Kohëzgjatja e leximit: 6 minuta

Serbia prodhon dronë e raketa, ne prodhojmë armiq
Gëzim Mekuli, magjistër i shkencave të mediave dhe retorikës, Oslo.
Ndërsa Serbia po investon në industrinë ushtarake dhe po hap fabrika për dronë, ne në Kosovë po harxhojmë energji publike duke e kthyer njëri-tjetrin në «armik» e «tradhëtar». Hiq më larg se dje, Aleksandar Vuçiq njoftoi hapjen e një fabrike për montimin e dronëve izraelitë dhe zgjerimin e një fabrike armëve luftarake në Kurshumli, pra krejt afër kufirit me Kosovën.

Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.

☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.

Unë mendoj se kjo që po bënë Serbia nuk është vetëm një lajm i rëndomt; Këtu duhet të bëjmë një pyetje politike, mediatike dhe retorike; çfarë po ndërtojmë ne shqiptarët, ndërkohë që serbët po ndërtojnë fabrika dronësh krejt afër kufrit tonë?
Nëse Serbia po ndërton fabrika dhe teknologji ushtarake, ne, shqiptarët, po ndërtojmë diçka tjetër: «fotografinë e armikut» brenda vetes.

Pse e them këtë e pse mendoj kështu?
E them këtë dhe mendoj kështu sepse Presidentja/Presidenti ynë, brenda ditës, bëhet armik; Kryeministri ynë bëhet armik dhe tradhëtar; Deputeti ynë shqiptar bëhet armik; Opozita bëhet armike. Pra kundërshtarin e një partie tjetër e shndërrojmë në «kërcënim për Kosovën»; Bile-bile edhe figura të dëshmuara luftës dhe heronj të UÇK-së futen në këtë luftë primitive politike, ku edhe lufta jonë çlirimtare (keq)përdoret si municion për ta rrëzuar shqiptarin që nuk mendon si ti. E tmershme!

E këtë nuk mund ta quajmë sall gjuhë të ashpër; Këtu po ndërtohet «fotografia e armikut», e kjo fotografi e zezë po ndërtohet përmes gjuhës: NE dhe ATA, racionalja dhe irracionalja, mbrojtja dhe agresioni, civilizimi dhe barbaria, NE të mirët dhe ATA të këqinjtë.

Lexo po ashtu:  Chomsky: SHBA është paralajmëruar prej 30 vitesh për atë që po ndodh në Ukrainë. Këto janë dy skenarët e mundshëm

Kundërshtari politik po na paraqitet si kërcënim, ndërsa NE jemi viktimë, NE si mbrojtës dhe si palë e mirë, e ATA të tjerët, si dreqër me bishta e armiq të Kosovës; Mos të harrojmë se kjo logjikë armiqësore po depërton thellë edhe në familje, përpos politikës.

E bash këtu qëndron edhe rreziku; Sepse nëse kundërshtari politik nuk shihet më si kundërshtar, por si armik, debati demokratik po zhduket; Nuk diskutohet më për programin politik; Nuk krahasohen më argumentet. Nuk kontrollohet më pushteti e as korrupcioni. Fillon gjykimi moral i personit; dehumanizimi; «Ai është kundër nesh.» «Ajo është kundër Kosovës.» «Ata janë tradhtarë.» Dhe kështu, dhelpërisht, po krijohet ndarja mes nesh, shqiptarëve: NE kundër ATYRE. E tmerrshme!

Pastaj vjen rreziku tjetër: nëse «ATA» janë problemi, atëherë gjithçka që vjen prej atyre duhet të jetë e keqe. Apo jo? Nëse «NE» jemi patriotët, atëherë çdo kritikë apo fjali kundër nesh do të shpallet tradhti ndaj Kosovës dhe shqiptarëve; E kësaj pune i thonë propagandë, sepse mungon argumenti.

Lexo po ashtu:  Gazetaria shqipe është e varur nga lajmi serb dhe grek

E kjo është retorika e dreqit; retorika e rrezikshme e dreqit, ku kundërshtarin duhet ta paraqesësh aq të keq, aq të rrezikshëm dhe aq të papranueshëm në hapsirën shqiptare, saqë ai të duket si vet Millosheviqi, Arkani apo Vuçiqi. E papranueshme!

Kush e ka fajin e madh këtu? Natyrisht, të gjithë nga pak por, mediat kanë përgjegjësi të veçantë e të madhe, shumë, shumë të madhe. E kam argumentuar që para 30 viteve se media mund ta çmontojë fotografinë e armikut por, por media mund edhe ta sajoj fotografinë e armikut.

Ky dallim është vendimtar; Sepse kur një popull fillon të mendojë sikurse: NE dhe ATA, ai komb humb aftësinë për të parë kompleksitetin e ngjarjeve. Dhe pikërisht këtu fillon dëmtimi ynë kolektiv; Në vend që të kritikojmë një vendim të gabuar të partive, opozitës apo qeverisë, sulmojmë qeverinë me gurë, zjarrë e hekur; Në vend që të kundërshtojmë një deputet, sulmojmë personalitetin e tij; Në vend që të diskutojmë një institucion, e shpallim institucionin «të kapur», «tradhtar» apo «armiqësor». Në vend që ta mbrojmë UÇK-në nga manipulimi politik e nga Serbia, ne vet e përdorim UÇK-në si municion për ta rrëzuar përtoke njëri-tjetrin.

Kështu, përditë e pak nga pak, dëmtohet vetë Kosova që pretendojmë se po mbrojmë. Dhe ndërsa ne merremi me njëri-tjetrin, energjia jonë po shpenzohet në sharje, akuza dhe luftërave të gjalla e primtive në televizion, radio e nëpër mediat sociale; E si pasojë, pakkush po pyetse si të forcohen institucionet e Kosovës sikurse, ekonomia, arsimi, ushtria, siguria dhe diplomacia; Ai/Ajo, populli pra, pyet vetëm se kush është «I YNI» e kush është «I ATYRE».

Lexo po ashtu:  Kurti për Kishën Ortodokse serbe në Kosovë: “Jam i vetmi kryeministër që i kam dy vjet mandat dhe ata refuzojnë të takohem”.

Kjo, padyshim, është fitore e retorikës së konfliktit brenda nesh si komb politik. E kjo po ndodhë gjersa unë po e shkruaj këtë trajtesë.
Mendoj se lajmi për fabrikat serbe të dronëve duhet të na bëjë të mendojmë jo vetëm për sigurinë tonë, por edhe për kulturën tonë politike dhe të komunikimit publik; Sepse kur Serbia po investon në ushtri; ne nuk mund t’i përgjigjemi kësaj pune duke e rrëzuar njëri-tjetrin, duke e dëmtuar shtetin dhe duke e shndërruar çdo kundërshtar politik në «armik» e «spiun të Serbisë», apo jo?

Kritika le të mbetet kritikë; Kundërshtari duhet të mbetet kundërshtar; Institucioni duhet të jetë më i madh se individi. Dhe UÇK-ja nuk duhet të bëhet municion për luftën politike të ditës.
Konsekuent deri në fund; Pyetja që duhet t’ua bëjmë mediave, politikanëve dhe vetes është e thjeshtë; Kush dreqi po na mëson ta shohim njëri-tjetrin si armiq, spiunë e tradhëtarë?

Media apo politika?

Vini re! Qëndrimet e shprehura në këtë shkrim i përkasin ekskluzivisht autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pozicionin apo linjën editoriale të redaksisë.
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com