Gëzim Mekuli

Titulli i mediave: “Një serb në Novobërdë rrah nënën” na bën të ndalemi për të reflektuar jo vetëm mbi lajmin, por mbi mënyrën se si ky lajm është dhënë. Në një shoqëri ku media duhet të jetë zëri i drejtësisë, i së vërtetës dhe i paanësisë, ky titull përçon një mesazh të rrezikshëm dhe tepër të gabuar.

Përse etnia është e rëndësishme në këtë rast?
A është përkatësia etnike e dhunuesit një faktor përcaktues për krimin? Dhuna është një akt i neveritshëm që s’ka të bëjë me kombësinë e as etninë e dikujt. Një nënë e rrahur është një tragjedi njerëzore, një dhunë që prek njeriun si qenie, dhe jo një etni të caktuar. Lidhja e krimit me etninë apo përkatësinë kombëtare është irracionale dhe e rrezikshme, duke mbjellë përçarje dhe urrejtje midis komuniteteve.

Racizmi në gazetari është një nga manifestimet më të ulëta të keqpërdorimit të fjalës së lirë. Kur media përforcon stereotipe dhe i jep ngjyrim etnik një akti kriminal, ajo në mënyrë indirekte legjitimon një lloj fashizmi të ri mediatik, i cili e gjeneron urrejtjen dhe përçmimin. Një media që tregon me gisht “tjetrin”, thjesht për të qenë i “ndryshëm”, nuk është aspak më e mirë se propaganda jugosllave apo ajo hitleriane. Ngjashmëritë janë të frikshme, dhe vetë media, në këtë kontekst, bëhet bashkëpunëtore e ndasive sociale dhe etnike.

Lexo po ashtu:  KAPJA E MEDIAVE/ Reagon Unioni i Gazetarëve Shqiptarë pas përplasjes mes drejtorit të emisionit “Top Story” dhe televizionit Top Channel

Gazetaria shqipe, e robëruar nga injoranca, bie në grackën e të njëjtave stereotipe që duhej të luftonte. Në vend që të demaskojë politikat serbe të errëta dhe të shtypura që kanë përgjakur Ballkanin, ajo synon “gomarin” dhe lë pas dore problemin e vërtetë: politikat destruktive të Beogradit, akademitë serbe që promovojnë nacionalizmin dhe qeverinë e Tiranës që nuk mbronë dot as qentë endacak të mëhallës së vet.

Satira këtu na mëson diçka: Njeriu që ushtron dhunë nuk ka kombësi. Ai nuk është as “serb”, as “shqiptar”, por një produkt i një sistemi që dështoi në edukimin dhe mbrojtjen e vlerave humane. Gazetaria që i jep emër dhe fytyrë etnike dhunës është vetë viktima e injorancës dhe keqinformimit.

Në fund, media jonë duhet të ketë guximin të thotë të vërtetën: problemi i vërtetë nuk është tek qytetari i thjeshtë serb apo shqiptar, por tek politikat dhe akademitë që e përdorin dhunën dhe ndasinë etnike si një mjet për të kontrolluar dhe përçarë popujt e Ballkanit. Gazetarët duhet të luftojnë për një gazetari të lirë dhe profesionale, e cila nuk bie pre e ideologjive përçarëse dhe urrejtjes së pakuptimtë.

Lexo po ashtu:  Sebastian Zonja: Rëndësia e shtypit të lirë, rëndësia e gazetarëve, rëndësia e intelektualëve të lirë

Me këtë lloj lajmi, nuk edukojmë brezat e rinj; përkundrazi, ne i ushqejmë ata me urrejtje, duke mbjellë farën e përçarjes për brezat që vijnë.