Barnat nëpër barnatoret e Kosovës, nuk kanë çmime të unifikuara. Kjo, sipas zyrtarëve institucional, ndodhë për shkak se Kosova nuk e ka një rregullore administrative që do të mund ta rregullonte këtë çështje.

Qytetarët në vazhdimësi janë ankuar se çmimet e barnave nuk dallojnë pak, por sipas dëshirës së pronarit të barnatores.

Ndërkaq edhe vetë anëtarë të Shoqatës së Farmacistëve të Kosovës, kanë deklaruar se laramania e çmimeve e destabilizon tregun farmaceutik, andaj sipas tyre, kjo çështje duhet rregulluar sa më shpejtë.

Mirlinda Sallahu, qytetare, thotë se asnjëherë nuk i ka ndodhur që në dy barnatore të jenë çmimet e njëjta. Përpos kësaj ajo shton se dallimi i çmimit për ilaçin e njëjtë nuk është i vogël, por dallon deri në disa euro.

“Unë i kam dy prindërit me sëmundje kronike, dhe i frekuentoj shumë barnatoret për shkak të nevojës që kam për ilaçe. Nuk janë çmime që dallojnë me shumë të vogël parash. Për të njëjtin ilaç në barnatore të ndryshme, diferenca është shumë e madhe. Andaj edhe detyrohemi të bredhim nga barnatorja në barnatore, për të gjetur ilaçin që kërkojmë me çmim më të volitshëm. Mendoj se definitivisht ka ardhur koha që të unifikohen çmimet e barnave”, tha ajo.

Lexo po ashtu:  Vuçiq: Serbia planifikon ndërtimin e naftësjellësit përmes Maqedonisë së Veriut deri në portin e Durrësit

Marrë parasysh këto probleme, ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, ka marrë hapin që kjo çështje të rregullohet sa më shpejt.

Ai tashmë ka mbajtur një debat publik, ku ka thënë se udhëzimi Administrativ që rregullon çmimet e barnave, është në prag të udhëzimit të parë të përcaktimit të çmimit të barnave dhe produkteve mjekësore ne sektorin farmaceutik.

Ai parasheh uljen e çmimeve, rrit konkurrencën, zvogëlon shpenzimet si dhe përcakton çmimin fiks për produktet medicinale, të cilat do të jenë pjesë e listës së produkteve esenciale jashtëspitalore.

Ministri Ismaili, tha se është përgatitur drafti, teksa theksoi se së shpejti do të ndërmerr masa që çrregullimet me të cilat përballen farmacistët dhe qytetarët të eliminohen.

“Ka një mori problemesh në teren, ku çmimet e të njëjtës barnatore lëvizin brenda 24 orëve, duke keqpërdorur nevojat e pacientëve. Aktualisht në këtë sektor çmimet kanë dallim të madh nga barnatoret në barnatore, por edhe brenda barnatores, varësisht nga orari rriten çmimet. Për shembull në ndërrimin e natës rriten çmimet duke i dëmtuar pacientët që kanë nevojë emergjente për barna. Në anën tjetër është edhe shitja nën kosto, e që favorizon shitjen e barnave të kontrabanduara dhe të falsifikuara”.

Lexo po ashtu:  Përballje, jo thjesht protestë

“Prandaj zbatimi i kësaj politike do t’i ulë çmimet e barbave, do ta nxisë konkurrencën dhe do të lehtësojë edhe funksionimin efikas dhe transparent të fondit për sigurime shëndetësore’’, tha Ismaili.

Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ofruar ndihmë në zhvillimin e politikave sa i përket udhëzimit që unifikon çmimet e barnave, në mënyrë që të reduktohen shpenzimet e pacientëve në blerjen e barnave. Kështu tha Ardita Tahirukaj, udhëheqëse e zyrës së OBSH-së në Kosovë.

“Organizata Botërore e Shëndetësisë, zyra për Evropë, u ofron asistencë teknike shteteve në zhvillimin e politikave dhe udhëzimeve sa i përket përzgjedhjes dhe përdorimit të arsyeshëm të barnave”.

“Në këtë rast i ka ofruar ndihmë edhe Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Shëndetësisë që nga viti 2017. Në këtë drejtim qëllimi i krejt reformës ishte që të përmirësohet përzgjedhja dhe përdorimi i barnave dhe të rritet qasja në barna dhe të reduktohen shpenzimet e pacientëve”, tha Tahirukaj.

Sidoqoftë, Arianit Jakupi, kryetar i Odës së Farmacistëve të Kosovës, ka deklaruar se zbatueshmëria e këtij udhëzimi administrativ ka për qëllim që të mbrojë qytetarët nga shpenzimet e larta financiare në blerjen e barnave, dhe shpreson që sa më shpejtë të hyjë në fuqi ky udhëzim administrativ.

Lexo po ashtu:  BE-ja përshëndet paralajmërimin e Kurtit për heqjen e tarifës, në pritje të detajeve shtesë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *