Skerdilajd Zaimi

Lexojeni statusin e Edi Ramës në rrjetin “X” për të kuptuar disa gjëra: së pari për të kuptuar zbythjen e rremë të këtij individi përkundrejt një presioni publik relativ. Ai flet për “entitet sovran” duke hequr dorë nga termi “shtet” që e promovoi po vetë në intervistën me një media amerikane.

Së dyti, zotëria pretendon se do të ruajë Komunitetin Bektashi nga tretja siç thotë sepse duke qenë një “komunitet jetim” ai mund të zhduket. Dhe Shqipëria e paska detyrim ta ruajë këtë komunitet për atë që ka bërë në të shkuarën.

Nuk i ha kush karamelet e pisit. Pasi asnjë shtet nuk ka detyrim të ruajë komunitetet nga zhdukja. Ka detyrimin të krijojë kushtet për ushtrimin e lirshëm të aktivitete të tyre. Komunitetet fetare mbahen gjallë nga besimi dhe besimtarët, jo nga pasaporta. Sot që flasim është në krizë edhe Katoliçizmi apo Orthodhoksia që kanë institucione të centralizuara. Asgjë nuk i shpëton dot nga shbërja nëse nuk rigjejnë rrugën e besimit. Nuk i ha kush karamelet e pisit në këtë drejtim pasi këtij po i zbrazet Shqipëria nga shqiptarët, e na dashka të rrisë e fuqizojë komunitetin Bektashi e me Baba Derziun si kryetar shteti.

Lexo po ashtu:  Pakti shtet-krim që vret ata që luftojnë për shtetin*

Së treti dhe më e rëndësishmja, edhe sikur ideja të jetë një shashkë diversioni ndaj skandaleve të hajdutërisë së qeverisë së këtij, ajo mjafton si fakt për të kuptuar se deri ku shkon provokimi i këtij njeriu dhe me gjasë deri ku rëndon rrokullisja e qeverisë.

Së katërti, z. Rama flet për “process legjislativ” dhe nuk përmend Kushtetutën, të cilën e di mirë që do të duhet të preket edhe në PREAMBULËN e vet. Pasi krijimi i një entiteti sovran vë në krizë pretendimin për tolerancë dhe bashkejetesë fetare. Neni 9 dhe neni 10 i Kushtetutës asgjësohen me këtë që po synohet.

Së fundmi, dhe më e rëndësishmja, z. Rama me këtë lojë që ka hapur ka shtruar rrugën për krijimin e partive me bazë fetare dhe etnike në Shqipëri, pasi ai nuk ka ekskluzivitetin e propozimit. Përderisa kreu i një shumice parlamentare vë në diskutim ekuilibrat, asnjë nuk ka më detyrim t’u përgjigjet e atyre.

Neni 9 thotë:

Partitë politike krijohen lirisht. Organizimi i tyre duhet të përputhet me parimet demokratike. Partitë politike dhe organizatat e tjera, programet dhe veprimtaria e të cilave mbështeten në metoda totalitariste, që nxitin e përkrahin urrejtjen racore, fetare, krahinore ose etnike, që përdorin dhunën për marrjen e pushtetit ose për të ndikuar në politikën shtetërore, si edhe ato me karakter të fshehtë janë të ndaluara sipas ligjit.

Neni 10 i Kushtetutës cakton se:

Në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare. Shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe garanton lirinë e shprehjes së tyre në jetën publike. Shteti njeh barazinë e bashkësive fetare.

Të dyja këto dispozita cenohen rëndë në thelbin e tyre dhe sa kohë Kushtetuta e Shqipërisë nuk garanton më ASNJËANËSINË E SHTETIT në çështjet e fesë, atëherë askush nuk mund të ndalojë organizimin e tyre mbi kritere të solidaritetit të përbashkët. Mirë apo keq, shashkë apo e vërtetë, pallavër apo jo, propozimi i bërë nga Edi Rama ka pagëzuar Islamin Politik në Shqipëri, sepse shteti rreckë që kemi hoqi dorë edhe formalisht nga serioziteti në dukje në çështje të besimit.

Lexo po ashtu:  Pesë teoritë e reja konspirative, të cilat shkenca provoi se ishin të gabuara