shkatërrimtare që do të inaugurohen për aneksimin e shëmtuar të tokave tona nga Greqia”. (98 Moniteur Universale”, Paris maj 1879).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *