Në kujtim të gazetarit, Shefki Popova: Penda që nuk u hesht nga plumbat e tradhëtarëve
Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.
☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.Gëzim Mekuli
Nëntëmbëdhjetë shtatori mbetet një datë e dhimbshme në kujtesën e gazetarisë shqiptare dhe të çdo qytetari që beson te e drejta, fjala e lirë dhe e vërteta.

Sot, plot 26 vite nga ajo natë e errët e pasluftës, rikujtojmë me respekt të thellë gazetarin e njohur Shefki Popova, i cili u vra pabesisht në pragun e shtëpisë së tij nga dora mizore e krimit.
Shefki Popova nuk ishte vetëm një emër në faqet e gazetes; ai ishte zëri i paanshëm i qytetarëve, gazetar në Rilindje, korrespondenti i përkushtuar i gazetes “Bota Sot” në Vushtrri dhe një zë zbardhues i realitetit të trazuar të pasluftës në Kosovë.
Në një kohë kur Kosova po përpiqej të ngrihej nga rrënojat e luftës së Serbisë, Popova zgjodhi të mos heshtte përballë padrejtësive, krimit të organizuar dhe uzurpimeve, duke ushtruar profesionin e tij me guxim, integritet dhe etikë të lartë gazetare.
U vra në terrin e natës, aty ku kriminelët gjejnë strehë, për të fikur një dritë që u pengonte. Vrasja e tij në prag të shtëpisë – në vendin ku çdo njeri kërkon siguri – ishte një goditje jo vetëm për familjen Popova, por për fjalën e lirë dhe demokracinë e brishtë që po lindte në Kosovë.
Sot, pas më shumë se dy dekadash e gjysmë, dhimbja mbetet e njëjtë, ndërsa revolta rritet. Kriminelët dhe urdhërdhënësit e kësaj vrasjeje makabre ende vazhdojnë të shëtisin të lirë e të pandëshkuar nga drejtësia. Kjo plagë e hapur në sistemin e drejtësisë së Kosovës është një kujtesë e vazhdueshme se beteja për fjalën e lirë nuk ka përfunduar.
Por, edhe pse atentatorët morën jetën e tij fizike, ata dështuan të vrisnin trashëgiminë e tij. Vepra, përkushtimi dhe guximi i Shefki Popovës mbeten të gdhendura në historinë e gazetarisë shqiptare. Heshtja e institucionalizuar apo kalimi i viteve nuk do të thotë harresë.
I përjetshëm qoftë kujtimi për gazetarin Shefki Popova! Lavdi jetës dhe veprës së tij intelektuale.
