Përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, po numëron ditët e fundit të mandatit të saj.

Në vend të saj, Këshilli Evropian ka nominuar Ministrin e Punëve të Jashtme të Spanjës, Josep Borrell Fontelles që të zëvendësojë Shefen e Diplomacisë Evropiane, Federica Mogherini.

Kujtojmë këtu që, Federica Mogherini është marrë drejtpërdrejt me dialogun midis Serbisë dhe Kosovës, dhe me gjasë, kjo do të jetë hera e parë që ky funksion, do të ketë përfaqësues të një shteti, që i përket një grupi të vendeve të BE-së, por që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Fakt ky, që ka ngre shqetësime tek opinioni i gjerë në Kosovë por jo tek të gjitha palët.

Gecaj: Kosova nuk mund t’i zgjedhë zyrtarët e BE-së, por duhet që gjithsesi të bashkëpunojnë me ta

Bajram Gecaj, ish-zëvendësministër në qeverinë Mustafa, tha se Kosova s’mund të zgjedh anëtarë të BE-së, por duhet të bashkëpunojë me ta kushdo qoftë në krye.

Image

Bajram Gecaj

“Kosova nuk mund t’i zgjedhë zyrtarët e BE-së, por duhet që gjithsesi të bashkëpunojnë me ta, pa marrë parasysh qasjen e tyre. Nuk guxojmë asnjëherë të bijmë në nivelin e zyrtarëve të tanishëm qeveritar, të cilët duke tentuar t’ua tregojnë gjoksin zyrtarëve të BE-së, kryesisht për qëllime populiste, dëmtojnë marrëdhëniet tona me familjen e shteteve në të cilin dëshirojmë të anëtarësohemi”, tha ai.

Lexo po ashtu:  Brengat e Vuçiqit: Nuk ka dialog në Bruksel derisa Kurti të jetë aty

Më tej, Gecaj, shtoi se kundërshtimet në çështje të caktuara, në veçanti në procesin e ndjeshëm të dialogut, janë normale, por a do duhet të bëhen në tavolinën e bisedimeve, e jo me rraha-gjoksi para kamerave televizive.

“Askush nuk do ta detyrojë Kosovën të pranojë diçka që është në kundërshtim me interesat e qytetarëve tanë, prandaj duhet të veprojmë e punojmë shumë, në mënyrë të qetë, të menqur, taktike e strategjike, politike e diplomatike por assesi jo me zhurmën e adoleshentëve të nivelit të shkollave të mesme”, theksoi ai.

Zogiani: Kosova duhet të bëhet shtet brenda dhe vetë

Image

Avni Zogiani

Zyrtari i lartë i Vetëvendosjes, Avni Zogiani, tha se kushdo që të vijë në krye të Politikës së Jashtme në kuadër të Bashkimit Evropian, nuk paraqet ndonjë problem për Kosovën personi në veçanti por vet politika e BE-së.

“BE-ja si tërësi nuk e njeh Kosovnë. Deri sot të gjitha proceset me BE-në në lidhje me Kosovën kanë qenë nëpërmjet një rruge specifike. Nuk e besoj që ka rëndësi se nga vjen funksionari evropian kudo në BE. Problemi nuk është vetëm tek politika individuale e shteteve, por politika e BE-së ndaj Kosovës”, tha Zogiani.

Ai, shtoi se Kosova duhet të mos vazhdojë shpresën se do të bëhet shtet pse do BE-ja apo dikush prej anëtarëve të saj.

“Kosova duhet të mos vazhdojë shpresën se do të bëhet shtet pse do BE-ja apo dikush prej anëtarëve të saj. Kosova duhet të bëhet shtet brenda dhe vetë. Atëherë dhe vetëm atëherë BE-ja, do të na pranojë si të tillë”, tha ai.

Lexo po ashtu:  Shefja e BE’së në Kosovë jep lajmin e madh për liberalizimin e vizave

I të njëjtit mendim me Zogianin, është edhe Profesori Universitar, Rrahman Paqarizi, i cili tha se tashmë dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë në nivel më të lartë, ndikimi i të apostrofuarit për kryesues të bisedimeve Josep Borrell do të jetë më i vogël.

Paçarizi: Dialogu po shkon drejt niveleve më të larta

Emërimi i Joseph Borell në vend të Frederica Mogherinit, nuk përbën problem për Kosovën, vlerëson profesori universitar Rrahman Paqarizi.

Image

Rrahman Paqarizi

Ai, thekson se Borell do të jetë një ndërmjetës në dialogun Kosovë – Serbi dhe që s’do të ketë efekt të madh, ndonëse përcakton agjendat dhe formatin e takimeve.

“Emërimi i spanjollit Josep Borell në vend të Federica Mogherinit nuk do të duhej të përbënte problem për Kosovën pasi ai është një ndërmjetës në dialog dhe nuk ka shumë në dorë, ndonëse si i tillë i përcakton agjendat dhe formatin e takimeve’’, tha ai.

Paqarizi, konsideron se, bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë, tashmë, kanë arritur progres, që për rrjedhojë, janë në një niveli më të lartë se që ishte më parë.

“Për mua, dy janë elementet që më bëjnë optimist: e para që dialogu po rrëshqet në nivele më të larta siç janë përpjekjet e Berlinit e Parisit. Në të vërtetë, zyra e Mogherinit apo tash e Borellit kanë autorizime për dialogun teknik por jo përtej’’, tha ai.

Lexo po ashtu:  Përgatitja e një sulmi terrorist në Gjenevë: të arrestuar edhe dy shqiptarë

Rrahman Paqarizi, u shpreh se tash kur kemi hy në një fazë tjetër, kapacitetet e asaj zyre janë të pamjaftueshme për t’iu qasur problematikës së synuar. Gjithashtu, sipas tij, në këtë fazë pritet përfshirje më e madhe amerikane që e relativizon skajshëm ndikimin evropian sidomos atë të zyrës së Mogherinit a Borellit.

“Një element tjetër është fakti se Borelli duhet të përfaqësojë politikat e përbashkëta të BE-së dhe jo të vendit të tij. Në vitin 1999 Javier Solana ishte sekretar i përgjithshëm i NATO-s, pra spanjoll, e udhëhoqi fushatën e sulmeve ajrore kundër Serbisë’’, tha ai.

Nga ana tjetër, njohësi i politikave evropiane, Armend Muja, konsideron se nominimi i Borrel në krye të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, është shenjë ogurzi për Kosovën për shkak të shtetit nga ai vjen, Spanja që nuk e njeh Kosovën shtet.

Image

Armend Muja

“Nominimi i Borrel, si një kundërshtar i ashpër i Pavarësisë së Kosovës sinjifikon një etapë të vështirë për vendin. Kjo jo vetëm për shkak të faktit që Borrel nuk plotëson kushtet për të qenë arbitër i ndershëm por edhe sepse Spanja dhe Franca kanë rolin kryesor në BE. Njëra kundërshtarë e pavarësisë e tjetra kundërshtare e integrimit të saj në BE”, tha Muja.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *