Nga Jak Simoni

Siç dihet, e enjtja e tretë e çdo nëntori është Dita Botërore e filozofisë, shpallur prej më se dy dekadash nga UNESKO. Në këtë ditë organizohen konferenca e aktivitete te ndryshme, kryesisht në institucione te arsimit  të lartë. Ka disa vite që dhe në vendin tonë këtë ditë ka pasur shkrime dedikuar filozofisë në disa media të shkruara dhe për këtë duhen falënderuar. Meqenëse  çdo vit kam zgjedhur nga një filozof të shquar,  këtë vit po zgjedh filozofin latin, Senekën. Ai ka lindur në Kordova v.4 E. Re, por aktivitetin e tij e zhvilloi kryesisht në Romë. Është koha, kur mendimi filozofik ishte transferuar nga Greqia në qendër të perandorisë romake. Për këtë është një thënie e Oracit: “Vërtetë romakët pushtuan Greqinë me shpatë, por ishte arti grek që i pushtoi romakët”. Po sjell shkurtimisht mendimin e tij, kryesisht për virtytin.

Për Seneken, i cili ishte mësues i perandorit Neron, mëshira është në kah të kundërt të sëmundjes së tiranit që është dëliri. Është filozofi që si këshilltar i princit kontribuon në vetë dominimin e tij që është si garanci për dominimin e të tjerëve (Para se të qeverisësh të tjerë, duhet të jesh në gjendje të ‘qeverisësh’ vetën). Por me Neronin nuk ia arriti dhe, i akuzuar nga ai për një komplot, u detyrua të vetëvritej. Mendimi i tij është mjaft i larmishëm,  por po ndalojmë tek virtyti i miqësisë dhe dhe disa këshilla të tij që kanë ngelur si fjalë të urta.

Lexo po ashtu:  Epoka e Albin Kurtit

Në një letër Lucilios, shprehet: dhe ai që është i vetëmjaftueshëm, do që të ketë një mik për të ushtruar miqësinë, për arsye se miqësia është një virtyt i lartë. Nuk e bën për motivin e deklaruar nga Epikuri në një letër, që miku të gjendet pranë në sëmundje, në burg ose në mjerim, por që ti të kesh mundësinë  të asistosh mikun në sëmundje, në burg, ose ta lirosh n.q.s. është i kapur rob nga armiqtë dhe duke rrezikuar jetën. N.q.s. dikush shqetësohet vetëm për vete dhe bën miqësi gabohet. Miqësia do të mbarojë ashtu siç ka filluar: ke bërë një mik që të ndihmojë në burg; sa të dëgjojë zhurmën e hekurave, ai do të zhduket. Janë miqësi oportuniste: miqësi të bëra  për interes zgjasin vetëm sa nevojiten. Kështu n.q.s. njëri ka sukses, e rrethojnë një mori njerëzish, kur bie në hall ngelet vetëm: miqtë i zhduken në momentin e provës; për këtë ka shumë shembuj të neveritshëm njerëzish që lënë mikun nga frika, e të tjerësh që po nga frika e tradhtojnë. Kush është bërë mik për interes,  për interes pushon së qeni. Sipas tij, ka shumë njerëz që gëzohen që kanë shumë  skllevër, por janë skllevër të shumë padronëve.

Lexo po ashtu:  Ne shqiptarët e sotëm, të 100 vjetëve të fundit, nuk meritojmë dy gjëra: gjuhën shqipe dhe Skënderbeun.

Ja disa mësime të tij: Dija është e hapur për të gjithë, të gjithë jemi në mënyrë të mjaftueshme të lartë për ta arritur, ajo nuk përbuz, nuk zgjedh kënd, shkëlqen për të gjithë. Nuk duhet të shpërndahesh gjithkund, sepse kush gjendet gjithkund, gjendet askund. Shpirti  sa më shumë merr aq më shumë zgjerohet. Dija e formon dhe e mpreh shpirtin. Nuk ka moshë për të mësuar. Të mësuarit nuk është në raport me moshën por me injorancën që një njeri ndjen që  ka. Koha është thesar. S’ka gjë tonën përveç kohës. Natyra na ka bërë padron  vetëm të asaj që të lë (kohës). Kush di të jetojë di të vdesë. E vetmja gjë që nuk humbim kur ai formohet tek ne është virtyti. Dhe së fundmi; nuk është I varfër ai që nuk ka , por ai që nuk ngopet. Ditë të këndshme filozofike!