Gjatë një aktiviteti në Tiranë është prezantuar “Fjalori i turqizmave të përbashkëta në gjuhët e Ballkanit”, me autore Prof. Asoc. Dr. Lindita Latifi Xhanari. Fjalori ka si objekt evidentimin e turqizmave të përbashkëta në tetë gjuhë të Ballkanit, në shqip, rumanisht, bullgarisht, serbisht, greqisht, maqedonisht, boshnjakisht dhe kroatisht.

Autorja, Prof. Asoc. Dr. Lindita Latifi Xhanari, në fjalën e saj tha se botimi i këtij fjalori vjen në radhë pas gjithë punëve të realizuara për studimin e ndikimeve të gjuhës turke në gjuhën shqipe.

“Njohja me kolegët dhe diskutimi me ta për pikëpamje të ndryshme për çështjet e turqizmave në gjuhët e Ballkanit më ka formësuar dhe dhënë dijen e nevojshme që të vazhdoja të hartoja fjalorin e turqizmave ballkanike”, deklaroi autorja e fjalorit, shkruan koha.net

Duke folur për punën për hartimin e fjalorit, ajo tha se ka punuar mbi një literaturë të gjerë me rreth 146 fjalorë, studime të drejtpërdrejta në lidhje me turqizmat në gjuhët e Ballkanit dhe 250 studime në lidhje me ndikimet e gjuhës dhe kulturës turke në gjuhët dhe kulturat e Ballkanit.

Lexo po ashtu:  “Unë e di pse këndon zogu në kafaz”, një roman që kurrsesi nuk duhet lënë pa lexuar

Më tej gjatë fjalës së saj, Prof. Asoc. Dr Lindita Latifi Xhanari, tha se një nga synimet e saj gjatë punimit të fjalorit ka qenë hartimi i një produkti shkencor që të jetë i dobishëm për punën shkencore të kolegëve dhe studentëve në të ardhmen, pasi sipas saj, materiali që paraqet fjalori jep mundësi për studime të mëtejshme në fushën e fonetikës krahasuese, morfologjisë dhe semantikës.

Fjalori në turqisht është botuar në Turqi nga Universiteti i Pamukkalesë dhe përmban rreth 5000 huazime. Ky botim ka si objekt evidentimin e turqizmave të përbashkëta në tetë gjuhë të Ballkanit, në shqip, rumanisht, bullgarisht, serbisht, greqisht, maqedonisht, boshnjakisht dhe kroatisht./MekuliPress.com/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *