Dy zyrtarë të lartë të Kishës Katolike dhe pesë pronarë lokalesh nate janë nën hetim në Greqi, me dyshimin për përvetësim dhe pastrim parash.

Hetimi ka nisur pas një raporti të Autoritetit Kundër Pastrimit të Parave, i cili evidentoi një mungesë prej afro 3 milionë eurosh në arkën e Kishës Katolike, të cilat dyshohet se ishin derdhur si investime në klubet e natës. Për pasojë janë ngrirë të gjitha llogaritë bankare dhe pasuritë e pronarëve të tyre.

Sipas burimeve, çështja daton tetë vjet më parë, kur u zbulua se shuma të konsiderueshme parash po transferoheshin nga llogaritë e kishës që menaxhoheshin nga dy priftërinjtë, të cilët janë nën hetim, në llogari të pronarëve të klubeve të natës, të maskuara si investime biznesi.

Si indicie për hetimin ka shërbyer një konstatim i bankave mbi transaksionet në vlera të mëdha, raporton Kathimerini.

Kallëzimi është tashmë në duart e prokurorit, i cili do të hetojë akuzat e mundshme të krimit për përvetësim për dy priftërinjtë dhe pastrim parash për pesë pronarët e bizneseve.

Lexo po ashtu:  Kurti për themelimin e Byrosë Shtetërore: Do të bëhet konfiskimi civil i pasurisë që nuk justifikohet dot