Më 3 prill 1919 mbërriti në Shqipërinë e drobitur nga varfëria, skamja dhe udhëkryqja e fatit, një nga misionet humanitare më prestigjioze që njihte koha, Kryqi i Kuq amerikan. Kryqi i Kuq amerikan mbërrin në Shqipëri për të shpërndarë ndihma humanitare, për të ofruar asistencë mjekësore, ilaçe dhe për të kontribuar në përmirësimin e jetës sociale, kryesisht asaj higjeno-sanitare.

Gjendja në të cilën ata gjetën Shqipërinë e pasluftës ishtë e rëndë, jo vetëm raportet dhe statistikat zyrtare që dëshmojnë këtë, por edhe fotografitë që ndoqën në udhë kronologjike këtë mision është një tregues i trishtë i mjerimit të thellë ku gëlonte vendi.

Kryqi i Kuq amerikan që shoqërohej nga staf i kualifikuar dhe vullnetarë të apasionuar, i vendosi zyrat kryesore në Tiranë dhe ngriti qendra të tjera në Durrës, Shkodër dhe Elbasan. Këto qendra u pajisën me mjekë, infermiere, dentistë dhe personel tjetër ndihmës. Shumica e furnizimeve me ushqime, barna dhe veshje u sollën me anije në Durrës, ndërsa spitale e klinika u ngritën në çdo qendër. Në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, Kryqi i Kuq Amerikan hapi edhe shkolla fillore të pajisura me libra, fletore dhe mjete të tjera mësimi, si dhe mori në punë, me pagesë, arsimtarë shqiptarë. Shquan për një kontribut të vlertë në ndihmën e kryerjes së punës së këtij misioni edhe shumë burra dhe gra, jo vetëm si përkthyes por edhe si njohës dhe urëlidhës me mentalitetin, kodet zakonore dhe normat fetare të njerëzve që merrni shërbim dhe përfitonin ndihmë nga ky mision

Lexo po ashtu:  Më 7 mars të vitit 1887 u hap në Korçë Mësonjëtorja e parë kombëtare shqipe

Veprimtaria e Kryqit të Kuq Amerikan vijoi në fakt përgjatë gjithë viteve ’20-të të shekullit të shkuar thuajse në mbarë territorin e Shqipërisë e sidomos u shtri më shumë në rajonin e Tiranës, Elbasanit, Beratit, Korçës, Vlorës dhe Shkodrës.

Ra në sy sidomos përkujdesja e veçantë për fëmijët jetimë dhe lufta për zbutjen e varfërisë në një vend që sapo kishte dalë i dërrmuar nga një luftë shkatërrimtare, e cila kombinohej me aktivitete plotësuese, sikurse ishte ngritja e kampeve të hapura për fëmijët dhe mësimi falas i gjuhës angleze. Ky mision arriti të shërojë sadopak plagën lënguese të varfërisë dhe skamjes, por dhe të shpërndante dije dhe besim te mirësia, humaniteti dhe shërbesa. / Albert Vataj /

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *