Dikur, festat kishin aromë dashurie e ngrohtësie.
Dita e Bajramit, 28 nëntorit, 8 marsit, e Krishtlindjes dhe e festave të tjera ishte ditë e shenjtë për familjen. Ishte dita kur televizioni fikej dhe zemrat ndiznin dritën e muhabetit në tavolinë. Kur në vend të tingujve të telefonit dëgjoheshin zëra njerëzorë, të qeshura e kujtime që mbeteshin gjatë në shpirt.

Tavolina zbukurohej me mbulesën më të mirë, me gatime që përgatiteshin me dashuri, me ëmbëlsira të përzgjedhura e pemë të freskëta. Në vend të celularit, pranë vendit të secilit qëndronte një gotë me pije. Uratat thuheshin ballë për ballë, me përqafime të ngrohta dhe shtrëngime të sinqerta duarsh. Për ata që ishin larg, telefoni i shtëpisë bëhej ura që lidhte zemrat, pa filtra, pa emoji, pa fjalë të thata.

Ishte koha kur Bajrami, Krishtlindja e nata e vitit të ri ndiheshin në çdo qelizë të trupit, në çdo frymë të dhomës. Koha kur festat nuk ishin postime, por përjetime. Sot, kemi më shumë “miq” sesa ndonjëherë më parë… por ndihesh më i vetmuar.
Vetëm, me telefon në dorë. Vetëm, në mesin e miliona zemrave po aq të vetmuara.

Lexo po ashtu:  ‘Paraja njerin’ e mundon, e bije ndë balt’ e rrëzon’

Sipas një studimi të “Global Web Index” (2024), një person mesatar kalon më shumë se 6 orë në ditë në internet, ndërsa koha mesatare e kaluar me familjen është më pak se 40 minuta në ditë. Dhe, sipas një raporti të “Harvard Human Flourishing Program” (2023), 48% e njerëzve ndihen të vetmuar edhe kur janë të rrethuar nga të tjerë. Festat, që dikur ishin momente lidhjeje shpirtërore, sot shpesh janë thjesht ditë pushimi me ekranin në dorë.

Kjo është arsyeja pse Bajrami, Krishtlindja dhe festat e tjera kanë humbur shkëlqimin e dikurshëm: sepse ne kemi harruar të shikojmë njëri-tjetrin në sy. Të dëgjojmë me zemër. Të ndjejmë me shpirt.
Ndoshta është koha të rikthejmë kënaqësinë; jo duke postuar, por duke përqafuar njëri-tjetrin. Jo duke dërguar “urime, ntm, flm, sps,”, por duke thënë Urime dhe Faleminderit.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com