👇

Prokurori i Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore në Prizren, Beqë Shala, është arrestuar në një aksion të udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).

Shala dyshohet për kryerjen e veprës penale “Marrje ryshfeti”, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Arrestimi i tij ka ndodhur gjatë zhvillimit të një hulumtimi nga “Betimi për Drejtësi” që posedon video-incizim të prokurorit Shala, duke pranuar ryshfet.

Arrestimin e prokurorit Shala e ka konfirmuar edhe PSRK-ja, ku theksohet se i njëjti u arrestua në vendin e punës.

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren kanë arrestuar B.Sh nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”. I dyshuari B.Sh., prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, është arrestuar në vendin e punës”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se Prokuroria Speciale së bashku me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi. /BetimipërDrejtësi

Lexo po ashtu:  Kurti: S’do lejojmë ‘Serbi të dytë’ në Kosovë, si në Bosnje – Asociacioni është i papranueshëm

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë. 

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com