Intervistë e Gëzim Mekulit në gazetën “Bota Sot”:

Nëse vlerësoni gazetarinë tonë të pavarur, na mbështetni me një "kafe" simbolike për të mbajtur Mekuli Press të lirë nga çdo ndikim!

☕ Mbështete sot MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar së fundmi se Kosova nuk duhet të fokusohet në atë se çfarë mendon Serbia, por duhet të përqendrohet në përmbushjen e kërkesave që vijnë nga Bashkimi Evropian për dialogun dhe procesin e integrimit.

Ai theksoi se çdo vonesë apo shmangie nga këto kërkesa mund të çojë Kosovën drejt izolimit më të thellë politik dhe ekonomik, duke e vendosur vendin në një pozitë të pafavorshme në arenën ndërkombëtare.

Sipas Ramës, kjo situatë është për t’u ardhur keq, duke qenë se mundësitë e zhvillimit dhe të avancimit drejt integrimit evropian nuk duhet të humbasin për shkak të bllokadave të jashtme.

“Kosova nuk duhet të mendojë Serbinë, nuk duhet të shohë Serbinë, nuk duhet t’ia dijë se çfarë bën Serbia, por duhet të bëjë pjesën e vet, duhet të bëjë detyrat e veta dhe duhet t’i japë Bashkimit Evropian, të gjitha atë fletoren me detyrat e bëra të shtëpisë dhe duhet të kërkoj të ec përpara. Domethënë, kjo nuk ka të bëjë me përmbushjen apo pranimin e asaj çfarë kërkon Serbia. Kjo ka të bëjë me pranimin e asaj çfarë kërkon Bashkimi Europian dhe ky dialog i ndërmjetësuar nga BE-ja, që është një dështim i madh, është dështim i madh sepse formati është i gabuar. E kam thënë që prej ditës së parë dhe kjo ndodh sepse është i bazuar në një parim shumë të thjeshtë. Vendet duhet të përmbushin kushtet që lidhen me vlerat, parimet dhe mënyrën e jetesës së Bashkimit Europian. Pra, në qoftë se Kosova do ta bëjë këtë, do të jetë në interesin e saj më të mirë, për të mos ta lidhur veten me Serbinë, për të mos menduar sa të kënaqur apo të pakënaqur do të jenë serbët, po thjesht ta bëjnë këtë gjë. Në të kundërt do të vazhdojë ta izolojë veten gjithmonë e më shumë dhe është për t’u ardhur keq”, tha ai.

Lexo po ashtu:  Kadare në “Le Monde”: Kam krijuar letërsi normale në një vend anormal

Mekuli: Rama kërkon që Kosova të bëjë lëshime në dialog

Gazetari dhe publicisti Gëzim Mekuli, në një përgjigje për “Bota sot”, deklarimet e Edi Ramës i cilësson të padrejta dhe ofenduese për Kosovën.

Sipas Mekulit, Rama manipulon kur thotë se Kosova merret me “çka mendon Serbia”, pasi shteti ynë fokusohet mbi veprimet agresive të Serbisë.

Mekuli e krahasoi retorikën e Ramës me veprimet e Esat Pashë Toptanit në 1914, duke akuzuar kryeministrin se për të ruajtur imazhin ndërkombëtar mund ta shtyjë Kosovën drejt kompromisesh të dëmshme.

“Deklarata e Ramës është e padrejtë, ofenduese dhe në thelb kapituluese. Kosova nuk izolon veten, përkundrazi është një shtet që ka rrëzuar pushtimin serb, ka ndërtuar institucione demokratike dhe është njohur ndërkombëtarisht. Rama manipulon kur thotë se Kosova merret me “çka mendon Serbia”. Jo, Kosova nuk shikon mendimin e Serbisë, por veprimet e Serbisë: 100 vjet pushtime, masakra, shpërngulje, dhunime dhe gjenocid, ky nuk është “mendim” i Serbisë; është veprim i Serbisë.

Serbia edhe sot financon struktura ilegale ushtarake në Kosovë dhe nuk e njeh shtetësinë tonë. Të injorosh terrorizmin shtetëror të Beogradit nuk është vizion, por amnezi historike. Për fat të keq, Rama sillet si një Esat Pashë Toptan modern, i cili ashtu si në 1914 nënshkroi marrëveshje me Nikolla Pashiqin për të ruajtur pushtetin e tij, ky sot përkëdhel, mirëkupton dhe vajton Serbinë për të ruajtur imazhin e tij në Beograd e në Bruksel.

