Pjesa e pestë e librit “Të vërtetat e vonuara”, nga akademik Rexhep Qosja, këtu, në MekuliPress:

Letrarësia dhe pavarësia?

9. Njëri ndër reaguesit e parë në polemikën midis Ismail Kadaresë dhe meje do të thotë, ndoshta për të thënë se sa e paktë, e parëndësishme është vepra ime kritike, eseistike, historike-letrare, letrare në krahasim me atë të Ismail Kadaresë se që prej vitit 1980 nuk merrem me kritikë e me krijimtari letrare e shkencore! Kritika e literaritetit, thotë ai, që ka filluar të zhvillohet përafërsisht në atë kohë, më ka nxjerrë prej radhëve të kritikëve dhe, në përgjithësi, të studiuesve të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare. Meqë isha marrë me studime sociologjike letrare, thotë ai, nuk do të jem në gjendje t’u bashkohem radhëve të letrarësiologëve!

Harron të thotë ai, ndërkaq, se letrarësisë unë i thoja vlerë estetike dhe me studimin e vlerave estetike të letërsisë shqipe isha marrë para se vlerat estetike të pagëzoheshin letrarësi!

Pohimi i këtillë pjell përfundimin se veprat e mia Nocione të reja albanologjike , botuar më 1983, Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi, në tri vëllime, botuar më 1984 – 1986, Porosia e madhe (monografi për Naim Frashërin), e botuar në vitin 1986 e të tjera, të botuara pas vitit 1980, pra, pas atij viti kur kritika mbi letrarësinë më paska nxjerrë nga studimi i letërsisë shqipe, i paska shkruar kloni i Rexhep Qosjes! Në qoftë se ky reagues ndaj polemikës midis Ismail Kadaresë dhe Rexhep Qosjes nuk arrin ta përcaktojë as përafërsisht me saktësi vitin kur qenkam bërë hallall me letërsinë, me kritikën, me eseistikën dhe me studimin historik të letërsisë, (sado do të mund ta bënte këtë po të shikonte kronologjinë e veprave të mia që e boton rregullisht Shtëpia botuese TOENA në kopertinat e botimeve të Rexhep Qosjes), ai thotë të vërtetën kur pohon se pas atij viti unë, vërtet, kam filluar të merrem shumë me shkrime politike, me publicistikë dhe me politikë. Në vend se letrarësisë, vërtet, u jam kushtuar shkrimeve politike dhe publicistike gjithnjë duke besuar se këto shkrime nuk do të jenë një punë e kotë. Më ishte mbushur mendja se shumë më të rëndësishme se një varg shkrimesh apo, madje, veprash për letrarësinë e, sidomos, për letrarësinë e veprave që kanë pak letrarësi, do të jenë pavarësia e Kosovës dhe demokracia e Shqipërisë dhe e Kosovës. Më ishte mbushur mendja, oh sa gabueshëm, se, si e thonë teorikë dhe estetë bashkëkohorë, edhe publicistika mund të ketë vlera letrare, kur e kur më shumë, madje, se disa vjersha, drama, tregime a romane.

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

E pse më ishte mbushur mendja se më e rëndësishme se të merresha me studime të letërsisë e të bëhesha “letrarësiolog”, ishte të merresha me shkrime politike dhe publicistike?

Dhuna gjithnjë e më e madhe dhe gjithnjë e më e përshtrirë e Serbisë dhe e Jugosllavisë mbi popullin shqiptar në Kosovë, në Maqedoni dhe kudo jetonin pjesëtarë të tij në republikat ish-jugosllave; shkrimet gjithnjë e më të shumta të shkrimtarëve e të intelektualëve të tjerë serbë, maqedonas e, kur e kur malazez, kundër shqiptarëve, në të cilat aq shumë shtrembërohej, falsifikohej e vërteta për historinë dhe kulturën shqiptare, me të cilat në të vërtetë nënçmoheshin historia dhe kultura shqiptare, interesi historik për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe të çështjes shqiptare në tërësi, ideali i çlirimit nga sovraniteti sllav – të gjitha këto do të më shtyjnë që të mos u bashkohesha letrarësiologëve, të lija përkohësisht kritikën letrare, historinë e letërsisë, dramën dhe prozën e t’u kushtohem shkrimeve politike dhe publicistikës! Fryt i parë i kësaj pune publicistike do të jetë vepra Populli i ndaluar, në të cilën ishte përmbledhur pjesa më e madhe e shkrimeve në të cilat i kundërqëndroja politikës serbo-jugosllave ndaj shqiptarëve, në të cilat tregoheshin të gjitha llojet e dhunës shtetërore ndaj shqiptarëve, në të cilat çmaskohej shovinizmi intelektual serbo-maqedonas ndaj shqiptarëve dhe, njëkohësisht, tregohej se çka, dëshironin shqiptarët, si e shihnin ardhmërinë e tyre ata. Dhe, sidomos, çka pashmangshëm, iu takon si e drejtë natyrore dhe historike atyre. Dhe, këtë vepër do të detyrohem ta botoj në Zagreb, sepse jugosllavistët tanë nuk kishin lejuar të botohej në Kosovë.

Po, me shkrime politike e publicistike do të shtrëngohem të merrem edhe më tutje.

Përpos kundër dhunës shtetërore serbe e maqedonase, përpos kundër ideologjisë kundërshqiptare që predikonin intelektualë serbë, maqedonas e malazez, do të shtrëngohem të shkruaj edhe kundër politikës së atyre partive tona që thoshin se po ndërtojnë rend demokratik nën dhunën serbe.

Dhe, jo vetëm kaq.

Do të shtrëngohem të shkruaj edhe kundër politikës së kryetarit të atëhershëm të Shqipërisë, Sali Berisha, i cili të drejtat e shqiptarëve në Kosovë herë i rrëgjonte në të drejta njerëzore dhe kulturore e herë i përparonte në një autonomi shumë më të kufizuar se autonomia e vitit 1974 në kuadrin e Serbisë.

Do të detyrohem të shkruajë kundër kryetarit të Shqipërisë, Sali Berisha, i cili vazhdonte ta furnizonte me naftë Jugosllavinë e mbetur (Serbia dhe Mali i Zi), që ishte vënë në bllokadë ekonomike nga bashkësia ndërkombëtare!

Do të detyrohem të shkruaj kundër politikës së kryetarit të Shqipërisë, i cili ideologjinë e qëndresës vepruese, domethënë ideologjinë e luftës çlirimtare, që do të frymëzojë krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e quante ideologji të terrorizmit, kurse mua personalisht, “ideolog të terrorizmit shqiptar”. Si do të mësoj më vonë, kur do të shkoj në Strasburg e në Uashington, në delegacionet e Kosovës, shumë prej këtyre shkrimeve publicistike për gjendjen dhe synimet e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, pavarësisht pse kryetari Sali Berisha më kishte shpallur ideolog të terrorizmit, ishin përkthyer në kancelaritë amerikane dhe evropiane.

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Në këtë kohë, kur shkrimtari Ismail Kadare vazhdonte në Paris të merrej me letërsi, por edhe të pezmatonte shqiptarët e besimit mysliman me deklarata kundërmyslimane e të predikonte kthimin në fenë e të parëve, në krishterimin, Rexhep Qosja vazhdonte të merrej me shkrime politike e publicistike duke bërë beteja intelektuale për trajtimin evropian të çështjes shqiptare, për pavarësinë e Kosovës, për demokracinë e Shqipërisë e të Kosovës, për fatin evropian të popullit shqiptar në përgjithësi dhe duke pritur çdo natë policët serbë që do ta çonin atje prej nga nuk mund të dinte kur do të kthehej dhe a do të kthehej fare. Ç’kishte atëherë më rëndësi për Kosovën e për Shqipërinë; për demokracinë në Kosovë e në Shqipëri; për evropianitetin e Kosovës e të Shqipërisë – studimi i letrarësisë apo publicistika në fjalë – le ta thotë reaguesi që merret me kronologjinë e punës sime.

Kryeministri i gjithkundshëm

Nuk kam pritur, nuk kam pritur sidomos mbasi më kishte shpallur “ideolog të terrorizmit shqiptar” se ish-kryetari i Shqipërisë, Sali Berisha, do të merret rishtazi me mua. Dhe, nuk kam pritur, nuk kam pritur dhe as në ëndërr nuk kam parë, se Sali Berisha do të merret prapë me mua, tani në cilësinë e kryeministrit të Shqipërisë. Por, si e ka thënë shkrimtari i njohur anglez, Gream Grin, në Ballkan janë të mundshme të papriturat më të paimagjinueshme! Në Ballkan është e mundshme të imagjinohen kentaurë dhe të lindin Drakulla! Në Ballkan dhe vetëm në Ballkan është e mundshme që një ish-kryetar, i cili me politikën e tij ekstremisht të djathtë, e kishte çuar vendin te pragu, madje, pak përtej pragut, të luftës qytetare, i cili me politikën e tij ekstremisht të djathtë i kishte sjellë vendit shumë viktima dhe shumë shkatërrime materiale, i cili me politikën e tij ekstremisht të djathtë, e kishte futur vendin në aventurën financiare të piramidave, i cili gjatë politikës së tij kishte shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe në atë gjendje të jashtëzakonshme ishte rizgjedhur kryetar, i cili, për shkak të asaj politike, me aso pasojash politike, ekonomike, shoqërore dhe morale, ishte përmbysur me revolucion të vonuar demokratik (ashtu siç u përmbysën Shevarnadze në Gruzi dhe Janukoviç në Ukrainë), në Ballkan, pra, dhe vetëm në Ballkan është e mundshme që një ish-kryetar i tillë të rikthehet në politikë dhe të rikthehet, madje, si kryeministër. Dhe, në Ballkan dhe vetëm në Ballkan është e mundshme që një ish-kryetar i tillë të gëzojë përkrahjen, madje, përkrahjen servile, të shkrimtarit që ende festohet si shkrimtar i parë kombëtar, madje, si shkrimtar botëror! Thashë në Ballkan e do të duhej të thuhej: te ne, dhe vetëm te ne! Se vetëm te ne është e mundshme që një ish-kryetar i përmbysur nga pushteti për arsyet për të cilat ishte përmbysur Sali Berisha të rikthehet në pushtet si kryeministër. Thashë në Ballkan e do të duhej të thuhej: te ne, dhe vetëm te ne. Se, vetëm te ne është e mundshme që një shkrimtar, i cili i ka shërbyer diktaturës, pavarësisht si quhet ajo, në mënyrat politike, ideologjike, teorike dhe letrare siç i ka shërbyer Ismail Kadare diktaturës komuniste, të kthehet ngadhënjimtar edhe në demokraci dhe të bëhet mësues i papërgjegjësisë intelektuale dhe morale si në kohën e komunizmit.

Nuk iu deshën as nëntë muaj në pushtet, por tani i rikthyer si kryeministër, dhe Sali Berisha filloi të merret edhe me vogëlsinë time. Për fatin tim të mirë, kësaj radhe nuk po më quan më terrorist, siç më quante kur ishte kryetar, edhe pse terrorizmi është fjala që në fjalorin e tij dhe të shkrimtarit të tij po zëvendëson fjalën komunizëm dhe, ashtu, është bërë fjalë shumë e leverdishme politikisht dhe fjalë shumë e leverdishme letrarisht për ta. Kësaj radhe ish-kryetari i Shqipërisë, tani kryeministër, më ka caktuar fat më të durueshëm: më trajton vetëm të pabarabartë me shkrimtarin e tij!

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Pse po merret dhe si po merret me mua ish-kryetari, tani kryeministri ynë?

Për një kryeministër, i cili sillet si shumëministër, i cili në vend të ministrit të Mjedisit flet edhe për punë të ujësjellësve e të kanalizimeve, i cili në vend të ministrit të Ekonomisë flet edhe për punë të tatimeve, i cili në vend të ministrit të Arsimit flet edhe për punë të Akademisë së Shkencave, i cili në vend të ministrit të Bujqësisë flet edhe për punë të gripit të pulave të gjora, i cili në vend të ministrit të Turizmit flet edhe për punë të pastrimit të plazheve, i cili në vend të ministrit të Punëve të Jashtme flet edhe për punë të pasaportave, i cili në vend të ministrit të Shëndetësisë flet edhe për prostitucionin, i cili në vend të ministrit të Rendit Publik flet edhe për xhepaxhinjtë, i cili gjatë emisionit të lajmeve në TVSH, që fillojnë në orën 2000, ngjet të paraqitet shtatë herë, duke marrë kur shtatë e kur shtatëmbëdhjetë minuta, një ish-kryetar, tani kryeministër, në të vërtetë shumëministër i tillë është e kuptueshme, madje, e domosdoshme që ta thotë fjalën, që do të çmohet fjalë e fundit, edhe për një polemikë ashtu të nxehtë siç është polemika midis shkrimtarit të tij, Ismail Kadare, i quajtur shkrimtar (politik) botëror dhe shkrimtarit kundër tij, i quajtur lokal, Rexhep Qosja!

Dhe ta thotë jo gjithkund e para gjithkujt, po atje ku do ta dëgjojë gjithë populli: në konferencë me gazetarët.

Nuk flet ku nuk dëgjohet prej të gjithëve ish-kryetari e tani kryeministri ynë.

Si foli dhe çka foli ai në këtë konferencë me gazetarët?

I pyetur, në këtë konferencë të madhe me gazetarët, në të cilën, përpos gazetarëve të të gjithave mediave, ishin edhe këshilltarë, sekretarë, adjutantë e truproja të tij, denjëtarë vendorë e të huaj, dhe të tjerë të ftuar nergut për ta dëgjuar, i pyetur, pra, se çka mendon për polemikën midis Ismail Kadaresë dhe Rexhep Qosjes, ish-kryetari, tani kryeministri ynë, Sali Berisha, që në fillim tha:

“Të jem i sinqertë nuk i kam lexuar ato polemika, sepse nuk mund të barazoj të pabarazueshmen, të pabarabartin, jo nuk i barazoj”.

Pikëçuditje!

Ish-kryetari, tani kryeministri ynë, që në fillim e thotë se është i sinqertë – se sinqeriteti është virtyti i tij i dëshmuar gjithmonë e gjithkund. Në sajë të këtij sinqeriteti ai, më në fund, ishte bërë sekretar i organizatës së Partisë së Punës në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë.

Çka thotë mandej ai në këtë sulm të ri të sinqeritetit?

Thotë se nuk i ka lexuar ato polemika!

Pikëçuditje!

E pse nuk i ka lexuar ato polemika për të cilat nuk ngurron të shfaqë mendim ai?

Nuk i ka lexuar sepse ishte i zënë duke lexuar deklaratën servile të Ismail Kadaresë në pamfletin Pabesia e një polemisti, në të cilën e arsyeton, siç di ai ta arsyetojë, politikën e tij deri në vitin 1997 dhe e dënon, ashtu siç di ai ta dënojë, revolucionin e vonuar demokratik që e përmbysi atë!

Vetëm për këtë arsye nuk i ka lexuar ato polemika ai?

Jo vetëm për këtë arsye. Nuk i ka lexuar këto polemika edhe për arsye se ai, ish-kryetari, tani kryeministri, nuk mund të barazojë të pabarazueshmen.

Pikëçuditje!

Nuk i ka lexuar ato polemika edhe sepse nuk mund të barazojë të pabarazueshmen?

Jo vetëm pse nuk mund të barazojë të pabarazueshmen, por edhe pse nuk mund të barazojë të pabarabartin.

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Pikëçuditje!

Çka bën ish-kryetari, tani kryeministër, kur nuk mund ta barazojë të pabarazueshmen dhe të pabarabartin?

Ia vë vulën e tij kësaj pabarazie në të cilën shkruan: jo nuk i barazoj.

Pikëçuditje!

Va bene.

Edhe pse nuk i ka lexuar ato polemika midis shkrimtarit të tij politik botëror, Ismail Kadare dhe shkrimtarit lokal, Rexhep Qosja, shumëministri ynë do t’i përgjigjet kështu pyetjes: “Ju cilën tezë mbroni për identitetin shqiptar kombëtar?”

“Mendimi kombëtar shqiptar kalon nëpër veprën e Ismail Kadaresë. Dhe në qoftë se Ismail Kadare ka një meritë jo letrare, po më të gjerë, ka meritën se në tërë veprën e tij ka mbledhur copëzat e shpirtit kombëtar. Jo kaq solid. Sepse nuk mund të them se ishte kaq i trunguar, i inkorporuar dhe nga të gjitha kohërat deri më sot e ka mbledhur atë, jo me frymën e një nacionalisti të sëmurë, por e ka mbledhur atë në frymën e një nacionalisti pozitiv qytetar, qytetar tërësisht. Personalisht e kam pasur dhe e kam këtë bindje, që në këtë aspekt Ismaili është rilindësi modern. Të jem i sinqertë, nuk i kam lexuar ato polemika, sepse nuk mund të barazoj të pabarazueshmen, të pabarabartin, jo nuk i barazoj”

Pikëçuditje!

Va bene! Va bene!

Pyetjes mjaftueshmërisht të qartë “Ju cilën tezë mbroni për identitetin shqiptar kombëtar?” i përgjigjet siç shkruan më lart: kodër pas bregut! Meqenëse nuk mund ta lavdërojë për çka kishte thënë për identitetin e shqiptarëve sepse nuk mund të pranojë në njërën anë shpërfilljen e përbërësve myslimanë në identitetin e gjithësishëm, historik, shqiptar, kurse, në anën tjetër racizmin e tij ndaj popujve myslimanë të Afrikës e të Azisë atëherë ai lavdëron Ismail Kadarenë për diçka tjetër! Është, vërtet, diplomat kryeministri Ynë. Ai e di se për ne dinakëria është mençuria më e madhe! Po të vlerësonte tregimin e Ismail Kadaresë për identitetin e shqiptarëve dhe nevojën e mbajtjes së tyre sa më larg, edhe gjeografikisht, nga Lindja, do të shtrëngohej të dënonte myslimanofobinë dhe racizmin e tij. Po, meqenëse këtë s’mund ta bënte se do të humbte shkrimtarin e përkushtuar, ai e lavdëron për merita të tjera.

Hajde ta përimtojmë pak këtë deklaratë të kryeministrit tonë dhe të shohim çfarë logjike dhe çfarë etike e stolis atë. VAZHDON NESËR…

/MekuliPress.com/

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *