MekuliPress vazhdon të boton pjesë të vështrimit kritik mbi pikëpamjet e Ismail Kadaresë për identitetin shqiptar, nga libri i Rexhep Qosjes, “Realiteti i shpërfillur”.

Gjeografia lëvizëse

         Është e çuditshme pse Ismail Kadare, megjithëse do të ketë qenë në kontinente të ndryshme, sigurisht, në Amerikë, në Azi dhe në Afrikë, nuk do të shohë se deri ku arrin roli i gjeografisë në përcaktimin e identitetit të popujve dhe të grupeve të ndryshme etnike. Nuk është shumë e vështirë, edhe në qoftë se nuk kemi pasur fatin që, përpos Evropës, të shohim edhe kontinente të tjera, të pranojmë se gjeografia, vërtet, flet shumë për identitetin e popujve e të grupeve etnike por, megjithatë, nuk i thotë të gjitha për të. Përpos gjeografisë, edhe një sërë faktorësh të tjerë marrin pjesë, cili më pak e cili më shumë, në përcaktimin e identitetit të tyre. Mund të thuhet se dikur, para, fjala vjen, katër-pesë shekujsh, gjeografia, vërtet, e përcaktonte plotësisht ose përafërsisht plotësisht, identitetin e popujve dhe të grupeve të ndryshme, por më vonë ky ndikim i saj do të vijë duke u pakësuar gjithnjë e më dukshëm. Zbuluesit e kontinenteve e të vendeve të reja, Kristofor Kolombo, Ferdinand Magelani, Amerigo Vespuçi dhe hulumtuesit e kontinenteve të zbuluara, mandej, posaçërisht të Afrikës, Azisë dhe Amerikës Jugore do të jenë të merituar – do të thoshin kozmopolitët apo do të jenë fajtorë – do të thoshin kundërshtarët e tyre – pse lartmadhëria e saj gjeografia pothuaj ka rënë prej fronit të lartë të identitetit.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

          Pse mund të thuhet kështu?

          Mund të thuhet kështu sepse janë të shumtë shembujt që e dëshmojnë shfronësimin e gjeografisë në mbretërinë e identitetit.

          Nuk ka dyshim se dikur, para zbulimit të kontinenteve të reja, gjeografia e kontinentit të Australisë e përcaktonte identitetin (fizik, shoqëror dhe kulturor) e aborixhanëve; gjeografia e Amerikës e përcaktonte identitetin e majëve, inkëve, shoshonëve, çejenëve, apaçëve, komançëve e të fiseve të tjera indiane; gjeografia e kontinentit të Afrikës e përcaktonte identitetin e zezakëve, të arabëve dhe të popujve a grupeve të tjera që në atë kontinent jetonin; gjeografia e kontinentit të Azisë e përcaktonte identitetin e persianëve, tani të quajtur iranas, të afganëve, të kinezëve, të japonezëve, të vietnamezëve, të hindusve, të tajlandezëve e të tjerëve. Ajo kohë, ndërkaq, ka kaluar përgjithmonë dhe nuk do të kthehet më. Kontinentet e reja, Amerika dhe Australia, janë banuar me popullsi të kontinenteve të vjetra, para së gjithash, me popullsi të Evropës, të Afrikës dhe të Azisë. Prej gjysmës së dytë të shekullit njëzet lëvizjet e njerëzve prej shteti në shtet, prej kontinenti në kontinent janë bërë më të shpeshta. Tani njerëzit sikur e marrin gjeografinë me vete: në shpinë dhe në shpirt.

          Çka po shohim tani?

Tani po shohim, natyrisht ata që duan të shohin, se anglezët, skocezët dhe irlandezët, fjala vjen, të cilëve dikur ua përcaktonin identitetin ishujt britanikë, e kanë ruajtur identitetin e tyre historikë edhe në Amerikë, në Kanada, në Australi dhe në Republikën Jugafrikane, natyrisht, të pasuruar me përbërës apo me ngjyresa përbërësish, që ka sjellë koha dhe që ka sjellë bashkëjetesa me popuj të tjerë në ato kontinente. Apo jo? Arabët jetojnë në dy kontinente, në kontinentin e Azisë dhe në kontinentin e Afrikës, prej të cilëve Ismail Kadare, pikërisht pse arabët jetojnë atje, përpiqet aq shumë ta largojë Evropën, sidomos, Shqipërinë, por arabët e kontinentit aziatik pothuajse nuk ndryshojnë prej arabëve të kontinentit afrikan: kanë të njëjtin identitet – arab, me prejardhje, me gjuhë, me fe, me kulturë, me qytetërim pothuaj të njëjtë.

          T’i afrohemi edhe më tepër Evropës.

          Turqit jetojnë në kontinentin e Azisë dhe në kontinentin e Evropës, që janë të ndarë nga Bosfori, por turqit e Turqisë Evropiane nuk ndryshojnë me asnjë përbërës të identitetit prej turqve të Azisë.

          Rusët jetojnë edhe në Evropë edhe në Azi, por rusët e kontinentit evropian kanë të njëjtin identitet që kanë rusët aziatikë.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

          Shqiptarët jetojnë në Ballkan, në këtë pjesë të skajshme të Evropës, e jetojnë edhe në SHBA-të, në Kanada dhe në Australi, por shqiptarët ballkanikë, që kanë pasur rastin të vizitojnë bashkëkombësit e tyre në ato kontinente, nuk thonë se e kanë ndryshuar identitetin, së paku jo ata që kanë lindur në Ballkan. Përkundrazi. Thonë se shqiptarët që jetojnë në kontinente të tjera nuk janë më pak shqiptarë se ne në Ballkan: e kanë tejçuar atje identitetin kombëtar dhe e ruajnë traditën kulturore me shumë dashuri.

          Se sa është bërë i paqëndrueshëm roli i gjeografisë në përcaktimin e identitetit të popujve e të grupeve të ndryshme etnike në këtë planet më së miri, ndoshta, e tregojnë hebrenjtë. Fati tragjik historik i ka shpërndarë në disa kontinente, në vende të ndryshme të kontinentit evropian, të kontinentit aziatik dhe të kontinentit amerikan, por, prapë, edhe nëse përpiqen shumë që t’u përshtaten kushteve politike, shoqërore, kulturore në vendet ku jetojnë, prapë e ruajnë identitetin historik të hebrenjve.

          Por, sa i paqëndrueshëm është bërë ndikimi i gjeografisë në identitetin e popujve e të grupeve të ndryshme na e thotë edhe deklarata e shkrimtares së njohur amerikane, Gertrude Stajn. I takonte brezit të ashtuquajtur brezi i humbur i shkrimtarëve amerikanë; kishte vendosur të jetonte një kohë larg Atdheut të vet – në Evropë, në Paris. Kur, më një rast, miqtë evropianë e pyesin: a frikësohet se duke jetuar aq gjatë larg atdheut, larg SHBA-ve, do të mbetet pa rrënjë, ajo do të përgjigjet: “Çka më duhen rrënjët në qoftë se nuk janë rrënjë që mund t’i marr me vete”. Kjo shkrimtare, me popullorësi, kryesisht, të paktë, por, megjithatë, shkrimtare gjeniale, para Luftës së Dytë Botërore e kishte vërejtur atë që ne as shtatëdhjetë vjet pas saj nuk po e vërejmë: se gjeografia nuk është më çka ishte. Kush ju beson të dhënave sendore mund të bindet se të njëjtën fjali të shkrimtares amerikane do të mund ta shqiptonin edhe  Fani Noli, Faik Konica, Arshi Pipa, që kanë jetuar dhe kanë vdekur në SHBA-të,Naim Frashëri e Sami Frashëri, që kanë jetuar dhe kanë vdekur në Azi, në Stamboll; Vaso Pasha që ka vdekur në Azi, në Liban; Andon Zako Çajupi që ka vdekur në Afrikë, në Egjipt; Filip Shiroka që ka jetuar dhe ka vdekur në Azi, në Liban, dhe , sot, Naum Prifti dhe Naim Balidemaj, që jetojnë e krijojnë në Nju-Jork.

          Ç’duan të thonë të gjitha këto të dhëna?

          Duan të thonë, ndoshta, se gjeografinë mund ta shpallin edhe më tej faktor vendimtar në përcaktimin e identitetit të popujve e të grupeve të ndryshme etnike vetëm ata politikanë e intelektualë, të cilët, kur flasin për gjeografinë dhe identitetin, në thelb mendojnë  për gjeografinë e kohës së Kristofor Kolombos. Harrojnë se, përpos lëvizjeve të njerëzve prej kontinenti në kontinent, edhe teknika e teknologjia, mediet elektronike, interneti dhe globalizimi i egër, ndikojnë në identitetin e popujve më shumë se gjeografia e shfronësuar.

          Ç’duan të thonë të gjitha këto?

         Duan të thonë, ndoshta, se që nga zbulimet e Kristofor Kolombos e këndej e, sidomos, që nga Revolucioni i Madh Francez, më 1789 e këndej, shumëfish më tepër se gjeografia është gjeopolitika, pra, politika e të fuqishmëve dhe e të pasurve, ajo që luan rol të “perëndishëm” në identitetin e vartësve të të gjitha llojeve. VIJON! /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *