Këtë javë në Shtetet e Bashkuara e gjithë vëmendja është përqëndruar tek shëndeti i Presidentit Donald Trump pasi ai dhe disa persona të rrethit të tij të ngushtë, përfshirë Zonjën e Parë Melania Trump, u testuan pozitivë me COVID-19. Një nga pyetjet që shtrohet është se si gjendja shëndetësore e presidentit do ta ndryshojë garën për Shtëpinë e Bardhë, kur mbetet vetëm një muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve.

Ka shumë të panjohura rreth shëndetit të Presidentit Donald Trump, përfshirë atë se si beteja e tij ndaj COVID-19-s, do të ndikojë tek fushata presidenciale përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit. Sipas universitetit Johns Hopkins, më shumë se 35 milionë njerëz në të gjithë botën janë infektuar nga koronavirusi i ri. Gjatë një video-mesazhi nga spitali të shtunën në mbrëmje, zoti Trump e lidhi betejën e tij personale kundër virusit, me një mision për të ndihmuar të tjerët.

“Kjo është diçka që ka ndodhur. Dhe u ka ndodhur me miliona njerëzve në të gjithë botën. Unë po luftoj për ta. Jo vetëm në Shtetet e Bashkuara unë po luftoj për ta në të gjithë botën. Ne do ta mundim koronavirusin, sido që doni ta quani, e do t’i japim një goditje përfundimtare“, tha Presidenti Donald Trump.

Lexo po ashtu:  Skandal i pashembullt: Prokuroria Speciale e Kosovës e përfshirë në falsifikime dhe manipulime - Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu denoncon rëndë!

Të dielën, ekipi i mjekëve të presidentit tha se ata po e trajtonin zotin Trump me steroidin deksametazon dhe se ai mund të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë të hënën.

Sëmundja e presidentit vjen ndërsa ai dhe kundërshtari i tij, ish-Nënpresidenti Joe Biden kanë hyrë në katër javët e fundit të fushatës. Zyrtarët e fushatës së zotit Biden njoftuan se kishin hequr nga transmetimi reklamat negative ndaj presidentit, pasi ky i fundit njoftoi se ishte infektuar nga koronavirusi. Ndërkohë të mërkurën e kësaj jave është planifikuar të zhvillohet debati mes Nënpresidentit Mike Pence dhe kandidates demokrate për këtë post, senatores Kamala Harris.

Shumë sondazhe në rang kombëtar tregojnë se zoti Biden ndodhet në avantazh ndaj rivalit të tij.

Por si do t’i ndryshojë gjendja shëndetësore e presidentit javët e mbetura të fushatës?

Infektimi i presidentit nga koronavirusi ka detyruar kampin e zotit Biden të përqëndrohet në dy qasje në të njëjtën kohë, duke treguar shqetësim rreth shëndetit të zotit Trump, ndërsa vë theksin gjithashtu edhe tek kontrasti i stileve të udhëheqjes mes dy kandidatëve.

Lexo po ashtu:  Kryeministri, jo në ardhje, por në mbetje, Kurti me ceremoni shtetërore e merr detyrën si kryeministër nga Avdullah Hoti

“Kjo nuk është çështje politike. Kjo ka të bëjë me shëndetin e presidentit të Shteteve të Bashkuara i cili duhet shërohet sa më shpejt të jetë e mundur. Dhe për sa i takon fushatës tonë, ne do të vazhdojmë të theksojmë stilin e udhëheqjes së Joe Bidenit, përvojën e tij, aftësinë e tij unike për ta bashkuar vendin, për të gjetur gjuhën e përbashkët, konsensusin e për t’i çuar gjërat përpara“, thotë Kate Bedingfield, zëvendës menaxhere e fushatës së zotit Biden.

Jason Miller, një nga këshilltarët kryesorë të fushatës së zotit Trump, thotë se presidenti ka marrë shumë masa paraprake dhe se ai dha prova se ishte një udhëheqës, në luftën kundër virusit.

“Nuk mund të qëndrojmë në bodrum për gjithë jetën, siç e kemi parë këtë gjë me Joe Bidenin. Duhet të dalim e të jetojmë. Duhet të luftojmë e të prodhojmë vaksinën, të zhvillojmë më shumë terapi e ta mposhtim koronavirusin“, thotë ai.

Për Presidentin Trump, ky moment mund të jetë një mundësi për të arritur tek votuesit e pavendosur të cilët mund të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve, thotë Alice Stewart, eksperte e politikave konservatore.

Lexo po ashtu:  Kryeministri Kurti: Sulmet ndaj Jasharajve ishin ndërmarrje e përbashkët kriminale e Serbisë

“Ai duhet të tërheqin votuesit e pavendosur. Duke dalë me një ton më të dhembsur, duke pranuar seriozitetin e kësaj pandemie sigurisht, që do të ndikojë tek ndryshimi i qëndrimit të atyre që janë të pavendosur, e që nuk kanë marrë ende një vendim”, thotë ajo.

Por një gjë është e sigurt, askush nuk e di se çfarë do të ndodhë me betejën e nxehtë zgjedhore për Shtëpinë e Bardhë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *