Në vazhdim, lexuesit e MekuliPress do të kenë mundësinë të lexojnë një artikull të guximshëm dhe të ndershëm nga gazetari dhe shkrimtari beogradas Tomislav Marković, një zë i rrallë kritik që sfidon narrativat zyrtare dhe ballafaqohet me të vërtetën, sado e pakëndshme të jetë ajo për zyrtarët dhe mediat serbe.
Ky shkrim, i mbushur me kurajë intelektuale dhe ndjeshmëri njerëzore, turpëron jo vetëm shumë nga ideologët dhe propagandistët në Serbi, por edhe shumë opinionistë, kritikë, analistë e akademikë shqiptarë, në Prishtinë, Tiranë e Shkup, të cilët prej vitesh heshtin përballë padrejtësive historike dhe politike ndaj kombit shqiptar.

Nga: *Tomislav Marković, gazetar dhe shkrimtar nga Beogradi.
Përkthyer me shkurtime nga MekuliPress


Si dje ashtu edhe sot, fjala është për të njëjtën praktikë zhdukjeje të çdo gjurme të mendimit ndryshe, të çdo ideje subversive, moderne apo të majtë që mund të kërcënonte projektin e ringjallur të “Serbisë së Madhe”.

Historiani Milivoj Bešlin, në përmbledhjen “Lexime të reja të Dimitrije Tucovićit – 100 vjet më pas”, të cilën e redaktoi bashkë me Momir Samardžićin, shkruan se këto janë “përpjekje për ta dëbuar mendimin dhe veprimtarinë politike të Tucovićit nga historia e ideve politike e shoqërore në Serbinë bashkëkohore, si dhe për ta nënshtruar atë praktikës së damnatio memoriae” (fshirjes nga kujtesa publike).

Nacionalistët kurrë nuk ia falën Tucovićit që ai shkroi për mizoritë e ushtrisë serbe ndaj popullsisë shqiptare.
Edhe pse kundërshtar i betuar i luftës dhe antimilitarist, ai u mobilizua si oficer rezervë dhe mori pjesë në luftërat ballkanike dhe në fushatën serbe në Shqipëri.
Aty pa tmerrë të panumërt, për të cilët shkroi hapur në veprën “Serbia dhe Shqipëria – Një kontribut për kritikën e politikës pushtuese të borgjezisë serbe”.

Masakrat në Kosovë

Ja vetëm një citat nga shkrimet e tij:

“Shtypi borgjez kërkonte shfarosje pa mëshirë, dhe ushtria e zbatonte. Fshatrat shqiptare, nga të cilat burrat kishin ikur me kohë, u kthyen në gërmadha. Ato ishin njëkohësisht krematoriume barbare, në të cilat u dogjën të gjalla qindra gra dhe fëmijë. Dhe ndërkohë që kryengritësit shqiptarë oficerët dhe ushtarët serbë të zënë rob i çarmatosnin dhe i lironin, ushtria serbe nuk kurseu as fëmijët, as gratë, as të sëmurët.”

Slobodan Millosheviqi, Nebojsha Pavkoviqi, Nikola Shainoviqi dhe Vladimir Lazareviqi — kishin, pra, parardhës të denjë.

Në shtypin zyrtar serb, kjo masakër ndaj popullsisë shqiptare të pafajshme u paraqit, sigurisht, si akt heroik.
Tucoviqi shkruante për këtë në fillim të tekstit të tij “Pokolji në Ljumi” (“Masakrat në Lum”), ku përshkruante se si ushtria serbe masakroi civilë shqiptarë:

“Breshëritë rrëzonin gratë që mbanin foshnjat në krahë; pranë nënave të vrara qanin fëmijët e tyre që rastësisht i kishte kursyer plumbi. Trupat e grave të reja, të bukura si selvishtë, përdridheshin si krimba në fushë; gratë lindnin nga frika. Brenda dy orësh u shfarosën rreth 500 njerëz (…) Kufomat u grumbulluan nëpër shtëpi dhe shtëpitë u dogjën – për t’u fshehur gjurmët e krimit.”

shtypin zyrtar serb, kjo masakër u paraqit si akt heroik ndaj “armikut”. Tucoviqi e përshkroi edhe këtë mashtrim:

“Korrespondentët e gazetave beogradase nga Shkupi dhe viset e sapopushtuara, të cilët e konsiderojnë si detyrë kombëtare fshehjen e krimeve të pushtetit dhe ushtrisë sonë dhe mashtrimin e popullit në Serbi, tashmë kanë raportuar: se një fshat arnaut (shqiptar) në Ljum është shkatërruar, pasi Arnautët u mbyllën në shtëpitë e tyre dhe u mbrojtën deri në të fundit.”

