Gjithnjë e më shumë njerëz po kthehen në Kiev. Pavarësisht paralajmërimeve se qyteti nuk është i sigurt, diçka e ngjashme me jetesën normale po kthehet në rrugët e kryeqytetit.
Kafenetë dhe restorantet po hapin dyert.
“Mendoj se Kievi po rikthehet në normalitet. Ditën kur u kthyem qyteti ishte bosh, por tani duket se shumë të tjerë po kthehen. Megjithatë, ne kemi bërë gati bagazhet, sepse nuk i dihet kurrë”, shprehet një banore e Kievit.
“Një javë më parë ne hapëm biznesin tonë, një dyqan buke dhe po shohim se njerëzit po kthehen. Kemi klientë dhe mysafirë. Mund të punojmë dhe kjo më gëzon”, tregon një tjetër.
Të ardhurit janë kryesisht gra dhe fëmijë, që kthehen tek bashkëshortët dhe gjyshërit që qëndruan në shtëpitë e tyre.
Qytetarët që zgjedhin të kthehen janë aq të shumtë, saqë linja e autobusëve Varshavë-Kiev ka rifilluar të funksionojë.
Por jo shumë larg, ushtarët përpiqen të çaktivizojnë minat dhe bombat e vendosura nga rusët, gjë që tregon se lufta nuk ka mbaruar.