Tirana shembull i jetesës sonë shoqërore. Si rron njerëzia? Ku ha, ku dëfren, ku shkon? Si fitohet dhe si prishet paraja, cmimet e sendeve të para. Vëzhgime të përgjithshme mbi mënyrën e rrojtjes sonë.

Beqar apo familjar?

-Meshkuj! Kudo meshkuj! Tirana është mashkullore!

-Apo s’është kështu?

-Ku janë gratë?

-Në shtëpi? Të burgosura? Të skllavëruara? Të sëmura? Të dënuara?

-Apo gjithë burrat që të zë syri nëpër rrugët e mbushura të kryeqytetit janë beqarë?

-Kjo s’është e vërtetë, se në çdo kënd të çdo ndërtese sheh edhe nga katër a pesë çiliminj…..

-Atëherë pse nuk dalin edhe femrat të marrin erë të lirë, të shikojnë dynja, të lëvizin, të zbukurojnë rrugët mashkullore të Tiranës?

-Fajin e kanë vetë burrat. Kushedi mbase përtojnë, s’e kanë zakon që të dalin një ose dy herë në javë me bashkëshortet e tyre, me motrat dhe bijat e tyre në bulevardet aq të bukura, që gjallërojnë prej pemëve të shumta, që rëndohen prej këpucëve të forta të ushtarakëve dhe që ankohen se nuk janë shkelur prej takave të lehta të femrës. Dëgjoni kambanën e re që ju shurdhon:

Lexo po ashtu:  “Gjuha shqipe – nga alfabeti në drejtshkrim

“Po këputen hekurat e skllavërisë për femrën. Dilni përjashta o gra shqiptare dhe merrni pjesë siç  e meritoni në shoqërinë e porsa përgatitur të kombit tonë. Ferexheja ra përgjithmonë! Ç’prisni më, ndonjë urdhër që t’ju nxjerrin me zor nga shtëpia?”

-Po le të themi copë që faji është i burrave. Doemos i atyre që kanë familje. Se beqarët ç’të nxjerrin përjashta?

-Sytë e tyre? Ata sy që u thanë duke vërtitur kot andej-këndej për të parë ndonjë ….. lanete?

Shumica është beqare. Janë mbushur kazerma, institute, ndërtesa të mëdha e të vogla me beqarë. Nëpunës të ndryshëm, shumë ushtarakë, arsimtarë, që kanë familjet në vendlindjet e tyre, bëjnë një jetë beqare.

Një jetë për lumë!

Se për te një rrogëtar, daç qeveritar ose privat, cila jetë është më e mirë, beqare apo familjare? Cila jetë është më e mirë edhe nga pikëpamja ekonomike edhe në atë shoqërore?

Si jetojnë beqarët? Ku e shkojnë kohën? Ku e prishin paranë? Doemos për këtu në Tiranë flasim, se këtu është foleja qendrore e beqarllëkut…Shumica e tyre, përveç që të prishë tërë rrogën në kafenetë, në shtëpitë publike, që do t’i shohim të përshkruara së afërmi në këto shtylla, po janë kredhur në borxhe po aq thellë, sa zor të shpëtojnë. Zor të ngrenë ndonjë ditë kryet lirisht. Zor të ecin pa frikë nëpër rrugët e Tiranës. Punojnë pa shpresë, rrojnë beqarë dhe beqarë do të vdesin, se e shkreta martesë do para, do shpenzime. Do shtëpi të re. Do fole të përgatitur. E çnuk do kjo martesë e uruar!

Lexo po ashtu:  Lëvizja e fundit e Apple do të acarojë përdoruesit

Po familjarët si rrojnë?

Duke udhëtuar nëpër kryeqytet sheh shtëpi, shtëpi shumë të përhapura, të rrethuara me mure, kanë oborr, kanë puse, kopshtia furriqe. Tamam si në fshat. Se brenda jetojnë qytetarë-fshatarë. Familjarët që kanë ardhur nga të tërë vendet e atdheut, të shpërndarë në të katër anët e kryeqytetit të gjerë. Të trazuar rrush e kumbulla. Sheh në një lagje, në një rrugë afër e afër, dibranë, vlonjatë, gjirokastritë, korçarë. Përveç jevgjve që kanë zënë ekstremet e Tiranës dhe që rrinë të grumbulluar që defi i tyre të dëgjohet prej të gjithëve./MekuliPress/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *