Drejtori i Spitalit Rajonal të Gjakovës, Hilmi Shala, mbrëmjen e së hënës i ka përzënë nga hapësirat e spitalit deputetët e AAK-së, Pal Lekajn dhe Teuta Haxhiun. Sipas tij, ata po e shfrytëzojnë këtë kohë për të bërë fushatë. Drejtori i spitalit ka folur për Express rreth kësaj vizite.

Vizita në Spitalin e Gjakovës duket se nuk u shkoi siç e kishin planifikuar. Pal Lekaj e Teuta Haxhiu kishin shkuar aty pa e njoftuar fare udhëheqësin e këtij institucioni shëndetësor, Hilmi Shala.

Madje, sipas drejtorit, kjo vizitë ishte bërë vetëm pak minuta pas dezinfektimit të hapësirave të spitalit.

Shala ka folur rreth vizitës së deputetëve. Ai madje thotë se ka kërkuar nga deputetët që t’i lëshojnë hapësirat e spitalit me ultimatum.

“Kam apeluar të mos vijnë kot, e të na harxhojnë maska dhe mantilla. Kanë hyrë vetëm pak pasi është bërë dizenfektimi i hapësirave të spitalit, kanë ardhë dhe i kanë kontaminuar këto ambiente. Janë sjellë shumë vrazhdë me mua si drejtor, as nuk kanë pyetur se si është situata, vetëm kanë ardhur. Nuk kanë pasur nevojë të hyjnë brenda, kanë mundur të qëndrojnë edhe jashtë. Iu kam dhënë ultimatum që ta lëshojnë spitalin menjëherë për 2 minuta. Po e shfrytëzojnë këtë kohë për të bërë fushatë”, ka deklaruar Shala.

Lexo po ashtu:  301 pacientë me Covid-19 në QKUK dhe spitalet e përgjithshme

Ndërkohë, Shala ka treguar edhe për gjendjen e furnizimit me materiale shpenzuese në Spitalin Rajonal të Gjakovës.

“Furnizimi është në rregull, gjendjen e kemi nën kontroll. Ka pasur raste të dyshuara, por kanë dalë negative. Qytetarët kanë bërë teste, disa nga ta vullnetarisht kanë kërkuar që t’i bëjnë analizat, pasi edhe po e përziejnë me gripin sezonal, sepse simptoimat janë si të njëjta”, ka thënë Shala.

Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka bërë të ditur se në vendin tonë aktualisht janë 16 raste të konfirmuara me Covid-19, duke bërë të ditur se rastet e fundit janë ato të mesnatës së 17 marsit.

7 raste janë nga fshati Stubëll e Epërme e Vitisë, 4 raste nga Malisheva dhe një rast nga komuna e Klinës, një nga Prizreni, një nga Podujeva, Prishtina e Obliqi.

Ndërsa bëhet e ditur se aktualisht janë duke u testuar 271 mostra të dyshimta.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *