Një lajm mjaft negativ për turizmin vjen në prag të sezonit veror, e në një kohë që turizmi është shpresa më e madhe për një rimëkëmbje ekonomike. Agjencia europiane e ambientit çdo vit publikon raportin e cilësisë së plazheve, ku veç vendeve të Bashkimit Europian, në analizë merret edhe Shqipëria me Zvicrën. Me plazhe raporti i referohet jo vetëm detit, por edhe vendeve ku mund të lahesh në liqen apo edhe lumenj.

Ajo që bie në sy është përkeqësimi i cilësisë së plazheve tona krahasuar me vitin paraardhës, si dhe zbritja e ndjeshme në renditje, nga vendi i 5-të nga fundit, në vendin e parafundit sot. Të dhënat e raportit të sapo publikuar të Agjencisë Europiane të Ambientit i referohen vitit 2019. Sipas raportit, rreth 58% e plazheve tona vlerësohen se kanë cilësi uji shumë të mirë. Vitin paraardhës, kjo normë fiksohej në rreth 62%. Në Europë ndërkohë, vetëm Polonia është më keq se ne. Në raportin e kaluar, pas nesh ishin dhe vende si Rumania, Bullgaria apo Sllovakia, të cilat na kanë “parakaluar” në harkun e një viti.

Por, ka edhe një lajm pozitiv; ka rënë numri i plazheve me cilësi shumë të dobët të ujit, nga 10, ose 9.3% të totalit, në 7 të tilla, ose 5.9% të totalit. Paçka se bëhet fjalë për vetëm 7 plazhe me cilësi mjaft të dobët të ujit, kjo është norma më e lartë në Europë, thotë Agjencia Europiane e Ambientit. Qipro, Austria, Malta, Greqia dhe Kroacia kanë cilësinë maksimale të plazheve në Europë, me thuajse 100% të tyre me nivel të shkëlqyeshëm uji. Janë vetë autoritetet shqiptare që monitorojnë cilësinë e ujerave dhe raportojnë të dhënat te institucioni europian.

Roel Korkuti 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *