Si sot, 15-të vite më parë, në New York, ndërroi jetë shkencëtarja, studiuesja, piktorja, arkeologia, Prof.Dr. Safete S. Juka.

Kam pasur fatin të jem takuar disa herë me këtë zonjë të rrallë, që duhet të jemi krenarë që është shqiptare. Ruaj për të një respekt dhe konsideratë të veçantë.

Sa e ditur dhe enciklopediste që ishte, aq ishte dhe e thjeshtë. Kish të kultivuar nga familja një dashuri të thellë për mbarë kombin dhe ishte angazhuar totalisht në zgjidhjen e padrejtësive dhe mizorive që i bëheshin Kosovës sonë tejet të martirizuar e terrorizuar nga barbarët serb.

Ka bërë shumë shkrime e studime, të cilat i ka botuar në revista e gazeta me emër si : “Ectrits de Paris”, “Relitess”, “The French Revieë “, “Revue Francaise”, “Le Mond”, “East Europian Quartely”e sa e sa të tjera; duke mos harruar dhe gazetën “Dielli “, “ILYRIA”, “Koha e jone”, etj..

Ajo jo vetëm që zbuloi kopjen e vetme në Bibliotekën e Harvardit të librit “Albanians’ Golgotha”, të Freundlich, me të cilin njihej personalisht, por dhe e përktheu në anglisht dhe e shpërndau në gjithë kancelaritë e botës, për ta bërë të njohur kudo të drejtën e popullit tonë kosovar, autokton në ato troje, që kur është krijuar njerëzimi.

Lexo po ashtu:  Si sot, 466 vjet më parë, në vitin 1554 nisi rrugën e vet fjala e shkruar shqip...

E mbylli jetën e saj me një studim shkencor të bazuar vetëm në fakte e dokumente për Kosovën, që e kish aq për zemër.

E kanë çmuar dhe vlerësuar punën e saj, si dhe ja kanë ditur vlerën, personalitete të tilla, si studiuesi Mojkom Zeqo, e shumë të tjerë.

Besoj se aty ku prehet, në tokën që e lindi, në Shkodrën loce, e ka ndjerë shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, të cilën e mori peng në varr! Ajo si shumë figura të mëdha kombëtare, kjo Rilindase e ditëve tona do të gëzohet aty ku ka shkuar të pushojë, kur të mësoje se Kosova ju bashkëngjit trungut Amë; një ëndërr e saj, një realitet i pritshëm nga gjithë ne në një kohë sa më të afërt.

I qoftë e lehtë balta e tokës mëmë, me shpresë se një ditë, në atdheun tonë do të vendosen në vendin e merituar njerëzit e vërtetë që na bëjnë krenarë ta ndjejmë veten bashkëkombas të tyre!

Me erdhën ndër mend vargjet e Fishtës, poetit tonë Kombëtar, që dhe Dr. Safete Juka e kish aq për zemër dhe e vlerësonte shumë, që mendoj aq shumë i përkasin Asaj:

Lexo po ashtu:  Sot 95 vjet nga vrasja e patriotit Luigj Gurakuqit - Dora e tij shkroi alfabetin e miratuar nga Kongresi i Manastirit.

“Dersa t’mundem me ligjrue

E sa gjall me frym un jam,

Kurr, Shqypni , s’kam me t’harrue,

Edhe n’vorr me t’përmend kam.”

Kjo Zoje e rrallë, për nga dijet dhe e shquar për patriotizmin e lartë, la amanet që kursimet e saj të shkojnë në adresë të Bibliotekës Kombëtare në Atdhe; ndërkohë që shkuan, u muarën nga institucioni, nuk kemi dëgjuar të paktën të jetë vendosur një pllakë në kujtim të këtij xhesti tepër të lartë, fisnik e shembullor. A nuk është vendi këtu që t’i propozohet gjithashtu Presidentit të Republikës për t’i dhënë titullin e lartë “Nderi i kombit” (është kërkuar dhe më parë në artikuj të ndryshëm për të nga intelektualë të ndryshëm), por deri sot nuk është bërë asgjë. Ndërkohë edhe Qeveria e Kosovës, e theksoj që Kosova ishte shpirti i saj, e për të punoi e sakrifikoi tërë jetën, duhet të bëjë diçka në nderim të kësaj figure në përmasa të mëdha patriotike. /voal/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *