Copëza nga libri “Me Hasan Mekulin”: ESADI BESONTE SERIOZISHT NË FITORE
Poezia “Gjykimi” e Esad Mekulit është një akuzë dhe protestë e fuqishme kundër të gjithë atyre që s’na lanë as abetaren; kundër atyre që penguan dhe shuan arsimin dhe kulturën shqiptare dhe që na detyruan përherë të jemi roje dhe për vatrë të derdhim gjak. Ky qëndrim s’kishte pushuar as kur ishte shkruar kjo vjershë. Kjo poezi është një revokim i kohëve të liga dhe një ngushëllim, një besim se përkundër të gjithave, ne po transformohemi.
— Jeni i afërt i Esad Mekulit, poetit të madh kombëtar, të cilit i njihet merita e shkollimit të brezave të tërë të krijuesve shqiptarë… Në një vjershë të tij (“Gjykimi”) Esadi shprehet kështu: “Pse – kush ka faj që prindët s’na lanë gati kurrgja / pos varreve dhe padijes; / kush ka faj që aq kohë – errësira dhe vetmija – si mrazet e pranverës kanë mbytë filizat mu në farë?!” Cila do të ketë qenë porosia e këtyre vargjeve?
Hasan Mekuli: Ndoshta nuk më takon mua të jap koment. Por, megjithatë po ju them disa fjalë, përkundër faktit se poezia “Gjykimi” është komentuar shumëherë dhe në mënyra të ndryshme. Vargjet e cituara lidhen ngushtë me disa poezi të tjera të Esadit, për shembull me vjershën “A asht fajtor shqiptari?” (pse për vatrë derdh gjak… rob e njeri që do i vetvetës të jetë… dhe kur të mos jetë dëshirojnë…), “Malli për të pambrijtshmen”, “Lypsit, O, vëlla me sharrë në krah”, “Kushtrimi”, “I varuni i këndon lirisë”, “Legjionet e të untëve” dhe me disa të tjera.
Poezia “Gjykimi” në fakt është një akuzë dhe protestë e fuqishme kundër atyre që me shekuj e mote s’na lanë të çelim sytë, kundër atyre apo turq qofshin, italianë ose bizantinë e grekë, serbë ose malazias, pushtues të llojllojshëm (veçanërisht turqit osmanlinj dhe serbomëdhenjtë) s’na lanë kurrë të shohim dritë, s’na lanë as abetaren, as fjalën shqipe të bukur; penguan dhe shuan arsimin dhe kulturën shqiptare dhe na detyruan që përherë të jemi në roje dhe për vatrë të derdhim gjak. Na përndoqën me dhunë e vdekje, me shpatë e zjarr për të përpjekur të shuajnë çdo rreze drite. E ky qëndrim s’kishte pushuar as atëherë – në ato ditë të rënda kur është shkruar kjo vjershë, as më vonë.
⸻
Biografi poetike e një brezi
Por qëndresa dhe vitaliteti i popullit tonë, vërtet vigan, ngadhënjyen. Në disa “ndërkohë” e pauza, kur nuk ishim në roje, me armë në dorë, në luftëra të imponuara nga pushtuesit dhe lakmimtarët e trojeve tona, ne krijonim, pak ndoshta, por me ndershmëri, me “belbëzimet tona shtërzimet”, duke qenë të ndjekur dhe të përndjekur, kemi shkruar këngë… kemi thurrë tregime, madje-madje, po-tue belbëzue abecenë edhe gjuhën tonë… “tue u marrë me çdo gjë, si me qenë mjeshtra çollakën”. Kjo pa dyshim është një lloj biografie poetike e një brezi, ose e brezive tona në vazhdë: me pak dije (ndoshta), por me shumë e shumë vullnet. Dihet, pra, se kush kishte dhe kush ka faj pse të parët tanë nuk patën kohë as mundësi të na lënë vepra e krijime më shumë, kush ishin fajtorët pse ne aq shumë kohë jetonim në errësirën e analfabetizmit, të destinuar nga okupatorët që të merremi vetëm me bujqësi dhe blegtori, e të shfrytëzojmë mundin dhe djersën tonë. Prandaj, Esadi shpreh besimin e patundshëm se:
“Do të vijnë pas nesh fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve tanë-breznitë,
Dhe ata do të dinë për ne, se na jemi pjella e Ditës së Re – plot diell e dashni / do të dinë për ne, e dij, dhe do t’u kallxojnë me binduni fëmijëve të vet / si kemi ngadhnjye mbi shekujt – tue vu t’kaluemen në gjunj; si kemi ngrit, nga hini dhe vjetërsia qytete të reja, fabrika dhe katunde…”
Sepse breznitë vepra i gjykojnë!
Pra, Esadi, jo vetëm veten e tij, por brezat e tërë, shpreh bindjen se përkundër vështirësive dhe qëndrimeve të rënda ndaj nesh, do të thotë brezat e parë, krijuesit e kësaj kohe, ata ndoshta para “portave” të hetuesive, në ballafaqim me dhjetëra pyetje të marrin, të dënohen dhe të gjykohen çështje të vogël, me ata që edhe sot e gjithë ditën arkivat e tyre i trazojnë dhe dosjet tona i shfletojnë, analizojnë, me lajkatërat dhe individët pa kurriz, që janë të përhershëm si pjesë e historisë së marrëzisë njerëzore etj.; megjithatë shkruanim, përcillnim mesazhe, luftonim brenda mundësive për kauzën e popullit tonë, për mirëvajtjen e kulturës. Ai gjithnjë dhe seriozisht besonte në fitore. Mendimet më esenciale në këtë poezi apo në poezi të tjera janë:
“Është vetëm një rrugë e vërtetë – thonë / Jo ajo mbi të cilën ecën rëndom, / po ajo që në shpirt e kalon”.
E kjo përkon me një varg preokupimesh të poetit, me një vistër mesazhesh, ndonjëherë në dukje fare të thjeshta, por me peshë për kohën përkatëse, po edhe pastaj:
“Në çastin më të lartë të lavdit e të nderit hapi sytë – mos ta tepro: para se ta shohësh veten baras me perënditë – se do të vdesësh kujto!”
Se jemi përherë borxhlinj ndaj popullit, ndaj atyre që na dhanë besimin dhe presin, shpresojnë nga ne… Vazhdon nesër!
Copëza nga libri “Me Hasan Mekulin”, autor Bajram Kabashi, 1997 Prishtinë.
