Marrëdhëniet at’ e bijë, fatmirësisht në shumësinë e rasteve janë unike, të trajtuara me një përkujdesje të admirueshme dhe të shpërblyera me një çmim ëndërrimesh. Në themel të saj është dashuria, është gjithçka që shndërrohet tek ajo një shkas për ta parë dhe trajtuar botën mashkullore nën imazhin e këtij babai.

Fatkeqësisht, në mendjen, zemrën dhe jetën e shumë grave, babai, ky mashkulli i jetës dhe gjakut të saj, ky burr i pari dhe më i shtrenjti, është imazhi më i errët dhe tharmi i një urrejtje që përndjek gjithë meshkujt që hyjnë dhe dalin në jetën e saj.

Për shumëkënd një definicion i tillë ngjason me një lojë trilli fjalësh, por për fatmirat dhe fatkëqijat që aftësia e të mendurit dhe të gjykuarit të gjendjeve dhe botkuptimit, ka premisën të tejkalojë caqet e rutinores, t’i mundësojë të shohin përtej perdes së territ ku mendësia dhe paragjykimi mbajnë të robëruar, do të njimenden, duke u ndjerë të shpërblyera dhe të ndëshkuara.

Një baba i mirë, i dashur, sakrifikues, kultivon në zemrën e bijës së vet, një nënë të dashur dhe të përkushtuar, një bashkëshorte dinjitoze dhe fisnike, një mike dhe një kolege që arrin të komunikojë përmes artit të dashurisë dhe të sfidojë botën me duart e bekuara të përkujdesjes.

Lexo po ashtu:  Çfarë është 8 Marsi ? Dita e nënës apo dita e gruas?

Vitet, sjellin ndryshimin, por thellë babai mbetet po ai. Nëse ai sot nuk mund ta marrë më kalaqafë, tek ajo ky moment ka ngjizur një diell shkrepëtitës, ndoshta si pa vetëdijen e saj. Babai është përsëri ai rrugëkalim për në një botë dëshirimesh. Edhe pse me shumë vite në mes ky imazh, kjo përkujdesje, kjo shkujdesje, kjo dashuri janë aty dhe vajza tashmë grua kërkon ta gjej te bashkëshorti i saj, tek mënyra se si ai trajton atë si grua, si femër.

Ndoshta vitet kanë shuar diellin e atyre të qeshurave të shkujdesura dhe lojrave hokatare, puthjet në ballë e cikjet hundë me hundë, por thellë brenda tyre një vullkan diellues zien dhe gjithnjë ajo energji drite dhe dielli shpërthen, duke mbushur me ngrohtësi dhe me dritë gjithkund ky shpërblim ka qenë vullnesë shkëmbimesh t’epërme.

Bekuar qoftë ajo dashuri, përkushtim dhe përkujdesje që u dhanë me gjithë forcën e shpirtit, i ka dhuruar botës, një vajzë, një grua, një nënë, si themelin ku e tashmja dhe e ardhmja ngrenë të hajthshëm shtatin e besimit te mrekullitë e jetës.

Lexo po ashtu:  “Nëna” poezia e veçantë nga Giuseppe Ungaretti, kushtuar atyre që e kanë humbur nënën

***

Vështrimi dëshirues që babai i drejton mamasë së saj është përcaktues për vajzën për t’i kultivuar ndjenjën e dashurisë. Figura e babait e ndihmon vajzën të fitojë feminitetin dhe ta zhvillojë atë. Përmes fjalëve të tilla si: “Ti je vajza ime e bukur!”, “Sa bukur je veshur sot!”, përmes dhuratave (një kukull, një unazë për vajza të vogla, të luajnë së bashku apo të kalojnë orë të tëra pa prezencën e njerëzve të tjerë).

Vështrimi mashkullor është esencial, përderisa vajzat vetafirmohen në përballje me figurën atërore. Vajza e konsideron babanë si një matës nga i cili do mund të vlerësojë meshkujt e tjerë.

Nëse ai sillet mirë, është i dashur, i ndershëm dhe mbrojtës, është shumë e mundur që vajza të dëshirojë të shohë po këto cilësi edhe tek mashkulli i jetës së saj. Babai duhet të jetë admirues, krenar dhe të transmetojë një imazh pozitiv të vajzës.

Edhe pse babai ka një ndikim të rëndësishëm në jetën e vajzës si në sferën personale, profesionale dhe atë të ndjenjave, në stadin e adoleshencës zhvillohet një distancë midis tij dhe vajzës, e cila mbetet esenciale për përgatitjen e shtigjeve të reja në marrëdhënie me meshkujt e tjerë në jetën e së bijës. A.V/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Lexo po ashtu:  “Nëntë muaj je ushqyer nga gjaku i saj, ke marrë frymë nga oksigjeni i saj....", 8 thënie për nënën, fjala më e bukur në buzët e njeriut

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *