“Në vendin tim e në vendin tënd,
Një i çmendur, një vend e çmend.”
/Dritëro Agolli/
Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.
☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.Këto vargje të Dritëro Agollit tingëllojnë më aktuale se kurrë.
Nga Gëzim Mekuli

Pse e them këtë të dashur lexues?
Sot, mjafton një “Lule Gjeli” dhe mediat harrojnë luftërat, Serbinë, varfërinë, korrupsionin, padrejtësitë dhe problemet që rëndojnë shqiptarët e Kosovës. Ekranet televizive mbushen me sensacion, portalet primitive garojnë për klikime, ndërsa gazetaria e lë anash misionin e saj për t’u kthyer në teatër, në panikë, propagandë e dramë.
Si është e mundur që një “agenda setting” kaq banal të pushtojë mediat e Prishtinës pikërisht në kohën kur Aleksandar Vuçiq lëshon kërcënime me ushtri kundër Kosovës? A është tajmingu “Lule Gjeli” rastësi, apo një përpjekje për ta zhvendosur vëmendjen e publikut nga ajo që ka vërtet rëndësi për popullin dhe për Republikën e Kosovës?
Dhe lind pyetja logjike: Kush është këtu “Lule Gjeli”? Ai/Ajo që shitet si spektakël, apo ata që e shndërrojnë ‘Lule Gjelin’ në lajm kombëtar, ndërsa rreziku real prej Serbisë e prej mafisë mbetet në hije?
Ndoshta Dritëro Agolli nuk e kishte fjalën për një gazetar të vetëm. Ndoshta ai fliste për mendësinë tonë; Për atë momentin kur zhurma mbyt arsyen, kur spektakli zë vendin e së vërtetës dhe kur një popull pranon të çmendet nga “lajmet ” që i serviren nga mediat e kapura.
Të dashur lexues,
Në fund të fundit, problemi nuk është “Lule Gjeli”. Problemi është kur gazetaria zgjedh të ushqejë zhurmën, ndërsa hesht për rrezikun që i kanoset popullit nga mafia dhe Serbia. Dhe, atëherë vargjet e Agollit nuk janë më vetëm poezi; ato bëhen diagnozë e rëndë e gazetarisë sonë.
Dhe vargjet profetike si : “Në vendin tim e në vendin tënd,
Një i çmendur, një vend e çmend”, duhet të na djersitin trurin dhe të kuptojmë se atëherë kur zhurma bëhet lajm dhe banalja shpallet prioritet kombëtar, nuk është më publiku ai që çmendet, por vetë gazetaria që ka humbur rrugën; Dhe kur gazetaria humbë rrugën, rrezikon ta çorientojë edhe kombin. #MekuliPress.com
