Përvjetori i vdekjes së Kristoforidhit (24 shkurt 1895)

Elbasanasi Kostandin Nelko, i mbiquajtur Kristoforidhi (Krisht-prurës), është padyshim një nga figurat më të mëdha të kombit shqiptar. Për shkak të kontributit të tij të papërsëritshëm gjuhësor, është quajtur “babai i gjuhës shqipe”. Në fakt, prania dhe influenca e tij universale i kapërcen caqet e gjuhës.

Data i lindjes së tij nuk dihet, ndërsa edhe viti është i pikëpyetur midis viteve 1826-1830. Po kështu edhe data e vdekjes, e cila vendoset rëndom në 7 mars, edhe pse data e vërtetë duket se është 24 shkurti. Luhatja ka të bëjë ndoshta me ndryshimin e kalendarit kishtar të atëhershëm, me 13 ditë diferencë, gjë që ndërlikohet edhe më tepër me sasinë e ditëve të muajit shkurt.

Dëshminë më bindëse për 24 shkurtin e gjejmë në disa shkrime të Aleksandër Xhuvanit, dhe sidomos tek një letër e këtij drejtuar djalit të Kristoforidhit, Filipit, më 30 mars 1950. Midis të tjerash, Xhuvani i shkruan Kristoforidhit të ri:

“Muejin që kaloi filluem përkujtimin e shkrimtarëvet të Rilindjes. E zumë fill me babën tuej, Kostandin Kristoforidhin: më 24 shkurt, përvjetorin e vdekjes së tij, u nis prej këndej nji komision prej 5 vetësh për n’Elbasan, ku në fushë të Kishës së Kalasë, ku asht varri i tij dhe busti i tij, u ba një përkujtim dhe u mbajtën ligjërata përpara nxanësvet të shkollavet dhe të nji shumice njerëzish…” (Arkivi Digjital Elbasan, postuar më 12 gusht 2018).

Lexo po ashtu:  11 fakte rreth Mahatma Gandit, atij që besonte se përmes mjeteve paqësore gjenden të gjitha zgjidhjet politike

Përderisa Kristoforidhi përkujtohej më 24 shkurt në vitin 1950, njësoj duhet të bëjmë edhe ne sot. Në të kundërt, kujtimi i tij po zbehet.

Jeta dhe vepra e Kristoforidhit është unike edhe për faktin se ai është nga të paktët rilindas që pati një projekt pragmatik dhe vegim të qartë për kontributin dhe trashëgiminë e tij në Ballkan. Ai ishte i vetëdijshëm se përkthimet biblike në dy kryedialektet e shqipes kishin fuqi të formësonin dhe të ndryshonin historinë dhe faqen e një populli.

Rrugëtimi i jetës së Kristoforidhit, endjet, vendimet me befasi dhe enigma, dhe sidomos kthimi i tij, janë pjesë e përmbushjes në heshtje të këtij vegimi. Nuk ishte thjesht koha e përshtatshme për të bërë një vepër dhe emër të tillë, sesa madhështia e njeriut dhe aftësia për të bërë epokë në kombin e vet.

Si ortodoks në zanafillë dhe në finale të jetës së tij, Kostandin Kristoforidhi ishte i pranishëm para dhe mbas lëvizjes së kombëtarizimit të Kishës, si një prani tejkaluese në tekste, një pararendës i vërtetë. Para se të niste përkthimet biblike, për të cilat gjeti mbështetje dhe mënyra për t’i çuar ndanë, ai kishte hedhur idenë e përkthimit të teksteve liturgjike, duke ofruar dhuntitë dhe besimin e tij, edhe pse nuk gjeti përkrahje.

Lexo po ashtu:  "Kurrë mos e tradhëto atdheun, familjen dhe miqtë"

Megjithatë, përkthimet e tij biblike lindën burrat që bënë të mundur kombëtarizimin e Kishës, sidomos Fan S. Nolin, i cili u “konvertua” në botën shqiptare falë botimit të Dhjatës së Re toskërisht, të vitit 1879. Jo vetëm kaq, por Kryepeshkopi i parë i KOASh-it, Visarion Xhuvani, dëgjoi si fëmijë predikimet e para shqip nga vetë goja e Përkthyesit dhe lëçitësit, në Kishën e Shën Mërisë në Elbasan.

Është atje ku u varros me nderime ndriçimtari ynë, Kostandin Kristoforidhi, sipas traditës kishtare për etërit dhe shenjtorët e saj. Edhe ky fakt është një gjest që shton tek perceptimi dhe receptimi i Kristoforidhit, si shenjë e madhe kishtare dhe trashëgimi e rëndë kombëtare.

Kjo do të vërtetohej mbas katër dekadash, me organizimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, kur Kryepeshkop Visarioni do të përkujdesej për kujtimin e Kristoforidhit, si figurë e domosdoshme vendore, duke ngritur bustin mbi varrin e tij, vepër e Odise Paskalit, i cili ende sot ruan firmën e gdhendur të Visarionit; një shenjë me simbolikë të pamohueshme.

Le të lutemi dhe të shpresojmë se një ditë Kisha jonë do të çlirohet nga interesat e huaja dhe kthetrat e jeniçerëve, për t’u kthyer në shërbim të shqiptarëve, për të nderuar edhe paraardhësit, e tok me ta dhe të madhin Kostandin Kristoforidhi!

Lexo po ashtu:  11 vjeçarëve që ju ndal loja në gjysmë, u vranë vetëm pse ishin shqiptarë

I përjetshëm kujtimi!

At Foti Cici

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *