Në vitin 1990, në një kohë kur shqiptarët përballeshin me shtypje politike, copëtim kombëtar dhe mungesë lirie, Rexhep Qosja dha një nga intervistat më të rëndësishme për fatin e kombit shqiptar. Sot, pas më shumë se tri dekadash, kjo fjalë e tij tingëllon jo vetëm aktuale, por edhe profetike. Në një realitet të trazuar politik, moral dhe mediatik në Tiranë, Shkup, Mal të Zi, Luginë e Çamëri, rileximi i Qosjes bëhet domosdoshmëri intelektuale dhe kombëtare. Ai na kujton se pa vetëdije historike, pa pajtim kombëtar dhe pa dinjitet kulturor, një komb rrezikon të humbasë jo vetëm drejtimin politik, por edhe shpirtin e vet. Për lexuesin e Mekuli Press, kjo intervistë është më shumë se një dokument kohe; është një thirrje për reflektim, kthjellim dhe përgjegjësi kombëtare.

Nëse vlerësoni gazetarinë tonë të pavarur, na mbështetni me një "kafe" simbolike për të mbajtur Mekuli Press të lirë nga çdo ndikim!

☕ Mbështete sot MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare

Më poshtë MekuliPress sjellë intervistën e Rexhep Qosjes dhënë “Zëri i Amerikës”, më, 26.11.1990

Rexhep Qosja:

Gjatë udhëtimeve të mia mendore nëpër kohën dhe hapësirën e qenies së popullit shqiptar mburrem për mënyrën e denjë si e ka pushtuar historinë, por edhe pikëllohem për gjendjen në të cilën, si Komb, gjendet sot. Ne e kemi historinë e lavdishme, por e kemi të sotmen dramatike! Jemi komb që pasojat e historisë i pëson sepse nuk i kemi sendërtuar siç kemi dashur synimet tona kombëtare historike; jemi komb që bashkëkohësinë ende e jeton si barrë sepse ende nuk mund ta gëzojë jetën në liri. E kemi rëndë, shumë rëndë!

Pozita jonë gjeopolitike e ka kushtëzuar dramën tonë të vazhdueshme historike. Duke jetuar të stisur mes Lindjes dhe Perëndimit, mes pushtuesve lindorë dhe perëndimorë, të rrahur prej valëve të krishterimit dhe të islamizmit, të ideologjive dhe të politikave të ndryshme, shekujt na kanë kaluar në luftë për t’u mbajtur gjallë, për të ruajtur identitetin dhe integritetin kulturor dhe kombëtar. Për këtë arsye jemi gjetur në situata historike: të kërkojmë mbështetje herë në njërën e herë në anën tjetër; të përkrahim e pranojmë mostra politike, ideologjike e kulturore që s’përputhen me traditat tona; të bëjmë gabime që na kanë sjellë shumë pasoja. Dhe ashtu i jemi shmangur përparimit evropian në jetën tonë; dhe ashtu s’e kemi artikuluar mirë zërin e historisë; dhe ashtu kemi humbur shumë kohë historike!

Lexo po ashtu:  Zvicër-Francë-Gjermani: Festohet hapja e kufijve pas 3 muajsh bllokimi

Sot të gjitha këto po i shohin ata që duan të shohin!

Dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit XX populli shqiptar e pret në një gjendje politike, sociale dhe ekonomike të vështirë, kurse në një pozitë kombëtare historike hiç më pak se tragjike. Gati krejt shekulli XIX, si edhe kombeve të tjera të vogla evropiane, na ka kaluar në përpjekje dhe luftë për krijimin e shtetit të pavarur kombëtar, por shtetin kombëtar kemi arritur ta krijojmë vetëm prej gjysmës së trojeve etnike dhe prej gjysmës së popullit. Kemi mbetur të ndarë në dy, në të vërtetë të copëtuar në pesë shtete ballkanike. Ata që do të donin ndarjen t’na e bënin fat të gjithmonshëm tragjik; Ne, në Jugosllavi, na quajnë pakicë kombëtare a “kombësi” sado ne duhet të quhemi Komb i ndarë!

Dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit XX Kombi shqiptar e pret jo vetëm si komb i ndarë, në disa shtete, por edhe si komb i shpërndarë në të katër anët e botës: në Itali, në Turqi, në sa vende të Evropës Perëndimore, në SHBA, në Kanada, në Australi! Migrimet dhe emigrimet, shpërnguljet dhe ikjet, për shkak të vuajtjeve sociale dhe për shkak të vuajtjeve politike, janë bërë kob në jetën tonë. Dhe janë gjithnjë e më masive! Këto braktisje të trojeve kombëtare e molisin keq organizimin tonë kombëtar, sepse në botë na shkojnë pjesëtarët më krijues dhe më të shëndoshë të Kombit. Nënat tona, prandaj, i gëzohen lindjes, por si t’i gëzohen edhe rritjes së fëmijëve!

Lexo po ashtu:  Manifestimi mbarëkombëtar shqiptar ‘Dita e Plisit’ shënon edicionin e gjashtë

Dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit XX, Kombi shqiptar e pret ende pa i gëzuar frytet pozitive të qytetërimit modern, pa i gëzuar, sidomos, të drejtat dhe liritë e njeriut. Pjesëtarët e tij ende se kanë provuar demokracinë parlamentare; ende s’kanë dalur në zgjedhje të lira, demokratike; s’u është dhënë mundësia të zgjedhin mes programeve të ndryshme politike, ekonomike, sociale e kulturore të partive të ndryshme; s’e kanë provuar iniciativën e lirë; as konkurrencën e aftësive; s’kanë ecur të pambikëqyrur e të parrezikuar nëpër hapësirat e mendimit dhe të shprehjes së lirë, të pacensuruar dhe të pavetëcensuruar. Polici ka mbetur ende zot i rendit; poltronizmi politik–autoritet, kurse kërbaçi–simbol i lirisë në jetën tonë!

Dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit XX, gjysma e Kombit shqiptar, ajo gjysma që jeton në Jugosllavi, e pret si populli kombëtarisht më i shtypur dhe më i shfrytëzuar në botë! Terrori shtetëror, plagosjet, vrasjet, dënimet, diferencimet, burgjet, izolimet, helmimet e organizuara, ekspeditat ndëshkuese në fshatra, nxjerrjet masive të punëtorëve prej pune; të mjekëve, të mamive dhe të infermiereve prej spitaleve, shtypja mbi arsimin e kulturës – të gjitha këto përbëjnë kushte gjenocide në të cilat është e dënuar të jetojë sot kjo gjysmë tremilionshe e Kombit shqiptar! Në qoftë se njëra gjysmë e Kombit shqiptar, që jeton në Shqipëri, ka pavarësinë kombëtare, por ende jo edhe liritë dhe të drejtat njerëzore, politike e demokratike në pushtimin e të cilave sapo është nisur, gjysma tjetër, që jeton në Jugosllavi, bën jetë tragjike nën okupacionin e Serbisë, që në politikën ndaj shqiptarëve ka bashkuar brutalitetin bolshevik dhe shovinizmin tradicional kundërshqiptar!


Gjendje kombëtare tragjike!
Kam drojë se kjo gjendje mund të zgjasë në qoftë se si Komb nuk i mobilizojmë të gjitha fuqitë mendore e morale për ta ndryshuar atë dhe, ashtu, për t’u aftësuar që të përballojmë sfidat me të cilat do të ndeshemi në këtë dhjetëvjetësh të shekullit.
Kam drojë se kjo gjendje mund të zgjasë në qoftë se nuk krijojmë vetëdijen se rrugëdalje duhet të jenë: drejtimi evropian i zhvillimit, liria dhe demokracia, parlamentarizmi shumëpartiak, mbështetja në dijen, nderin, energjinë e çliruar shpirtërore, morale e politike të krejt popullit.

Lexo po ashtu:  11 fakte për të kuptuar konfliktin Izrael-Gaza

Kam drojë se kjo gjendje mund të zgjasë në qoftë se nuk krijojmë një program kombëtar mbi synimet historike dhe demokratike të Kombit shqiptar!

Kam drojë se kjo gjendje mund të zgjasë në qoftë se nuk i hudhim flamujt ideologjikë dhe s’arrijmë pajtimin gjithëkombëtar, duke e pastruar kujtesën historike dhe duke u çliruar prej shtysës së hakmarrjeve politike dhe ideologjike. Në betejë me vëllain, dihet, nuk korret fitore, por vetëm pësohet disfatë! Pajtimi, domethënë bashkimi, dihet, bën fuqinë.

Kam drojë se kjo gjendje mund të zgjasë në qoftë se në valën e tanishme, sigurisht të fundit, të emancipimit kombëtar dhe të krijimit të shteteve të reja kombëtare në Evropë, nuk e ndryshojmë fatin tonë të sotëm dhe në Evropën e popujve të bashkuar nuk hyjmë edhe Ne, shqiptarët në Jugosllavi, domethënë Kosova, me të drejtën e njohur të vetëvendosjes që do të sjellë bashkimin aq të dëshiruar të Popullit shqiptar.

Jam i brengosur për fatin tonë, por nuk jam pesimist.

Në jetën e kombit shqiptar gjithmonë kam adhuruar; krenarinë me të cilën i ka duruar tragjeditë; qëndresën me të cilën ka ecur nëpër shekuj; vendosmërinë me të cilën është përpjekur për sendërtimin e qëllimeve të veta liridashëse!

Në atdhetarizmin shqiptar gjithmonë kam adhuruar gaditshmërinë e flijimit për të mirën dhe ardhmërinë e Atdheut.

I besoj misionit të madh të popujve të vegjël.

Besoj se e nesërmja e kombit shqiptar do të jetë larg më e mirë se e derisotmja.

Ashtu qoftë!

Zëri i Amerikës
26.XI.1990
/MekuliPress.com/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com