Propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili parasheh lëvizjen e lirë jo më larg se data 1 janar e vitit 2024, u hoq nga agjenda e takimit të sotëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së. Arsyet për këtë janë politike dhe lidhen me situatën në veri të Kosovës.

“Për shkak të zhvillimeve politike në veri të Kosovës, ta kemi këtë pikë në agjendën e Coreper-it [trupi i ambasadorëve] nuk është ideale”, tha presidenca çeke e BE-së në njoftimin për shtyrje.

Sipas saj, diskutimi për këtë çështje do të mbahet më 30 nëntor.

“Bëjmë thirrje për shtensionim të menjëhershëm të situatës aktuale në Kosovë, në lidhje me targat e makinave”, tha në anën tjetër Eva Hrncirova, zëdhënëse e trupit të ambasadorëve, Coreper.

Situata në veri të Kosovës është tensionuar. Kjo për shkak të vendimit të Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti për të nisur procesin e riregjistrimit të makinave që bartin targa ilegale serbe.

Serbët në veri, të kontrolluar në masë të madhe nga Beogradi zyrtar, i kundërshtojnë targat e Kosovës, RKS. Ata kanë paralajmëruar rezistencë ndaj tyre.

Lexo po ashtu:  Zelensky: Ushtria ruse ka pësuar në Ukrainë humbjet më të mëdha në dekada

Me gjithë thirrjet e komunitetit ndërkombëtar për shtyrje të procesit të riregjistrimit, Kurti nuk ka hequr dorë.

Aktualisht është e pezulluar – deri më 24 nëntor – faza e dytë e planit të tij, në përpjekje për t’i dhënë shans gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët.

Çfarë ndodhi më 22 nëntor në Bruksel?
Të martën e 22 nëntorit, këshilltarët për viza në Këshillin e BE-së u pajtuan me propozimin që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024.

Kjo datë ishte kërkesë e Spanjës – njërit prej pesë vendeve të BE-së që nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës – pasi presidenca çeke e BE-së kishte propozuar fillimisht datën 1 dhjetor, 2023.

Sipas propozimit të ri, “hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të nisë në kohën kur të jetë funksional sistemi i udhëtimit ETIAS, por jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024”.

Miratimi i këtij propozimi pritej të dilte në rend dite në takimin e sotëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, për të vazhduar më pas nëpër instanca të tjera.

Lexo po ashtu:  Familja atdhetare e Haki Imerit paralajmëron publikimin e dokumenteve të rëndësishme...

Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet prej 26 shtetesh evropiane.

Aktualisht, Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë zonë.

Kjo, përkundër faktit se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva.

Ku buron lidhja me sistemin ETIAS?
Në një takim të grupit punues për viza të Këshillit të BE-së, të mbajtur më 13 tetor, zyrtarët francezë propozuan që liberalizimi i vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e të ashtuquajturit sistem ETIAS.

Ky sistem digjital synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen.

ETIAS është dashur të nisë së funksionuari në vitin 2022, por data është shtyrë disa herë dhe tani si afat përmendet nëntori i vitit 2023./REL

Lexo po ashtu:  Vuçiq: Jemi në situatë të vështirë, asgjë e mirë për serbët

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *