Një studim i fundit ka zbuluar se njerëzit hanë pesë gram mikro dhe nanoplastikë çdo javë. Nga thellësitë më të largëta të oqeanit, deri në pjesën më të thellë të mushkërive, mikroplastika duket se ka pushtuar çdo pjesë të jetës sonë, duke përfshirë traktin gastrointestinal të njeriut. Universiteti Mjekësor i Vjenës ka publikuar së fundmi një studim në revistën Exposure & Health i cili sugjeron se mesatarisht pesë gramë grimca plastike hyjnë në traktin gastrointestinal të njeriut për person, në javë. Studimet e mëparshme kanë gjetur tashmë grimca në gjakun dhe organet e njeriut. Ndërsa mikroplastika është zbuluar se dëmton edhe foshnjat e palindura.

Çfarë janë mikroplastika?

Më shumë se 8.3 miliardë ton plastikë është prodhuar nga njerëzit që nga vitet 1950, 79 % e të cilave ka përfunduar në deponi dhe mjedisin natyror. Plastika e hedhur shpërbëhet në mikro dhe nanogrimca që hyjnë në rrugët ujore dhe tokën tonë. Mikroplastika, të cilat janë nga 0,001 deri në 5 milimetra në madhësi, dhe nanoplastika, të cilat janë më pak se 0,001 milimetra, përfundimisht hyjnë në zinxhirin tonë ushqimor nëpërmjet ushqimeve të detit apo edhe frutave dhe perimeve.

Lexo po ashtu:  Soda e bukës dhe përfitimet e saj në shëndet

Ato gjithashtu mund të hyjnë në trup kur ne pimë nga shishet plastike, me njerëzit që pinë 1,5 deri në 2 litra ujë në ditë nga këto shishe duke marrë 90,000 grimca plastike në vit. Një burim tjetër i këtyre grimcave janë mikrorruazat, të cilat përdoren qëllimisht në shumë produkte shëndetësore dhe bukurie. Hulumtimi i kryer nga OJQ-ja Plastic Soup Foundation (PSF) ka zbuluar se gati 9 nga 10 kozmetikë nga markat kryesore si L’Oréal Paris, Garnier, Nivea, Gillette, Oral-B, Head & Shoulders dhe marka të tjera përmbajnë grimca mikroplastike. Këto grimca gjithashtu gjejnë rrugën e tyre për t’u kthyer në trupin e njeriut sapo të hyjnë në rrugët tona ujore.

Çfarë rreziqesh shëndetësore janë gjetur?

Nëse mikro dhe nanoplastika e gëlltitur paraqesin rrezik për shëndetin, po hetohet në studime të shumta, por është kryesisht e panjohur deri më sot. Ekipi hulumtues në Universitetin Mjekësor të Vjenës ka përmbledhur gjendjen aktuale të njohurive shkencore në raportin e tyre, duke deklaruar se grimcat e gëlltitura që kalojnë nëpër traktin gastrointestinal çojnë në ndryshime në përbërjen e mikrobiomës së zorrëve. Këto ndryshime janë të lidhura me sëmundjet metabolike si obeziteti, diabeti dhe sëmundjet kronike të mëlçisë.

Lexo po ashtu:  Raporti i policisë: 6% e grave të dhunuara në Itali janë shqiptare

Çfarë mund të bëni për të shmangur hyrjen e grimcave në trupin tuaj?

Ngrohja e ushqimit me mikrovalë në enët kineze në vend të kontejnerëve plastikë dhe ajrimi i shtëpisë tuaj, janë disa nga zgjidhjet e propozuara për të minimizuar gëlltitjen e grimcave plastike. Shmangia e ambalazheve plastike kur blini ushqim mund të ndihmojë gjithashtu. Studimet kanë gjetur grimca në thasë çaji dhe madje edhe në oriz të gatuar paraprakisht. Është gjithashtu e rëndësishme të pini ujë të filtruar të rubinetit, pasi pothuajse përgjysmon grimcat e gëlltitura në krahasim me ujin në shishe.

Rrobat tona gjithashtu lëshojnë shumë grimca sintetike kur lahen. Një filtër që kap fibrat në lavanderinë tuaj mund të parandalojë larjen e mikroplastikës. Por është gjithashtu e rëndësishme të shmangni plotësisht fibrat sintetike dhe në vend të kësaj të zgjidhni materialet natyrore si leshi, mëndafshi dhe kërpi. Dhe sigurisht, mbështetja e politikave që synojnë të kufizojnë plastikën me përdorim të vetëm është gjithmonë e rëndësishme gjithashtu.

Edel Strazimiri

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *