Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) është aprovuar si anëtare e plotë për të përfaqësuar Kosovën në European Youth Card Association (EYCA), me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të këtij institucioni evropian.
Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.
☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.Sipas komunikatës për media, ky status i ri krijon një kornizë më të qartë dhe më të qëndrueshme për funksionimin e Kartës Rinore Evropiane në Kosovë, duke garantuar vazhdimësi institucionale dhe përputhje të plotë me standardet e rrjetit EYCA. Për të rinjtë e Kosovës, kjo nënkupton më shumë stabilitet, besueshmëri dhe zgjerim të përfitimeve si në nivel kombëtar ashtu edhe evropian.
Vendimi është përshëndetur edhe nga struktura implementuese e Kartës Rinore Evropiane në Kosovë, e përbërë nga organizatat BONEVET, në bashkëpunim me Kosova Makers dhe Kosova Ideas, si dhe rrjeti prej tetë organizatash partnere në qytete të ndryshme të vendit.

Në njoftim thuhet se ky avancim vjen si rezultat i punës së vazhdueshme dhe rezultateve konkrete që EYCA Kosovo ka arritur që në vitin e parë të operimit. Zhvillimi i qëndrueshëm i kartës, rritja e numrit të mbajtësve dhe partneriteteve, si dhe përmbushja e standardeve të rrjetit EYCA, kanë qenë faktorë kyç për kalimin e Kosovës në statusin e anëtarësimit të plotë brenda një periudhe të shkurtër kohore.
Anëtarësimi i plotë në EYCA e pozicionon Kartën Rinore Evropiane në Kosovë si një mekanizëm të rëndësishëm për përfshirjen e të rinjve në rrjetin evropian, duke rritur qasjen e tyre në përfitime, shërbime dhe mundësi afatgjata në mbarë Evropën.




