Rusia është e gatshme për zgjidhje diplomatike me Kievin dhe Perëndimin për krizën ukrainase. Por presidenti rus e kushtëzon këtë gatishmëri me mbajtjen në krye të listës së prioriteteve të interesave ruse.

“Vendi ynë është gjithmonë i hapur për dialog të drejtpërdrejtë dhe të ndershëm për të gjetur zgjidhje diplomatike për problemet më komplekse. Megjithatë, interesat dhe siguria e qytetarëve tanë nuk janë të negociueshme,” tha Putin në një fjalim të transmetuar në TV.

Duke iu referuar Ukrainës, Putin thotë se marrëveshjet e Minskut nuk ekzistojnë më. Ai thotë se Rusia dëshiron demilitarizimin e Ukrainës, e cila mund të ketë armë bërthamore taktike dhe për këtë arsye nuk përjashton hyrjen e trupave ruse në vend.

Presidenti amerikan, Joe Biden, nga ana tjetër thotë se Moska mund të nisë sulme në qytete të ndryshme të Ukrainës, përfshirë kryeqytetin Kiev.

Ndërsa NATO thotë se gjasat janë për një sulm në shkallë të gjerë. “Ky është momenti më i rrezikshëm për sigurinë evropiane për brezat. Për këtë arsye, ne kemi rreth 100 avionë dhe 120 anije në gatishmëri të lartë, pasi vendet e aleancës kanë dërguar mijëra ushtarë në vendet e Evropës Lindore”, tha Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg.

Lexo po ashtu:  Gjuha shqipe futet zyrtarisht në Universitetin e Harvardit

Në kushtet që janë krijuar, SHBA nuk pranon të ulet me Putin. Presidenti Joe Biden njoftoi se nuk ka në plan të marrë pjesë në një samit me homologun rus. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, e bëri të ditur këtë vendim menjëherë pasi Sekretari i Shtetit i SHBA, Antony Blinken, anuloi takimin me ministrin e Jashtëm rus Serghiei Lavrov, të planifikuar për të enjten. “Diplomacia nuk mund të jetë e suksesshme nëse Rusia nuk ndryshon kursin”, tha ajo, duke vendosur depërshkallëzimin rus si kusht për një samit midis dy liderëve, çka kërkon zhvendosjen e trupave ruse.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *