Nga MekuliPress

Propaganda politike, dikur e lidhur me regjimet autoritare dhe posterat e propagandës së shekullit XX, sot është bërë më e sofistikuar, më e padukshme dhe më e përhapur se kurrë. Ajo nuk përdor më parulla të mëdha nëpër sheshe, por algoritme, lajme të fabrikuara, montazhe mediatike, rrena dhe marketing emocional për të ndikuar mbi bindjet e qytetarëve.

Megjithëse fjala “propagandë” duket e vjetër, përdorimi i saj është më modern se kurrë. Sot ajo quhet “strategji komunikimi”, “fushatë”, “menaxhim imazhi” apo thjesht “marketing politik”. Por qëllimi mbetet i njëjtë: të formësojë mendimin publik dhe të orientojë sjelljen e qytetarëve në favor të një grupi të caktuar politik.

Çfarë është propaganda politike?

Propaganda politike është një formë e kontrolluar komunikimi që ka tre elemente kryesore:

  1. Mesazh politik; i drejtpërdrejtë ose i maskuar nën slogane emocionale.
  2. Kontroll mbi informacionin: kur përzgjidhen vetëm faktet që favorizojnë propagandistin.
  3. Qëllim i qartë: orientimi i opinionit publik në një drejtim të caktuar.

Në epokën dixhitale, propaganda nuk shpërndahet vetëm përmes mediave tradicionale. Ajo udhëton përmes rrjeteve sociale, profileve të rreme, influencuesve të paguar dhe platformave të lajmeve të dyshimta.

Lexo po ashtu:  Biseda super-sekrete, ja çfarë ka thënë Adolf Hitler për Shqipërinë para 74 vitesh (VIDEO)

Teknikat kryesore të propagandës politike

1. Etiketimi – Krijimi i armikut

Kjo teknikë përdor fjalë me ngarkesë emocionale për të krijuar perceptim negativ ndaj kundërshtarit. Nuk ka argument, ka vetëm sulm emocional:

  • “Tradhtar”, “armik i shtetit”, “i korruptuar”, “Spiun i Serbisë”.

Fraza mbeten në mendjen e publikut, ndërsa fakti harrohet.

2. Shoqërimi: Ndërtimi i imazhit në kurriz të emocioneve

Politikani shfaqet krah sportistëve, artistëve, studentëve… qëllimi është të përfitojë nga imazhi i tyre pozitiv.

  • Foto në rrjete sociale me politikanë “në kafe me qytetarët”.
  • Video në makina të rastësishme për të treguar “thjeshtësinë”.

Mesazhi i nënkuptuar: Unë jam një prej jush.

3. Autoriteti i burimit: “Ekspertët thonë se…”

Mbështetja në burime anonime ose autoritete të supozuara.

  • “Burime të sigurta pohojnë…”
  • “Eksperti X mbështet idetë tona…”

Shpesh pa asnjë provë konkrete.

4. Fake news, rrena dhe manipulimi i informacionit (fenomen modern)

Lajme të rreme të fabrikuara për të krijuar panik, frikë apo urrejtje. Shpërndahen me shpejtësi në rrjetet sociale falë titulllimeve të tipit:

  • “Urgjente! Ja çfarë po ndodh tani!”
Lexo po ashtu:  Ja nga e kanë origjinën emrat e 12 muajve të vitit, dhe domethënia e tyre

Në shumicën e rasteve, lajmi del i rremë pasi të ketë kryer dëmin.

5. Mikro-targetimi në rrjetet sociale (algoritme që e njohin mendimin tonë)

Rrjetet sociale mbledhin të dhënat tona dhe politikanët na shfaqin mesazhe të personalizuara sipas moshës, gjinisë dhe interesave. Secili votues sheh një version të ndryshëm të të njëjtit politikan.

Ky është manipulim individual, i padukshëm dhe shumë efektiv.

A jemi të mbrojtur ne si popull? Jo plotësisht. Por mund të jemi të vetëdijshëm.

Mos të harrojmë: Propaganda nuk funksionon sepse jemi të paditur. Ajo funksionon sepse jemi qenie emocionale.

Ja si mund ta kufizojmë ndikimin e saj:

Verifiko burimin. Nëse nuk ka burim, është mendim, jo fakt.
Pyes veten: “Çfarë emocion po mundohet të më shkaktojë ky mesazh?”
Mos i shpërnda lajmet menjëherë. Propaganda jeton nga nxitimi ynë.
Lexo më shumë se një burim informacioni.

Njohja e këtyre teknikave është hapi i parë drejt lirisë mendore.

Në fund të fundit propaganda nuk është e rrezikshme sepse ekziston; Është e rrezikshme sepse nuk e vërejmë.

Sa herë që një mesazh politik na bën të nervozohemi apo të entuziazmohemi menjëherë, aty duhet të fillojmë të dyshojmë. Demokracia nuk mbrohet vetëm me votë; por edhe me mendim kritik.

Lexo po ashtu:  Pse interneti vijon të ketë probleme dhe ndërprerje të vazhdueshme në të gjithë globin?!

Mendo. Analizo. Mos u bëj vegël e narrativave politike.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com