Pra, edhe gazetarët e luftës të viteve ’90 në Serbi kishin paraardhës të denjë në shtypin e fillimshekullit XX.

Lexo po ashtu:  Kompanisë serbe, “Telekom Serbia”, i heqet licenca e biznesit në Kosovë

Hymë në një tokë të huaj

Në një tjetër shkrim, me titull “Nga një garnizon kufitar”, Tucoviqi shkruan:

“Gjakova është një qytet krejtësisht shqiptar. Turq pothuajse nuk ka, dhe ata pak serbë, një grusht, kanë lagjen e tyre, të ashtuquajturën ‘mahala serbe’, por pa asnjë dyqan përveç ndonjë kafenesh. Të gjithë banorët e tjerë janë shqiptarë.”

Më pas shton se Serbia në tërë atë krahinë “nuk gjeti serbë, por vetëm monumente mesjetare serbe”.
Dhe në fund përfundon me fjalinë e tij të famshme:

“Dhe pikërisht shkaku themelor i të gjitha fatkeqësive prej të cilave vuajmë sot dhe prej të cilave do të vuajmë edhe më shumë në të ardhmen qëndron në faktin se ne hymë në një tokë të huaj.”

“Hymë në një tokë të huaj” — ky është përkufizimi më i shkurtër dhe më i saktë i të gjitha problemeve në marrëdhëniet Serbi–Kosovë.
Negociatorët e sotëm në Bruksel do të kishin shumë për të mësuar nga këto pak fjalë të Tucovićit – nëse do të kishin veshë për të dëgjuar të vërtetën.
Por ata kanë ndjekur dhe ndjekin një politikë diametralisht të kundërt me socialdemokracinë e Tucovićit, një politikë që ka qenë fatale si për popullin serb, ashtu edhe për popujt fqinj.

Bashkimi i popujve të Ballkanit

Në kundërshtim me politikën e ngushtë nacionaliste, në kohën kur në gjithë Ballkanin zhvillohej lufta për të ashtuquajturën “çlirim kombëtar”, Tucoviqi hodhi idenë për bashkimin e popujve të Ballkanit në një Federatë ose Konfederatë Ballkanike.
Ai thoshte se në Ballkan “kushtet etnike janë aq të përshtatshme sa mundësojnë një bashkim shumë të ngushtë të popujve ballkanikë, si federata e shteteve amerikane”, por, pavarësisht gjithë këtyre kushteve të favorshme, “popujt e Ballkanit që nga moti jetojnë në mjerim, në robëri, ose, nëse janë të lirë, në armiqësi të ndërsjellta”.

Një nga arsyet kryesore për këtë mjerim dhe ngecje Tucoviqi e shihte te politika reaksionare dhe antikombëtare e dinastive dhe klasave sunduese në shtetet e vogla ballkanike, të cilat “gjithmonë janë të gatshme të ndjekin vetëm interesat e ngushta të klikave të tyre”.

Tucoviqi e kishte të qartë qysh në fillim të shekullit XX se çlirimi kombëtar i popujve të Ballkanit, në një rajon me përzierje të plotë etnike, do të çonte në robërinë e një populli nga një tjetër.
Prandaj, ai i kundërvuri nacionalizmit përjashtues parimin mbinacional: bashkimin, jo ndarjen, tregun e përbashkët, jo copëtimin në shtete të vogla që nuk mund të kenë zhvillim të qëndrueshëm.

Ai shkruante me ton profetik:

“Të ndarë, të përçarë, ziliqarë dhe armiqësorë ndaj njëri-tjetrit, ne në Ballkan do t’ia gërmojmë varrin njëri-tjetrit – për llogari të të huajve.”

Atdhe për plaçkë

Pse janë problematikë të ashtuquajturit “luftime për çlirim kombëtar”, Tucoviqi e shpjegon me rastin e aneksimit të Bosnjës dhe Hercegovinës nga Austro-Hungaria.
Ai e dënoi ashpër aneksimin, por ishte shumë skeptik ndaj thirrjeve të shtypit borgjez për të shkuar në luftë për “çlirimin e vëllezërve në Bosnjë”.

Lexo po ashtu:  Tre Shokët – Remark

Ja si arsyetonte ai:

“Sot pronarët serbë i bëjnë thirrje proletariatit të Serbisë të luftojë kundër atij regjimi në Bosnjë e Hercegovinë, madje të derdhë gjak për çlirimin e atjeshëm të serbëve.
Proletariati i Serbisë e kupton gjendjen e dëshpëruar të popullit të Bosnjës dhe Hercegovinës; ai ndien më shumë dhembje për ta se çdo klasë tjetër në Serbi.
Por çfarë do t’i sillte ai atij populli nëse do të kalonte Drinën?
A do t’u sillte ‘liritë serbe’?
A është vallë Serbia një vend i lirë dhe demokratik, siç e deklaron klasa sunduese, kur punëtorët atje nuk kanë as të drejtën themelore qytetare – të drejtën e votës – kur cenzusi është më reaksionar se në Turqi?
A është kjo liri, në një vend ku punëtorët, për shembull në Çaçak, janë lënë në mëshirën e bejlerëve dhe policëve, të cilët shkelin ligjet dhe kushtetutën?”

Nëse vetë nuk je i lirë, si mund të çlirosh të tjerët?
Në këtë pyetje të thjeshtë bie poshtë çdo mashtrim patriotik për “çlirim kombëtar”, çdo ëndërr e sëmurë për territore të reja, çdo mit për “vatra shekullore” dhe “Serbi të mëdha” apo “Shqipëri të mëdha”.
Shtesat territoriale nuk kanë për qëllim çlirimin e popujve, por pasurimin e të fuqishmëve, që duan “atdhe më të madh për plaçkë”.

Tucoviqi shkruante:

“Idealët kombëtarë të klasave sunduese janë një gënjeshtër pas së cilës fshihet dëshira për të shfrytëzuar popullin brenda vendit dhe për të skllavëruar popujt e tjerë.”

Në lidhje me fushatën në Shqipëri, ai shtonte:

“Qeveria serbe ndjek zërin e borgjezisë, e cila nuk ngopet kurrë – ajo gjithmonë kërkon një ‘atdhe më të gjerë për grabitje’.”

Fëmijët martirë të fabrikave të Leskovcit

Dhe çfarë lirie është ajo që ushtria serbe dëshiron t’u sjellë të tjerëve – madje kundër vullnetit të tyre – kur në vetë Serbinë njerëzit jetojnë në mjerim?
Kjo shihet më së miri në shkrimet e Tucovićit për punëtorët në fabrikat serbe, sidomos për fëmijët që punonin në industrinë e tekstilit në Leskovc.

Radničke novine, më 5 maj 1914, ai botoi një tekst të titulluar “Më të vegjlit martirë të fabrikave të Leskovcit”, me një fotografi tronditëse të fëmijëve-punëtorë që punonin nga 12 orë në ditë.

Në artikull shkruhej:

“Nga 47 fëmijë, gjashtë kanë filluar punën që në moshën shtatëvjeçare, katërmbëdhjetë në moshën tetë vjeç, dymbëdhjetë në nëntë, tetë në dhjetë dhe shtatë në njëmbëdhjetë vjeç.
Nga këta fëmijë, nëntë janë tuberkulozë, shtatë me skrofulozë, njëzet e nëntë të dobët e të sëmurë. Asnjë fëmijë nuk u gjet i shëndetshëm.
Këta fëmijë i shfrytëzojnë fabrikantët Iliq, Teokareviq dhe Petroviq, i rrahin në punë, dhe kur gjysmë të vdekur nga puna dhe torturat rrëzohen, natën u vijnë prindërit për t’i marrë në shtëpi.”

Militarizimi shkatërroi Serbinë

Në vend që të ndalonte shfrytëzimin e fëmijëve, në vend që të siguronte të drejta bazë për punëtorët, në vend që të investonte në arsim dhe shëndetësi, oligarkia serbe e kohës merrej me armatime dhe përgatitje për luftëra të reja.
Nga të cilat fitonin vetëm furnizuesit e ushtrisëpavarësisht kush humbte apo fitonte.

Lexo po ashtu:  Bushati: Ndarja e Kosovës një ide e vjetër serbe, por fatkeqësisht e riaktivizoi një shqiptar

Tucoviqi vazhdimisht denonconte militarizimin e Serbisë, huamarrjet e çmendura për ushtrinë, kastën e dehur dhe arrogante të oficerëve, shoqërinë sekrete “Dora e Zezë”, dhe ndikimin e rretheve ushtarake që ishin “shtet brenda shtetit”.

Në vitin 1908, ai e përshkruante kështu gjendjen e vendit:

“Tridhjetë vjet militarizmi e ka rrënuar Serbinë; për tridhjetë vjet energjitë e kombit janë flijuar në altarin e ushtrisë së qëndrueshme, në dëm të arsimit, shëndetit dhe zhvillimit ekonomik e politik. Për tridhjetë vjet Serbia i është shitur kapitalistëve të huaj për të mbajtur ushtrinë.”

Frytet e këtij militarizimi u panë më vonë – në Balkan, në Luftën e Parë Botërore, dhe në tragjeditë që pasuan.
Në ditarin e tij të luftës, që e mbajti deri në vdekjen e tij më 20 nëntor 1914 në betejën e Kolubarit, ai përshkruan skena të tmerrshme:

“Ushtarët kanë humbur çdo ndjenjë njerëzore; si qen të tërbuar rendin nga shtëpia në shtëpi, duke grabitur gjithçka. Fëmijët dhe gratë qajnë kot, derisa pushka e drejtuar në kraharor i hesht. Pashë një ushtar që i hiqte mbulesën një fëmije në karrocë, ndërsa i kërcënonte nënës ta vriste nëse bërtiste. Një tjetër përmbyste koshin e bletëve, një tjetër derdhte rakinë, një tjetër nxirrte bukën nga furra. Ishte një kaos sikur kjo tokë të mos ekzistonte më.”

Lufta për të shtypurit dhe të pambrojturit

Në një shoqëri të përhumbur pas ëndrrave luftarake, Tucoviqi notonte kundër rrymës me parullën:

“Luftë kundër luftës! Paqe midis popujve!”

Ai ia kushtoi jetën luftës për orarin tetëorësh të punës, për mbrojtjen shëndetësore të punëtorëve, për barazi gjinore dhe të drejta qytetare universale.
U përpoq për emancipimin e grave dhe barazinë e qytetarëve në gjithë Ballkanin.
Gjithmonë ishte në anën e të shtypurve, të varfërve dhe të përbuzurve.

Nëse sot do të dilte dikush që do të dëshironte të bënte politikë vërtet progresive dhe të ndryshonte Serbinë në thelb, ai do të duhej të niste nga studimi i jetës dhe veprës së Dimitrije Tucovićit.
Sepse aty fshihen idetë, mesazhet dhe mënyrat e luftës që mund ta shpëtojnë vendin nga katastrofa që vetë e ka shkaktuar.

Siç shkruan historiania Dubravka Stojanović në të njëjtin përmbledhje:

“Idetë e tij kyçe janë më moderne, më bashkëkohore dhe në shumë aspekte krejtësisht të kundërta me ato mbi të cilat qëndron Serbia e sotme. Parimet e tij janë të largëta jo pse janë të tejkaluara, por sepse për një shekull të tërë nuk janë arritur.”

Së shpejti busta e Dimitrije Tucovićit do të kthehet në Sheshin Slavija, por mendimi i tij do të mbetet ende i varrosur dy metra nën tokë.
Tucoviqi është sistematikisht dëbuar nga Serbia, trashëgimia e tij është margjinalizuar dhe pothuajse fshirë.
Por, nëse Tucoviqi nuk kthehet në Serbi brenda disa dekadave të ardhshme, atëherë do të jetë vonë – sepse nuk do të ketë më ku të kthehet.

*Tomislav Marković është gazetar dhe shkrimtar nga Beogradi.
Është një nga themeluesit dhe redaktor i Kompleti Kulturor-Propagandistik “Beton”, si dhe zëvendëskryeredaktor i portalit XXZ magazin.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com