«Unë nuk jam Teutë antike»

«Për ata që s’u kthyen», Edonë B. Kelmendi

Gëzim Mekuli

Rrallëherë në letërsinë autobiografike shqiptare shfaqet një libër që nuk kërkon thjeshtë të lexohet, por që e detyron lexuesin të ndalet, të heshtë dhe të dëshmojë.
Libri «Për ata që s’u kthyen» i Edonë B. Kelmendit, botuar rishtazi nga botimet “DRINI”, është pikërisht një krijesë e tillë: një tekst që nuk shkruhet mbi imagjinatën letrare, por mbi hi, gjak, kujtesë dhe mungesë; një libër që nuk flet për luftën si ngjarje historike, por për luftën si plagë e përhershme në trupin dhe ndërgjegjen e një fëmije shqiptar.

Kjo libër përfaqëson një dëshmi të fuqishme letrare të gjenocidit serb ndaj shqiptarëve, të rrëfyer nga perspektiva më e pambrojtur dhe më e vërtetë e mundshme: ajo e një vajze 9 vjeçare që mbetet pa baba vetëm sepse i përket një kombi që sipas Serbisë duhej zhdukur. Dhimbja e sinqertë e Edonë Kelmendit nuk mbetet sall në kufijtë e përjetimit personal; ajo shndërrohet në dhimbje kolektive, në klithmë të heshtur të mijëra familjeve shqiptare që u lanë pa Zotin e shtëpisë, pa zë, pa mbështetje dhe pa mirëkuptim.

Letërsi e kujtesës dhe e qëndresës morale

Stili i autores është i qetë në sipërfaqe, por rrëqethës në thellësi. Kelmendi nuk i drejtohet lexuesit me ndjenja artificiale apo retorikë zbukuruese. Forca e saj qëndron në thjeshtësinë rrënuese, në një rrëfim të drejtpërdrejtë që e shndërron lexuesin në bashkëjetues të traumës. Çdo kapitull është një hap i ngadaltë drejt asaj dite pa kthim, 14 majit 1999 në Qyshk, ditë që për Edonën nuk është një datë kalendari, por një plagë që rihapet çdo vit.

Lexo po ashtu:  Lazër Shantoja prift shqiptar dhe martir i komunizmit

Në këtë vepër-dëshmi figura e babait, Besim Dinë Kelmendi, nuk mitizohet në mënyrë romantike. Ai paraqitet siç ishte: si prind, si mbrojtës, si njeri i zakonshëm që u shndërrua në martir jo për shkak të ndonjë ideologjie, por sepse nuk pranoi të largohej nga familja e tijë, nga fëmijët e tij, nga toka e tijë. Pikërisht këtu libri fiton përmasën e tij më tragjike dhe më njerëzore: heroizmi i heshtur, ai që nuk kërkon lavdi, por lindë nga dashuria për Atdheun, për familjen, për tënden.

Dhimbja e fëmijërisë së vrarë

Ajo që e dallon këtë libër «Për ata që s’u kthyen» nga shumë rrëfime tjera të përjetuara të luftës, është këmbëngulja e autores për të mos e lejuar lexuesin ta harrojë se kjo luftë ishte, para së gjithash, luftë kundër fëmijëve; kundër fëmijërisë që kishte një komb tjetër. Kundër jetës që ende nuk kishte filluar siç duhet. Edonë Kelmendi nuk shkruan si historiane, por si fëmijë që kishte përjetuar gjenocidin, si fëmijë që u rrit me mungesën, me heshtjen dhe me një pyetje që nuk merr përgjigje kurrë: pse babi dhe familjarë të mi nuk u kthyen më kurrë?

Libri funksionon njëkohësisht si akt kujtese dhe si akt akuze morale. Paçka «Për ata që s’u kthyen» nuk kërkon hakmarrje, por refuzon kategorikisht harresën. Ndërthurja e rrëfimit personal me dëshmitë dokumentare i jep librit peshë të veçantë etike dhe historike, duke e shndërruar atë në një tekst referencial për kulturën e kujtesës në Kosovë.

Lexo po ashtu:  ‘Një kafe, një sanduiç apo ushqime tjera për ata që nuk kanë mundësi’

Një porosi që rrëzon mite

Mekulipress e lexon këtë libër si një akt të rrallë ndershmërie morale. Autorja nuk shfaqet para lexuesit si heroinë, por si grua e lodhur nga barra e kujtesës. Në një nga thënjet më tronditëse gjatë bisedës me MekuliPress, që mund të nënkuptohet si porosi e saj madhore për ne, është kur ajo na qorton:
“Unë nuk kam shkruar asgjë. Kam shkruar shumë, shumë pak; Më besoni, nuk kam energji dhe as besë në veten time për ta përshkruar dhimbjen dhe përjetimin tim. Po i frikësohem qenies time; Kam dy vajza dhe një bashkëshort që nuk dua të më shohin as të madhe e as të fortë, sepse unë nuk jam Teutë antike. Nuk jam aq e fortë…. jam nënë, jam grua, jam njeri”

Kjo thënje e autores Kelmendi e rrëzon mitologjinë e rreme që shoqëria jonë shqiptare ka ndërtuar rreth viktimës shqiptare; pritshmërinë dembelake që gruaja shqiptare të jetë gjithmonë e fortë, gjithmonë simbol, gjithmonë me heshtë dhe gjithmonë e gatshme për t’u (keq)përdorur, jo vetëm nga Serbia por edhe nga shoqëria shqiptare. Refuzimi i këtij roli mesjetar është pikërisht ajo që i jep librit madhështinë e tij morale.

Por libri është edhe një kamxhik për politikën dhe mediat

Lexo po ashtu:  Ana pozitive e koronavirusit, ulet niveli i ndotjes së ajrit

«Për ata që s’u kthyen» nuk është sall histori personale. Është edhe histori e një shoqërie që, pas luftës, nuk dinte çfarë të bënte me dhimbjen, përveçse ta shndërronte në kapital të turpshëm politik, mediatik dhe ekonomik. Ky libër funksionon si një kamxhik i hapur ndaj mediave shqipe dhe politikave tona, të cilat për vite me radhë i kanë «shfrytëzuar» viktimat e gjenocidit serb sall për poena partiak, karrierë personale mediatike dhe përfitime të ndryshme.

Ndërkohë që viktimat (sa për fasadë) janë ftuar në përvjetorë, studio televizive dhe fjalime solemne disa minutëshe, realiteti i tyre i përditshëm, familjet, fëmijët, vajzat pa baba e pa nëna, është lënë (thuaja) në harresë. Libri i Edonë Kelmendit nuk i përkëdhel këto struktura; autorja i demaskon ato pa britmë, pa zhurmë dhe pa parulla, por me forcën e së vërtetës; se dhimbja nuk është pronë e askujt dhe se kujtesa nuk është mall për treg.

Për MekuliPress, jo vetëm nga cilësia estetike, por vlerësuar edhe nga pesha etike e librit, «Për ata që s’u kthyen», meriton vlerësimin maksimal.

Një vepër madhore e letërsisë autobiografike shqiptare, një akt i fuqishëm kujtese dhe një akuzë morale ndaj hipokrizisë sonë shoqërore dhe politike. Ky libër nuk kërkon duartrokitje; kërkon respekt.

Jo pse autorja e librit Edona B. Kelemndi është mbesa ime, por sepse ajo është pjesë e pandarë e dhimbjes, krenarisë, sinqeritetit dhe e suksesit tonë. /Gëzim Mekuli/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com