Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se partitë tjera në vend janë duke tentuar manipulimin me zgjedhje, për shkak të përzgjedhjes me shumë shkelje procedurale dhe ligjore të kryeshefit ekzekutiv të Sekretarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Pas përfundimit të intervistimit, në krye të ekzekutivit të KQZ-së është emëruar Burim Ahmetaj, i cili deri më tani ka qenë shef i Qendrës për Numërimin e Votave dhe Rezultateve. KOHA të mërkurën ka shkruar se në mes të procesit, anëtarët e KQZ-së i kanë ndryshuar rregullat e “lojës”, duke e rritur përbërjen e panelit intervistues. Po ashtu, e kanë bërë menjëherë të ekzekutueshëm njoftimin për kandidatin e suksesshëm, duke nxjerrë “vendim për zbatimin e vendimit” pa respektuar afatin e ankesave, ani pse kandidati i listës së ngushtë kishte paralajmëruar ta ushtrojë këtë të drejtë.

Në një konferencë për media, Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar këtë proces si manipulues.

Sami Kurteshi nga kjo parti ka thënë se me këto veprime është thyer parimi ligjor i sigurisë juridike.

“LDK-ja, AAK-ja, Nisma, Lista Serbe, me ndihmën e PDK-së, kanë zgjedhur një person që kanë dashur. Edhe paneli është bërë krejt KQZ dhe ia propozojnë vetes një kandidat për Kryeshef Ekzekutiv. Përpjekje të mos nxirren në publik e të mos ftohen mediat. Në të gjitha institucionet publike ka përpjekje që të zaptohen të gjitha pozitat.

Lexo po ashtu:  Ankohet Vuçiq: Për herë të parë dëgjuam se kërkohet njohja reciproke me Kosovën – Scholz ishte i ashpër për sanksione ndaj Rusisë

Ndërkaq, Alim Rama, anëtar në KQZ, ka thënë se përzgjedhja e Ahmetajt është rrezik kryesor për zgjedhjet.

“Nëse e zgjedh kryeshefin një pozitë shumë e rëndësishme në mënyrë të koordinuar, kjo është përgatitje për manipulim të zgjedhjeve dhe ky është rreziku kryesor. Tendenca për me shkel votën e qytetarëve, me këtë emërim. Kam punuar në Jordani, Afganistan, Maldive – por nuk kam parë këso manipulime të proceseve. Po ashtu nuk është pritur afati ligjor për ankesat e kandidatëve tjerë, edhe pse ka pasur njoftim se do të ketë ankesë. Pra është nxjerrë vendim për zbatimin e vendimit dhe kryeshefi e ka filluar punën pa e prit afatin ligjor. E kanë ftuar edhe ekspertin ligjor me dhënë një arsyetim, edhe pse ka qenë në pushim mjekësor. Edhe votimi ka qenë i sinkronizuar nëse shihet lista”, ka deklaruar ai.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *