“Tani kur qëndron në mes të këtij llumi kaq të shëmtuar, puna është: Të rrosh apo të mos rrosh? Më mirë është vallë të përballish shpifje, poshtërsira, përleshje, hidhërime, dëshpërime, shufra, gënjeshtra, vuajtje të ndryshme shpirtërore dhe shumë e shumë marrëzi të tjera njerëzore, apo të vdesish, të flesh gjumin e vdekjes, të ëndërrosh hiçin, të mos luftosh me detin e  trubullt, t’i thuash vehtes ndal e Botës t’i japish shkelmin?

Po! Më mirë është vallë t’i shikosh zuzarët e turmës të vriten për një kockë, të kthehen nga fryn era e të të përbuzin për një shpifje, oh, po! Apo më mirë është t’i mbyllish sytë për gjithnjë e jetës t’i thuash: “Mjaft me kaq?!”

“…Deh, pusho, moj zemër e copëtuar! Mos rënko më! Ti duhet të rrosh! Të rrosh që t’i kallzosh botës të vërtetën, për të dënuar keq shpifjen! Po, të rrosh!..
Të rrosh, që t’i thuash turmës, se midis njerëzve, ka  të tillë, që janë hipokrit e të kqinj! Ruaju prej tyre! E pastaj është rregull për ata: qofsh i çelniktë nga vullneti e si xhevair i pastër nga nderi, përsëri nuk shpëton dot nga shpifja! Shpifja është vegla më e mbaruar në duart e njeriut shpirtëkazmë për të shnderuar tjetrin! Të rrosh që ta mësosh turmën për të jetuar me arsyen e saj, përndryshe le të vdesin varret le t’i hapin që sot, vdekjes le t’i përkulen me të shpejt, se ajo i ngushëllon njerëzit zemërljepur!

Të rrosh, po të rrosh si një kreshnik ndërmjet egërsirash: Puno për ideal, fol për të vërtetën, shkel mbi kërma pa mëshirë dhe lufto shpifjen, padrejtësinë, gënjeshtrën! Të rrosh! Të rrosh për të shlyer njollën, që ta ngjitën “miqt” e tu të ngushtë. Të rrosh sa t’ua mbushish kokën budallenjëve se njeriu i dobët shpif, shpif edhe gënjen! Tek ai s’ka pastërti morale! Të rrosh, po, të rrosh si me forcë përmbinjerëzore gjersa të krijohet një jetë e re me njerëz të rinj! Pra jeto, jeto edhe puno për idealin e caktuar! Mbylli sytë e mos dëgjo marrëzirat e njerëzve të dobët: veç papërfilljes, asgjë tjetër nuk i pret! Hesht, se të gjithë këta erë vdekjeje po përhapin! Hesht, se të gjithë këta erë shpifje po kutërbojnë! Ec, udhëto, lufto, jeto, por mos u beso!…” /MekuliPress/ Nëse e keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *