Ishte vetëm 22 vjeç kur në vitin 1923 u nis drejt Kalifornisë, me një biletë vajtje-ardhje dhe 40 dollarë në xhep. Ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore,ishte shndërruar në bosin e industrisë më të lulëzuar të filmit në Hollivud. Ai vdiq në Los Anxhelos më 15 dhjetor 1966.

Emri i tij është kthyer tashmë në një legjendë në historinë e kinemasë. Fitues i 26 çmimeve Oskar, dhe i shumë çmimeve të ndryshme ndërkombëtare, Diznej ka emocionuar dhe argëtuar shumë breza spektatorësh, duke arritur një sukses kaq të madh sa që shpesh konsiderohet si shpikësi i filmave vizatimorë.

Në fakt kjo teknikë ekzistonte prej rreth 20 vitesh, por ishte imagjinata dhe vendosmëria e Diznej ajo që e ngriti në majë. Uollter Elias Diznej Xhunior, i katërti nga pesë fëmijë, lindi në Çikago në vitin 1901 në një familje me origjinë modeste. Vitet e fëmijërisë ishin të vështira.

I ati, një burrë shumë autoritar, e detyroi të punonte me orë të tëra në aktivitetet familjare, dhe nuk i kurseu ndëshkimet trupore ndaj tij. I riu e ngushëllonte veten me vizatimin, një nga pasionet e tij më të mëdha; me lojërat që luante bashkë me vëllain e tij pak më të madh Roin; me përrallat e dashura që i lexonte e ëma në mbrëmje; dhe me magjinë e kinemasë të Çarlie Çaplin.

Menjëherë pas studimeve mbi artin midis Kansas Sitit dhe Çikago, Uollti nisi t’i përkushtohej animacionit. Hapat e parë i hodhi në bashkëpunim me mikun e tij Ub Ajuerks. Të dy realizuan disa filma me metrazh të shkurtër. Por kohët ishin të zymta dhe plot vështirësi financiare.

Në këto kushte ai u transferua në Los Anxhelos, duke shpresuar për një fat më të mirë në karrierë. Në fakt i i riu Uollt nisi të ecte shumë shpejt, dhe në vitin 1923 themeloi kompaninë e tij të prodhimit “Disney Brothers Cartoon Studio”, së bashku me vëllain e tij. Atje nisi të punojë krah për krah me një vajzë elegante dhe bukuroshe të quajtur Lilian Baunds:Ai vizatonte, ajo i mbushte me bojë. Por mungesa e talentit artistik, dhe një farë interesi i Uollt ndaj saj, e nxitën atë të ndërronte punë dhe të bëhej sekretarja personale e Diznej, dhe menjëherë më pas bashkëshortja e tij. Ata martuan në vitin 1925, dhe në 1933 patën vajzën e tyre të parë dhe të vetme biologjike, Diana Maria.

Lexo po ashtu:  ‘Zgjoi’ në listën e ngushtë për ‘Oscars’, flet presidentja Osmani

Për të festuar lindjen e saj, Uollt njoftoi se në ditën e parë të premierës së çdo filmi të kompanisë së tij, shfaqja do të ishte falas për të gjithë jetimët. Disa vite më vonë ata adoptuan vajzën e tyre të dytë, Sharon Mae. Lili dhe Uollt do të jetonin bashkë deri në vdekjen e tij në vitin 1966.

Në vitin 1927, lindi seriali i lepurit me fat Osvald, një personazh që Ajuerks e shndërroi shpejt në një mi duke ripunuar disa skica. Lilian e pagëzoi me emrin Miki Maus, dhe ishte vetë Diznej, ai që i dha atij personalitet dhe zë. Ishte pikërisht ky personazh emblema e perandorisë Diznej, që bëri debutimin e tij me zë.

Filmi i shkurtër i vitit 1928 u quajt “Avullorja Uilli” dhe u prit me shumë entuziazëm. Një pionier i vërtetë i teknikave të animacionit, Diznej ishte gati të rrezikonte falimentimin në mënyrë që t’i ngrinte prodhimet e tij në një formë të re arti.

Pas futjes së zërit në këto filma, ai eksperimentoi me përdorimin e muzikës dhe ngjyrës, për të përmirësuar atmosferën e filmave të tij të shkurtër, të cilët arritën kulmin e tyre më të suksesshëm në vitin 1933 me “Tre derrkucat e vegjw”. Për Diznej, animacioni ishte mjeti me të cilin tregoheshin histori, të cilat zgjonin një gamë të gjerë emocionesh.

Lexo po ashtu:  Disenjatorët shqipëtar nga Kosova, veshin yjet e Hollywoodit në “Oscar 2020”

Ishte ky vizion që solli në vitin 1937realizimin e filmit të parë artistik në historinë e animacionit “Borëbardha dhe Shtatë Xhuxhat”. Ky film jo vetëm që arkëtoi shumë fitime dhendikoi në zgjerimin e kompanisë (e cila u rrit në mbi 1000 punonjës), por i hapi rrugën prodhimit të shumë klasikëve të tjerë, si “Fantazia” dhe “Pinoku” (që të dyja në vitin 1940), “Dumbo” (1941), Bambi (1942), “Hirushja” (1950), “Liza në Botën e Çudirave” (1951), dhe “Piter Pan” (1953).

Megjithatë, në shumë prej filmave të tij, ndikim fantastik i Diznej merr një dimension më të thellë dhe më të errët. Sipas biografisë së Mark Eliot “Uollt Diznej, princi i errët i Hollivudit, në çdo film artistik pasqyronte aspekte të ndryshme të temës së gjerë të cilën ai e kishte më shumë për zemër:shenjtërinë e familjes.

Nuk është rastësi që tema më e prekur është ajo e braktisjes dhe kërkimit të prindërve të vërtetë nga protagonistët. Kur ishte në moshë të re, pasie pati të pamundur të merrte pjesë në Luftën e Parë Botërore sepse ishte i mitur, Uollti zbuloi mos-ekzistencën e certifikatës së tij të lindjes.

Ai nisi të dyshojë se mos ishte birësuar, aq sa me këtë arsye nisi të justifikonte ndëshkimet që kishte pësuar kur ishte fëmijë. Kjo trashëgimi e nxiti atë ta shihte kompaninë e tij si një familje të madhe, një prirje që i bëri goxha të forta grindjet me punonjësit.

Karakteri i tij despotik, i krijoi jo pak probleme në marrëdhëniet e tij me animatorët. Shumë shpejt raportet u bënë shumë konfliktuale, sidomos kur Uillt nuk donte të njihte kontributin e tyre si krijues. Për më tepër pagat e ulëta, shkarkimet e pajustifikuara nga puna dhe refuzimi i mbledhjes së punonjësve në një sindikatë, i shtuan konfliktet.

Lexo po ashtu:  Shqiptari nga Kosova, 14 vjeçari Dio Dragaj, siguron finalen në ‘’The Voice Kids’’ të Gjermanisë

Në majin e vitit 1941 punonjësit hynë në një grevë të plotë. Ata mbanin në duart parulla në hyrje të kinemasë, ndërsa iu bashkuan qindra qytetarë që mbanin pankarta me slogane dhe karikatura të personazheve të famshëm të Diznej. Përplasja zgjati dy muaj, derisa autoritetet federale njohën të drejtën e grevistëve për rritjen e pagës, për pushime të paguara, për rikthimin në punë të të shkarkuarve si dhe për ekzistencën e sindikatës.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, studiot e Disnej u angazhuan gjithashtu për të prodhuar filma propagandistikë për llogari të qeverisë amerikane. Midis dhjetëra filmave, më i njohuri dhe fitues i Oskarit për filmin më të mirë të shkurtër të animuar është “Fytyra e Fyhrerit”, me protagonist Donald Dauk që përjeton makthin e të jetuarit nën regjimin nazist.

Por angazhimi politik dhe ideologjik i Diznej nuk përfundoi me përfundimin e konfliktit. Tensionet e Luftës së Ftohtë dhe fillimi i “gjuetisë së shtrigave” ndaj komunistëve të dyshuar që goditi edhe Hollivudin në vitet 1950, panë vendosjen e Uollt Diznej në krye të luftës kundër “rrezikut komunist”.

Nën këtë arsye, ai nisi të largojë nga puna disa punonjës që kishin hyrë në grevë vite më parë. Ai dëshmoi në Komitetin kundër Aktiviteteve Anti-amerikane (HUAC), dhe denoncoi infiltrimin e komunistëve në kompaninë e tij. Në vitet e Makaritzmit,ai ishte një informator i FBI-së, që drejtohej nga miku i tij Xh.Edgar Huver. Diznej la gjurmë të pashlyeshme edhe në kinema me filmin “Meri Popins”, i publikuar në vitin 1964, 2 vjet para vdekjes së tij. / Focus – Bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *