Simon Tisdall
/The Guardian/

Reagimi i parë i Donald Trump ndaj spektaklit shqetësues të Xi Jinpingut të Kinës, Vladimir Putinit të Rusisë dhe Kim Jong-un-it të Koresë së Veriut, që marshuan krah për krah në një paradë madhështore ushtarake në Pekin, ishte – siç pritej – tërësisht i përqendruar te vetja. Sipas tij, kjo shfaqje solidariteti dhe force nuk ishte gjë tjetër veçse një përpjekje për të “komplotuar” kundër Shteteve të Bashkuara. Trump pëlqen paradat ushtarake – por vetëm ato të tijat. Edhe më shumë i pëlqen të shfaqet në tribunë, në qendër të vëmendjes. Ai e sheh veten si figurën numër një në botë. Por imazhet që vinin këtë javë nga kryeqyteti kinez e sfiduan atë në çdo aspekt.

Kjo goditje ndaj egos së pasigurt të Trumpit, si edhe dobësia e dukshme e reagimit të tij, padyshim do ta kenë kënaqur Xinë. Qëkur mori detyrën në janar, Trumpi ka mbajtur një qëndrim agresiv, hakmarrës dhe përçmues ndaj Kinës. Veçanërisht, tarifat ndëshkuese tregtare të vendosura prej tij kanë shkaktuar shqetësime të paprecedenta. Edhe pse më të ashprat u pezulluan deri në nëntor, ato shpjegojnë këmbënguljen e përsëritur të Xisë se Kina është një komb krenar që nuk lejon të ngacmohet. Në të njëjtën kohë, Trump ka lënë të kuptohet se do të ishte i gatshëm për një samit ballë për ballë, thuajse si një nder i madh që ai po ia bën Pekinit. Parada e triumviratit në kryeqytetin kinez ishte përgjigjja e drejtpërdrejtë e Xisë.

Edhe sipas standardeve të Sheshit të Kuq, parakalimi ishte një demonstrim mbresëlënës i fuqisë ushtarake nga presidenti kinez. Salltaneti, himnet, marshimi i sinkronizuar deri në përsosmëri, tanket, artileria – dhe madje lëshimi i 80 mijë pëllumbave – dëshmonin për ritmin e shpejtë me të cilin Kina po i afrohet barazisë ushtarake globale me SHBA-të. Elementi më shqetësues për marinën amerikane që patrullon Paqësorin perëndimor ishte shfaqja e raketave hipersonike me kapacitet bërthamor dhe rreze të gjatë, si edhe e dronëve nënujorë. “Kina është e pandalshme”, deklaroi Xi. Duke kujtuar përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, ai shtoi: “Njerëzimi përballet sërish me zgjedhjen mes paqes ose luftës, dialogut ose përplasjes – fitim-fitimit ose lojës me rezultat zero”. Ishte një paralajmërim i qartë për Trumpin. Nëse ai do ta marrë parasysh, mbetet për t’u parë.

Lexo po ashtu:  Gëzohem dhe jam krenar me fitoret dhe me  vlerat shqiptare !

Pavarësisht madhështisë ushtarake, qëllimi kryesor i Xisë me këtë shfaqje politike, diplomatike dhe ushtarake ishte të projektonte rolin e ardhshëm udhëheqës global të Kinës – një rol që ai e ka parashikuar dhe ndërtuar prejse mori drejtimin e Partisë Komuniste në vitin 2012. Xi ka përqendruar pushtetin më shumë se çdo udhëheqës tjetër që nga Mao Zedong – një figurë të cilën ai e admiron, pavarësisht udhëheqjes katastrofike të këtij të fundit. Kritikat ndaj gabimeve të shumta të Xisë, mbi menaxhimin ekonomik, krizën e pasurive të paluajtshme, papunësinë dhe korrupsionin, kanë sjellë kufizime gjithnjë e më të ashpra mbi korporatat, median dhe liritë individuale. Në aspektin e kontrollit shtetëror, Kina është pa dyshim në krye. Ndërkohë, politika e jashtme e Xisë, veçanërisht ndaj Tajvanit dhe rajonit të Detit të Kinës Jugore, është gjithnjë e më ekspansioniste.

Fundjavën e kaluar, duke mbledhur dhjetëra liderë botërorë, fillimisht në samitin më të madh të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) dhe më pas në Pekin, Xi vendosi një pikë referimi që do të ndihet përtej Shtëpisë së Bardhë. Pjesëmarrja e liderëve të Turqisë, Indonezisë, Malajzisë, Pakistanit, Iranit dhe shumë fuqive të tjera në ngritje ishte një akt nënshtrimi ndaj fuqisë kineze. Edhe kryeministri indian, Narendra Modi, i shqetësuar nga tarifat e Trumpit, mori pjesë duke lënë mënjanë rivalitetet e vjetra me Kinën. Deklarata e përbashkët e SCO-së në thelb miratoi një rend të ri botëror në zhvillim, që sfidon rendin e vendosur pas vitit 1945, nën drejtimin dhe dominimin e Pekinit. Ky ishte konfirmimi më i fundit i vizionit triumfalist të Xisë për Kinën si fuqia kryesore e shekullit XXI.

Lexo po ashtu:  Kur vëllezërit janë të ngrirë: Emergjenca e hyrjes së shpejtuar të Kosovës në NATO, rruga si arrihet, roli i Shqipërisë

Nuk është për t’u habitur që Trump u ndje i mënjanuar. Por kush mund të mohojë se pikërisht antagonizmi i tij i pamatur dhe provokues – ndaj miqve dhe armiqve njëkohësisht – ka shtyrë kaq shumë vende të afrohen më shumë me Kinën? Megjithatë, mbetet e diskutueshme nëse aleanca e Pekinit, me triumviratin Xi-Putin-Kim në qendër, mund të mbijetojë në planin afatgjatë dhe të arrijë forma konstruktive bashkëpunimi që të shkojnë përtej aspektit ushtarak.

Putini ka nevojë për ndihmën e Kinës në Ukrainë, por Rusia ruan një frikë historike ndaj ekspansionizmit kinez. Edhe Kim Jong-un – i cili përbën burim shqetësimi për Pekinin me sjelljen e tij destabilizuese dhe varfërinë kronike të vendit – ka frikë nga dominimi i Kinës. Nga ana tjetër, si Putini, ashtu edhe Xi janë në të 70-at. Ata nuk do të qëndrojnë gjithmonë në pushtet, dhe sundimi i tyre është thellësisht i personalizuar. Pa ta, boshllëqet në të dy vendet bëhen të dukshme, dhe potenciali për përplasje të brendshme, aktualisht të fshehura, është shumë i madh.

Lexo po ashtu:  Bojan Gavriloviç: "Serbët i urrejnë kroatët, kroatët i urrejnë serbët, por serbët i nënçmojnë shqiptarët". Një shkrim shkruar nga një serb për politikat serbe ndaj shqiptarëve

Partneriteti i tyre trepalësh u përshtatet rrethanave të momentit, por nuk ka bazë ideologjike, intelektuale apo morale. Ata janë të bashkuar vetëm në kundërshtimin ndaj hegjemonisë amerikane, ndaj sistemit financiar të dominuar nga Perëndimi dhe dollarit, si edhe ndaj asaj që e konsiderojnë standard të padurueshëm universal të të drejtave të njeriut dhe lirive civile. Në thelb, të tre janë autoritarë antidemokratikë. Ashtu si populistët e ekstremit të djathtë në SHBA dhe Evropë, ata e dinë mirë çfarë nuk u pëlqen.

Pyetja është nëse ata dinë çfarë të vendosin në vend të asaj që duan të shkatërrojnë. A kanë ata ndonjë ide të realizueshme e të besueshme për struktura alternative globale që shkojnë përtej interesave kombëtare dhe përfitimeve personale? Shumë vende të rangut të mesëm, po t’u jepej mundësia, mund të ktheheshin sërish në orbitën e SHBA-së – sidomos nëse do të drejtohej nga një president më racional dhe më pak përçarës.

Në vitin 1945, kur u themelua OKB-ja dhe u ndërtua rendi aktual botëror, fuqitë perëndimore treguan vendosmëri që katastrofat e dy luftërave botërore të mos përsëriteshin kurrë. Ky qëndrim, sado i papërsosur, ishte themelor. Një ndjenjë e tillë mungon krejtësisht sot në llogaritjet pragmatike dhe spektakolare të triumviratit të Pekinit. Kjo nuk premton asgjë të mirë për botën. Duke parë Xinë, Putinin dhe Kimin, përkrah Trumpit izolacionist dhe nihilist, nuk është e çuditshme që disa komentues biblikë flasin për katër kalorësit e Apokalipsit: pushtimin, luftën, urinë dhe vdekjen.

Nuk është vështirë të kuptohet kush është kush.


WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com