Në letrën e tij të hapur dërguar në adresë të Esat Pashë Toptanit, e cila asokohe u botua nga gazeta “Përlindja e Shqipniës”, nën titullin “Kini kohë”, patrioti i famshëm, Mihal Grameno, i shkruante: “Pasha, kur gjithë Shqipëria u shkel nga armiqtë e kombit t’onë. Shqiptarët nuk humbën shpresën e guximin për të mos poshtëruar para atyrevet që pa ndonjë kundërshtim shkelët atdhenë. Edhe ketë e detyrojmë në luftëtarët Shqiptarë të Shkodrës, të cilët luftonin dhe luftuan gjer në funt burrërrisht nënë kumandë të Zotërisë sate.
Nuk e dini Pasha me sa gëzim, me sa zemër edhe me sa lutje në qiell, luteshin tek i madhi Zot për juve dhe për ushtarët që komandonit. Për çdo Shqiptar ju kishit mbetur e vetmja shpresë për kombin, andaj besonin që Shkodra ishte e vetmja në duheshe të rronjë një Shqipëri, ose ishte e dënuar të vdesë. Të lumtur pra provuat që Shqipëria duhet të rronjë. Luftove Pasha me dragonjtë e Shqipërisë, u dhe dërmën anmiqëvet dhe nderove kombin tenët, nderove Shqipërinë dhe nderove emrin e Skënderbeut! M’i madh pagim për një luftëtar, as që munt të bëhet edhe as që është bërë kurrë!
Vërtet Shqipëria nuku mundi t’u kurorzonjë me kurorën e artë, nga shkaku që ishte e shkelur nga armiqtë, po ajo e ruante atë kurorë dhe, kur të vinte ajo ditë e lumtur, do t’u kurorëzonte si duheshe, duke thënë gjithë Shqipërisë, cili është Esat Pashë Toptani! Pasha, dridhem nga turpi dhe do të dridhem gjith bijtë e Shqipërisë paskëtaj, po të jetë vërtetë që kërkoni të shkelni me këmbë fitimet e mëdha që munt t’i fitoni në luftë. Dridhen dhe do të dridhen të gjithë Shqiptarët, kur të mësojnë vërtet që Esad Pasha, pas këtij nderi të math, u tregua armik i Shqipërisë, duke dëshiruar humbjen e saj. Mendohuni Pasha se është e kotë.
Nuk do t’u kujtojmë gabimet e pandiera, po të shkuarat, po do t’u kujtojmë sa gabime bëni sot, kur Shqipëria nuku është kufizuar dhe ndodhet në më të madhin rrezik, duke kërkuar të sillni grindje dhe përçarje. Shqipëria u emërojti Ministër të Brendshëm, megjithë që të ish tjatër, nuk e pranonte për nder të trimërisë, duke ndejur larg luftës politike, po Z. Juaj pas shumë të vërtitura e pranuat dhe muart frenë në dorë. Gjithë Shqipëria u gëzua duke besuar që edhe Shqiptarët kryetarë, dinë të apin dorën, përpara rrezikut të atdheut dhe çdo re nuk mund të trubullojë qiellin. Besuan Shqiptarët që Esad Pashë Toptani është bir i Shqipërisë edhe ay i vërteti, domethënë kushëriri i Refik beut edhe i Mazar beut edhe i Abdi beut Toptanit, po mjerisht u gënjye ose e gënjyen! I shkeli me këmbë të gjitha ato nderime, të cilat as me gjysmën e kësaj bote nuk fitohen!
Pasha, Shqipëria kurrë nuk munt të harrojë shërbimet e nderimet që i dhatë Juve, në qoftë se do të pendohi për udhën e shtrembër q’u kanë shtenë, andaj, nderi i Zotërisë Juaj, kërkon që të qëndroni atje ku kombi u nderoji, se tjatërsoj do të turpërohi! Mos dëgjoni Pasha egoistët dhe gënjeshtarët, mos dëgjoni armiqtë e kombit, po dëgjoni zërin e atdheut që ndodhet në rrezik! Nderi yt Pasha, e kërkon këtë që të mos turpërosh emrin dhe oxhakun tënd! Pasha, tinë e din fort mirë që Shqipëria do të bëhet domosdo, po mos u bëj shkak të nxish emrin!
Shqipëria Pasha do të bëhet për Shqiptarët gjithë, të Krishterë dhe Muhamedanë, edhe e di fort bukur, që s’bëhet Turqi e vogël, andaj ta kesh për detyrë t’u tregosh të tjerëve që duhet të bëhen Shqiptarë e të duan Shqipërinë, e jo siç tregoji armiku i saj. Miqtë q’u rrethojnë do të kishin për shembull po të qëndronin kundra armiqve, Serbë dhe Grekë, që na turpëruan dhe na rrahnë si gomarët, po për fat të zi atë trimëri, që të mos thomi djallëzi, e përdorin për kombin e vet! Mos dëgjoni Pasha ata që kurrë s’janë menduar për të mirën e atdheut, po vetëm për veten e tyre, se ata nuk dinë ç’është atdhe! Mbaronj Pasha, duke u lutur të pendoni sa kini kohë!
Vlorë
Mihal Grameno