Retorika e Ramës, e nënvizoj këtu përsëri, është një rikthim i logjikës së Esat Pashë Toptanit, i cili, për të ruajtur pushtetin e tij personal, nënshkroi marrëveshje me Serbinë (Nish, 1914) duke i falur territore shqiptare Kralevinës serbe. Edhe Rama, për të ruajtur pozitën e tij ndërkombëtare dhe për të marrë komplimente diplomatike, është i gatshëm të shtyjë Kosovën drejt kompromisesh të dëmshme e të pariparueshme. Në të dy rastet, atëherë në vitin 1914 dhe sot në vitin 2025, kemi të bëjmë me dy politikanë që shohin politikën shqiptare me dioptri të syzeve politike të Podgoricës dhe Beogradit. A do të ia arrijë Rama të prodhojë një “Esat Pasha të ri në Prishtinë” mbetet të presim…”, shprehet Mekuli.

Lexo po ashtu:  “Kanga e dhimbës krenare” – nga Migjeni

Mekuli hedh poshtë deklarimin e Ramës se Kosova po izolohet, duke thënë se Kosova nuk është duke u izoluar, por po mbrohet nga projekte si “Ballkani i Hapur” që i shërbejnë interesave serbe.

A është izolim fakti që Kosova i dha fund pushtimit të veriut të Kosovës nga bandat zyrtare të Serbisë dhe ndërtoi institucionet e veta? Apo “izolim” është kur Kosova refuzon të bëhet pjesë e projekteve të dështuara si “Ballkani i Hapur”, që synonin t’i shërbenin “Serbisë së madhe” dhe ambicieve të Vuçiqit?

Në të vërtetë, Kosova nuk është duke u izoluar, por duke u mbrojtur nga një projekt që rrezikon identitetin e saj shtetëror dhe sovranitetin kushtetues. Izolimin, po, e prodhojnë ata që për interesa personale bëjnë lëshime të dhimbshme ndaj Beogradit, duke i shitur ato si “integrim evropian”, potencon ai.

Më tej, ai shton se Rama po i bën presion të hapur Kosovës, duke kërkuar të bëjë lëshime në dialog.

“Po, është presion i hapur. Rama kërkon që Kosova të bëjë lëshime në dialog, jo për hir të Kosovës, por për të realizuar planet e dëmshme të Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Vuciqit për “Zajednicën”; projekt i Beogradit për të futur Serbinë brenda Kosovës me mjete jo vetëm politike. A do të pranojë Kosova që dinari serb të jetë monedhë zyrtare? A do të lejojë një sistem paralel arsimor e shëndetësor, jashtë normave të Kushtetutës së Kosovës por brenda Kushtetutës së Serbisë? A është kjo rruga e BE-së, apo rruga e kthimit të Serbisë brenda Kosovës?”, deklaron Mekuli.

Lexo po ashtu:  Senati amerikan nis punën për ndalimin e aplikacionit TikTok

Në fund, gazetari kritikon aleancën mes Edi Ramës dhe Aleksandar Vuçiqit, duke thënë se ata përpiqen të detyrojnë Kosovën të bëjë lëshime që nuk i shërbejnë popullit.

Sipas tij, Rama po izolohet nga vetë shqiptarët duke nënshtruar interesat kombëtare ndaj Beogradit dhe Brukselit, ndërsa Kosova mbron pavarësinë dhe sovranitetin e saj.

“Jo, kjo nuk është një përplasje mes dy qeverive shqiptare. Këtu kemi një aleancë të hapur politike mes Edi Ramës dhe Aleksandar Vuçiqit, të cilët kërkojnë ta detyrojnë Republikën e Kosovës të bëjë lëshime që nuk i shërbejnë popullit të Kosovës, por fashizmave të Serbisë. Shqipëria nuk është Edi Rama. Shqipëria është kushtetuta e saj, e cila në nenin 8 përcakton se “Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”, jo të kujdeset për interesat e Serbisë, Malit të Zi apo Brukselit.

Në vend që të merret me korrupsionin pandemik në Shqipëri, me krizën ekonomike, me ikjen masive të shqiptarëve, Rama luan rolin e një “Churchilli të vogël të Ballkanit” duke i hedhur thika pas shpine Kosovës, jo Albinit. Pse mediat e tij nuk publikuan suksesin e sondazhit të Gallup ku kjo e rendit Kosovën ndër vendet më të sigurta në botë. Sepse kjo nuk i shërben propagandës së tij, apo jo?

Kush po e “izolon veten”? Kosova që po mbron pavarësinë dhe sovranitetin e saj, apo Edi Rama që po izolohet nga vetë shqiptarët për shkak të politikës së tij të nënshtrimit para Beogradit dhe Brukselit? Historia e Esat Pashë Toptanit na e mëson se kush fal tokat e kombit për pushtet, përfundon në anën e gabuar të historisë. Dhe kjo është rrugica ku po ecën Edi Rama” – përfundon Mekuli.

Burimi: Bota sot

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com