Sead Zimeri

Ata që kanë ndjekur shkrimet e mia e dinë mirë se unë jam kozmopolit, domethënë besoj në barazinë morale dhe politike të të gjithë njerëzve, pavarësisht dallimeve mes tyre. Në kuadrin e këtij besimi, unë gjithashtu besoj se kufijtë shtetërorë që ekzistojnë sot janë një pengesë arbitrare për arritjen e barazisë universale dhe se njerëzimi duhet të punojë drejt një sistemi të tillë politik ku në epiqendër është personi dhe jo qytetari.

Por në të njëjtën kohë pa dashur të justifikoj ekzistencën e shtetit dhe kufijve të tij territorialë, në kushtet aktuale ku ne veprojmë, shteti është i nevojshëm për të garantuar lirinë, barazinë dhe të drejtat e qytetarëve të tij. Pa mbrojtjen adekuate shtetërore, njeriu gllabërohet nga fuqitë më të mëdha, veçanërisht nga fqinjët me ambicie territoriale. Bota jonë ka burime të kufizuara natyrore dhe nevoja për të pasur akses në këto burime të kufizuara për qëllime kontrolli dhe shfrytëzimi është një nga motivet kryesore të luftërave në botë. Prandaj, shteti sado i dobët të jetë, është një domosdoshmëri për sigurimin e lirisë dhe kontrollit të burimeve natyrore në territorin e tij.

Kozmopolitizmi është sigurisht politika që njerëzit duhet të ndjekin, por kjo mund të bëhet vetëm duke siguruar liri politike krejtësisht të barabartë, pra lirinë e vendimmarrjes për të gjithë njerëzit. Pa siguruar këtë liri, nuk mund të flasim në asnjë mënyrë për kozmopolitizëm, sepse qëllimi i kozmopolitizmit është pikërisht realizimi i lirisë së barabartë. Në kushtet kur realizmi i lirisë nuk mund të sigurohet, kozmopolitizmi si projekt politik do të shndërrohet në një projekt të dominimit njerëzor dhe të shfrytëzimit të burimeve natyrore që ai kishte nën kontroll më parë. Kozmopolitizmi do të kthehej në kolonizim, pra pezullim të lirisë.

Projekti Ballkani i Hapur, të cilin kryeministri Edi Rama e mbron me aq zell, është padyshim një ide shumë e mirë për zgjerimin e bashkëpunimit mes fqinjëve dhe një hap i rëndësishëm drejt realizmit të një shoqërie politike kozmopolite. Në kushte të drejta dhe normale, ky projekt do të duhej të mbështetej nga të gjithë. Por Ballkani nuk ekziston në kushte normale, por në një gjendje të vazhdueshme tensioni, në një gjendje ku shteti më i madh në këtë projekt ka synime grabitqare, në kundërshtim të plotë me idetë e Ballkanit të Hapur.

Ballkani i Hapur aktualisht mund të jetë vetëm një ide e dominimit serb mbi popujt më të vegjël, veçanërisht Kosovës, e cila me të drejtë ka refuzuar të jetë pjesë e kësaj loje të shtrirjes së dominimit serb në këto vende ballkanike. Dhe nuk mund të pretendojmë se kjo nuk është e vërtetë, pasi konfrontimet mes Serbisë dhe Kosovës e dëshmojnë çdo ditë këtë.

Ballkani i Hapur është pra një model qeverisjeje ku Serbisë i jepet mundësia të rehabilitohet si agresori më i madh në Ballkan dhe në të njëjtën kohë i hap rrugën zgjerimit të hegjemonisë së saj ekonomike dhe më pas, natyrisht, kontrollit të burimeve të Ballkanit të Hapur.

Kryeministri Rama është ai që më shumë se kushdo tjetër në Ballkan është përpjekur të rehabilitojë Serbinë, gjë që nuk duhet kuptuar domosdoshmërisht si një përpjekje e keqe apo keqdashëse. Edhe Serbia duhet të rehabilitohet, të bëhet një fqinj i mirë. Pavarësisht krimeve të saj, Serbia nuk do të zhduket dhe është plotësisht e arsyeshme që fqinjët e saj të ndihmojnë në rehabilitimin e saj si një fqinj i mirë. Interesat ekonomike jo vetëm të Serbisë por edhe të vendeve fqinje diktojnë që marrëdhëniet tregtare të normalizohen. Çështja është nëse duhet bërë rehabilitimi i Serbisë para se ajo të pranojë përgjegjësinë e saj për krimet ndaj myslimanëve të Bosnjës dhe shqiptarëve të Kosovës!

Le ta krahasojmë këtë me rehabilitimin e individëve në shoqëri. Kur flasim për rehabilitimin e individëve me të kaluar të rëndë kriminale, të personave që kanë kryer krime të mëdha, ajo fillon menjëherë pas një gjykimi të drejtë. Pasi personi në fjalë të ketë vuajtur dënimin, natyrshëm duhet të rehabilitohet në shoqëri. Kjo bëhet për dy arsye kryesore: e para sepse këtë e kërkon drejtësia, përndryshe shoqëria bëhet agresive dhe kriminale ndaj individit dhe, së dyti, sepse ky person do të ekzistojë së bashku me të tjerët dhe që shoqëria të sigurohet që personi të mos kryej krime të reja.

Por rehabilitimi i Serbisë pa asnjë kusht nuk është një rehabilitim i merituar, sepse ende nuk ka reflektuar për të kaluarën e saj; ende vazhdon të mendojë se Kosova është zemra e Serbisë; ende nuk ka ndryshuar kushtetutën e saj; ende këmbëngul se Serbia kurrë nuk do të heqë dorë nga Kosova; se ajo nuk ka kryer asnjë krim ndaj shqiptarëve dhe nuk ka kërkuar ende falje për krimet e saj. Pra, Serbia nuk ka bërë as përpjekjet minimale për të reflektuar mbi të kaluarën e saj; nuk ka treguar interes për njohjen e Kosovës dhe nuk ka pranuar asnjë faj për krimet e saj në Kosovë. Një Serbi si kjo nuk mund të rehabilitohet pa i dhënë të drejtën për arsyet që i paraqet vazhdimisht. Rehabilitimi i Serbisë është një shkelje e qëllimshme e viktimave të saj të panumërta.

Rehabilitimi i Serbisë në këto kushte është pra një njohje de facto e politikës së jashtme serbe, njohje dhe pranim i politikave të saj antishqiptare, njohje dhe pranim i argumentit të saj politike se nuk ka për të kërkuar falje, se nuk ka arsye për të, se ajo nuk dëshiron të ndryshojë në lidhje me Kosovën.

Rehabilitimi i Serbisë në këto kushte është shkelje e të drejtës së shqiptarëve të Kosovës për ekzistencë dinjitoze dhe të sigurt nga Serbia. Kosova nuk e ka këtë siguri sot. Prandaj, çdo përpjekje për rehabilitimin e Serbisë bëhet në kurriz të Kosovës dhe jo vetëm që dëmton politikën e saj sovrane, por kontribuon edhe në izolimin e saj brenda Ballkanit. Është shumë e natyrshme që Kosova nuk mund të bashkohet me Ballkanin e hapur me një Serbi të gatshme për ta copëtuar atë. Prandaj, Kosovës i bëhet një padrejtësi e madhe nga fqinjët e saj, sidomos nga Shqipëria, sepse ata e ndihmojnë Serbinë ta mbajë të pazgjidhur çështjen e Kosovës. Në të ardhmen, shtetet fqinje nuk do të mund t’i bëjnë presion për ta zgjidhur çështjen e Kosovës në mënyrë të drejtë.

Por rehabilitimi që kryeministri Rama po i bën Serbisë tejkalon edhe atë që është e natyrshme për një rehabilitim të tillë. Ai me këmbëngulje dhe me më shumë pasion se çdo anëtar tjetër i Ballkanit të Hapur, avokon edhe Serbinë, veçanërisht Vuçiqin. Kryeministri Rama nuk lë rast pa dalë në mbrojtje të Vuçiqit, pa thënë ndonjë fjalë të mirë për të. Mbrojtja që i bën Serbisë disa herë kthehet në perversitet dhe mazokizëm të paparë në politikën shqiptare. Shqiptarët do të vdesin nga uria nëse Serbia nuk rehabilitohet, na thotë ai në prani të Vuçiqit.

Deri diku, logjika sovraniste e shtetit shqiptar e mbron Edi Ramen nga kritikat e bëra në Kosovë se nuk po mban anën e Kosovës. Se nuk po tregon besnikëri ndaj kombit shqiptar. Ai shumë thjesht mund të përgjigjet se Kosova është shtet i pavarur nga Shqipëria, ashtu siç është Shqipëria shtet i pavarur nga Kosova. Se ai është kryeministër i Shqipërisë, jo i Kosovës, dhe se është e drejta e tij të mbrojë interesat e Shqipërisë, jo të Kosovës. Dhe kur interesat kombëtare të Shqipërisë përputhen me ato të Serbisë, atëherë është krejt e natyrshme që Shqipëria të rreshtohet në anën e Serbisë për të mbrojtur interesat e saj, edhe nëse kjo bie në kundërshtim me interesat e Kosovës.

Kështu mund të mbrohet Rama dhe kështu mbrohet. Ai e përsërit shpesh se nuk është kryeministër i Kosovës, se problemet e Kosovës janë barrë e qeverisë së Kosovës. Për më tepër, Kosova ka luftuar për shtetin e Kosovës, jo për bashkimin kombëtar me Shqipërinë. Pra, Kosova e ka vendosur vetë fatin e saj dhe tani nuk mund të presë që Shqipëria të mbajë anën e saj edhe kundër interesave të veta. Shqipëria nuk i ka borxh Kosovës, ndaj duhet nuk mund të pritet që ajo të rreshtohet në anën e Kosovës kur nuk përputhen interesat e tyre. Prandaj, Kosova nuk mund të kërkojë besnikëri nga Shqipëria bazuar në idenë e identitetit të përbashkët kombëtar, sepse Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete të ndara dhe asnjëri shtet nuk punon për bashkimin kombëtar. Prandaj nuk ka justifikime, nga pikëpamja e logjikës shtetërore, që Shqipëria të mbështesë Kosovën me çdo kusht.

Kjo është logjika e Ramës dhe përderisa nisemi nga ky fakt, Rama ka plotësisht të drejtë. Por kuptohet që ne jemi shqiptarë, jemi një popull dhe kemi një aspiratë të përbashkët që populli shqiptar, i ndarë kundër vullnetit të tij, të qëndrojë pranë njëri-tjetrit pavarësisht se ekziston në vende të ndryshme. Ky është një argument moral që shqiptarët, për shkak të lidhjeve etnike, kulturore dhe gjuhësore, duhet të qëndrojnë pranë njëri-tjetrit. Ndaj nuk është e paarsyeshme t’i kërkojmë Rames që të ketë parasysh çështjen shqiptare sa herë që merr një vendim për Shqipërinë.

Por ka edhe një kontradiktë të pashprehur në politikën e Ramës për Kosovën. Ai përdor logjikën sovraniste për të hequr përgjegjësinë morale që ka për mbështetjen e Kosovës dhe përdor një logjikë kozmopolite për të rehabilituar Serbinë përmes Ballkanit të Hapur. Ai përdor dy logjika, në varësi të interesit që mbron. Kur dëshiron të rehabilitojë Serbinë, ai bëhet kozmopolit. Kur kërkon të largohet nga përgjegjësia morale për shqiptarët e mbetur jashtë Shqipërisë, përdor logjikën e sovranitetit shtetëror, se nuk është kryeministër i Kosovës.

Kryeministri Rama, më shumë se çdo shqiptar tjetër, po dëmton jo vetëm Kosovën, por edhe kombin si i tillë, idenë e solidaritetit kombëtar, si dhe çdo projekt të mundshëm për rimëkëmbjen e idesë së bashkimit kombëtar. Ndërsa po i hap rrugën idesë së afrimit ballkanik, po i mbyll rrugën idesë së afrimit kombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *